Flet Hamdi Salihi për Vllazninë: Sinani ka vuajtur
Jetmir Halilaj
Vllaznia e tij nuk është në Evropë dhe Hamdi Salihi e cilëson një sezon të dështuar atë që skuadra shkodrane bëri këtë vit. Kuqeblutë e Martinit dështuan në ndeshjen vendimtare kundër Besës dhe tani duhet të luftojnë për të mos shkuar në zonën e ftohtë të tabelës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, bomberi i përfaqësueses shqiptare, ka thënë se ky është një sezon i dështuar edhe për Tiranën, pavarësisht se bardheblutë e kanë thuajse të sigurt një vend në Ligën e Evropës.
A e patë finalen e Kupës?
Jo, fatkeqësisht jo sepse isha i ftuar për darkë nga një miku im këtu në Austri dhe ia kisha premtuar që një muaj para dhe nuk mund ta anuloja vendimin. Por gjithsesi mora vesh rezultatin dhe padyshim që më vjen keq për Vllazninë.
Si do ta konsideronit këtë sezon të ish-skuadrës tuaj?
Ky është një sezon i dështuar. Vllaznia gjithnjë ka luajtur mirë, ka konkurruar deri në fund, ka ditur të imponojë forcën e saj deri në fund të çdo gare. Sivjet gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm se humbi Kupën, por edhe për pozitat që ka në kampionat. Më vjen keq, pasi mesa di, drejtuesit kanë bërë përpjekje maksimale dhe kanë investuar.
Megjithatë, festoi shoku juaj i ngushtë, Vioresin Sinani...
Sapo mora vesh për fitoren e Besës, pyetja e parë që bëra ishte nëse kishte shënuar Viori ose jo. Do të doja që ai të kishte shënuar, pasi e di që mund të jetë gëzuar për këtë trofe dhe sukses që ka arritur, por ama edhe ka vuajtur shumë. Unë e njoh mirë atë, e di që kundër Vllaznisë ai nuk feston kurrë, madje kam përshtypjen se edhe dje (të dielën) ka vuajtur pas ndeshjen. Sinani është shumë i lidhur me Vllazninë dhe me Shkodrën.
Ndërkohë, Besa i bëri një dhuratë një tjetër ish-skuadre ku ju keni luajtur Tiranës, pasi ata tani mund të luajnë në Evropë. Jeni i kënaqur për këtë?
Unë do të isha i kënaqur nëse Vllaznia do të fitonte Kupën dhe Tirana do të ishte në Evropë, por gjithsesi më vjen mirë për Tiranën. Gjithsesi, edhe për këtë skuadër ky ishte një sezon i dështuar.
Pse?
Sepse skuadra si Tirana dhe Vllania kanë kushte që në Shqipëri pak ekipe i kanë. Këto dy klube kanë mundësinë që të organizohen në mënyrë të atillë që të mos gjenden në të tilla situata siç janë tani. Tirana nuk është mësuar të presë nga të tjerët, ndërsa Vllaznia nuk është mësuar të luajë për mbijetesë.
Të dielën shënuat kundër Shturm Gracit, a i rregullon kjo gjërat mes jush dhe Rapidit?
Unë nuk kam pasur asnjëherë probleme këtu. U dëmtova dhe mungova për dy javë, madje trajneri Pakult menjëherë pas rikthimit më futi në lojë duke më treguar se ka besim, pavarësisht se unë nuk arrita të shënoja në dy ndeshjet e mëparshme. Të dielën luajta titullar dhe shënova fatmirësisht. Dua të them se nuk kam asnjë problem te Rapidi.
Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mundësi të riktheheni te Riedi?
Jo, absolutisht jo. Ai ishte thjesht një spekulim mediatik i gazetave austriake. Nuk do të largohem nga Rapidi, sepse këtu më duan të gjithë. Kam marrë ndonjë telefonatë nga tifozët dhe nga drejtuesit e Riedit, por ka qenë gjithçka në formë batute.
Gërxhalliu: Dua kupën, pastaj iki nga Magna
Ronald Gërçaliu ka filluar të mendojë për të ardhmen e tij, të cilën e sheh larg skuadrës aktuale, Magna, në kampionatin austriak të futbollit. Nga momenti kur në vitin 2004 lojtari ka luajtur me ekipin e parë të Sturm Graz, ai ka ndërruar gati çdo vit skuadër. Në fillim të vitit 2006 ka luajtur për Salzburg, kurse verën tjetër, tek Austria e Vjenës. Nga korriku i 2009-ës, ai u transferuar tek Viener Neustadt Magna, ku ka luajtur në vetëm 13 ndeshje. “është e vështirë që të qëndroj tek Magna”, ka thënë 24-vjeçari në një intervistë për www.laola1.com. Futbollistit me pasaportë austriake i është ofruar kontratë e re nga Magna, por duket se planet e tij kanë rrugë tjetër. “Do të ishte një reduktim tjetër. Kur kam ardhur nga Salzburgu, pata hequr dorë nga shumë para, nga këtu nuk marr po aq para sa atje”, shtoi Gërçaliu. Por, para se të largohet, mbrojtësi shqiptar po mendon ta fitojë një trofe me ekipin aktual. “Suksesi i skuadrës është vendimtar. Dëshirojmë ta fitojmë kupën, pasi të gjitha forcat i kemi përqendruar në këtë objektiv”, ka përfunduar ai.
Shqipëria shpreson për skuadër tjetër në Evropë
Shqipëria mund të ketë 5 skuadra në Kupat e Evropës, për shkak të një bonusi që jep UEFA për skuadrat fair-play në vende të ndryshme të Evropës. Burime zyrtare pranë FSHF-së kanë bërë të ditur dje se kanë pasur një njoftim nga zyrat e UEFA-s dhe se vendi ynë mund ta përfitojë një ekip. Kjo duket e vështirë, për shkak të renditjes së Shqipërisë në mesin e tabelës të vendeve evropiane sa i përket lojës së pastër. Ka shumë vende të tjera shumë më lart se Shqipëria si Suedia, Belgjika, Norvegjia apo Danimarka që kryesojnë në renditjen fair-play. Gjithsesi, zyrtarët e FSHF-së, pas njoftimit që kanë marrë nga UEFA kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë për të përfituar nga “dhuratat” që bën UEFA. Gjithsej futen katër skuadra në Ligën e Eropës dhe përgjithësisht ndihmohen ato vende që përfaqësohen në Kupat e Evropës me më pak se 5 skuadra. Ekipi fair-play propozohet nga federata e çdo vendi dhe kjo nuk bëhet në bazë të renditjes përfundimtare, por në bazë të disa kritereve si loja e ndershme e korrekte. Mësohet se ka qenë Duka, ai që ka urdhëruar dy nga punonjësit e FSHF-së që të merren posaçërisht me këtë çështje.
Hidhërimet e Beqirit, Vllaznia dhe Kombëtarja
Nuk është thirrur më në Kombëtare nga trajneri Josip Kuzhe, ndaj ndien një lloj mënjanimi, të cilin zor se e përtyp. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, për mbrojtësin shqiptar, Elvin Beqiri, erdhi edhe humbja e Vllaznisë në kupë. “U mërzita shumë. Kam luajtur me atë ekip dhe besoja se do e fitonte kupën, por nuk ishte e thënë. Kështu e ka futbolli”, ka thënë Beqiri. Në një prononcim të publikuar në uebsajtin e albaniasoçer.com. mbrojtësi ka prekuar edhe temën e Kombëtares, duke thumbuar direkt trajnerin Kuzhe. “Për mënjanimin tim nga skuadra duhet pyetur trajneri Kuzhe. Për momentin nuk kam marrë asnjë shpjegim. Personalisht mendoj që nuk duhet që thirrja e një lojtari në Kombëtare të ndikohet nga arritjet e klubit, por nga forma dhe paraqitja e lojtarit. Aktualisht në Kombëtare po thirren lojtarë që me ekipet e tyre nuk janë duke pasur rezultate, por kanë një formë të mirë”, ka deklaruar mbrojtësi që luan me Khazar Lankaran në Azerbajxhan.