Kavaja feston trofeun deri në 3 pas mesnate
Mbrëmja e 9 majit ka qenë shumë e veçantë dhe e bukur për tifozerinë e Besës. Kjo, sepse ekipi i tyre i zemrës solli në Kavajë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Festa e këtij trofeu nuk ka përfunduar në stadiumin “Qemal Stafa”, por ka vazhduar edhe në Kavajë deri në orën 3 të mëngjesit të ditës së hënë. Menjëherë, pas përfundimit të ndeshjes, e gjithë tifozeria që gjendej në shkallët e stadiumit së bashku me ekipin janë nisur në drejtim të Kavajës. Ata mbërritën rreth orës 01:00, nën një pritje madhështore, teksa 10 mijë fansa që nuk mundën të udhëtonin në drejtim të Tiranës i kanë pritur si heronj verdhezinjtë në sheshin kryesor të qytetit. Por jo vetëm, edhe rrugët kryesore të Kavajës kanë qenë të mbushura plot e përplot me tifozë, të cilët janë entuziazmuar edhe njëherë kur Besa ka ngritur kupën. Menjëherë në qendër të qytetit të Kavajës është ngritur një miniskenë nga bashkia së bashku me elementët e tjerë, bokse gjigantë, muzikë etj. Në këtë ceremoni festive ka mbërritur edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i cili pasi ka përshëndetur ekipin dhe tifozët verdhezinj, u ka premtuar të gjithëve se vitin tjetër do të sjellin në Kavajë titullin kampion. Tifozët të ekzaltuar kanë qëndruar së bashku me ekipin për rreth dy orë në qendër të qytetit. Në krahasim tri vite më parë, kur Besa fitonte kupën për herë të parë, ajo e 9 majit ka qenë një festë shumë më e madhe dhe më e gëzueshme. Këtë herë gëzimi ishte i madh, kjo edhe për mënyrën sesi rrodhi e gjithë ndeshja. Pas festës së zhvilluar në Kavajë deri në orët e para të mëngjesit, ekipi kavajas është shpërndarë. Të gjithë futbollistët, të cilët ishin të lodhur nga sfida që zgjati 120 minuta dhe gjithashtu nga festimet e gjata, kanë preferuar që të shpërndahen nëpër familjet e tyre për të pushuar.