Pas çadrave,grevistët në shtretërit e spitalit
zirina llambro
Përtej dëshirës e vullnetit të gjithsecilit, çdo ditë që kalon thyen më fort rezistencën fizike. Ndonëse të vendosur për t'i shkuar deri në fund betejës që kanë nisur, grevistët e partisë socialiste nuk kanë aspak në favor të tyre faktorin kohë. Jo vetëm brenda çadrave, por edhe jashtë tyre kanë nisur të bien ethshëm kambanat e frikës dhe të alarmit për shëndetin e më shumë se 180 personave. Ata mbushin sot 12 ditë në grevën e urisë. Në harkun e tri orëve, tre vetë u dërguan me urgjencë në spitalin "Nënë Tereza". Mjekët që u ofrojnë asistencë brenda çadrave, vlerësuan se gjendja shëndetësore ishte e rënduar mjaft dhe duhej patjetër shërbimi spitalor. Ndalesa e parë e të gjithë pacientëve është spitali infektiv, ku në dispozicion të grevistëve janë vënë 7 dhoma. Më tej, sipas nevojave ata transportohen për në pavijone të veçanta, kryesisht i kardiologjisë dhe i endokrinologjisë. Aktualisht në këto shërbime po trajtohen tre prej grevistëve për probleme me zemrën dhe diabetin. Bluzat e bardha të "Nënë Terezës" refuzojnë të japin detaje për gjendjen e grevistëve të shtruar. Disa prej tyre pranojnë se kanë urdhër "nga lart", për të mos folur. Por, është mëse evidente se deri tani QSUT, u ka dhënë asistencën maksimale. "Kryesisht trajtohen me serume, por skema e mjekimit është në vartësi të gjendjes shëndetësore të personit", thonë mjekët. Të gjithëve u është siguruar nga një dhomë e veçantë, ndonëse në pavijonet respektive ka krizë shtretërish.
"Braktisja" përtej dëshirës
Dje në mesditë, ambulanca që qëndron në gatishmëri jashtë çadrave solli me urgjencë tek infektivi grevistin Artmir Ahmetaj. Sipas mjekëve, ai kishte probleme me stomakun shoqëruar me kriza dhimbjesh shumë të forta. Rreth një orë më vonë, deputeti i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani, u shtrua direkt në reanimacionin e kardiologjisë. Sipas bluzave të bardha, deputeti shfaqi probleme me zemrën e hipertensionin dhe është nën vëzhgim intensiv. Rreth orës 14:30, Petrit Kalemaj nga Patosi, një tjetër grevist u soll me urgjencë në spitalin infektiv, duke e çuar në 23 numrin e personave që kanë lënë grevën, pasojë e rëndimit të gjendjes shëndetësore. Prej tyre, aktualisht vijojnë të jenë të shtruar 11 persona, ndërsa të tjerët ose janë rikthyer në çadra ose po trajtohen në shtëpi. Gjendja e tyre është përmirësuar. "Veç 7 grevistëve, që po trajtohen në spitalin infektiv, 2 janë në pavijonin e kardiologjisë dhe 1 tek endokrinologjia, që po kurohet për diabet", pohuan burime nga spitali.
Në reanimacionin e supermbushur
Duhet të kapje rojen pa mendje, për t'u futur në reanimacionin e kardiologjisë. Pamja përpara syve na bëri, për një çast të harronim se aty ishim për grevën dhe jo për kushtet e spitalit. Gjithsesi, të shihje shtretërit e pacientëve në korridor, menjëherë të bënte të mendoje, se njëri prej tyre mund të ishte edhe deputeti i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani. Por ky mendim u fashit menjëherë, sapo pyetëm ku ishte shtruar. Njëra prej infermiereve tregoi me gisht dhomën në fund të pavijonit. Deputetit Dogjani ishte vetëm me mjekët që po e asistonin. Ata vendosën se me të sëmurin, veç familjarëve, deri sa të qetësohej nuk mund të fliste askush. Përpos kësaj duhet urgjentisht të dilnim nga reanimacioni, ku realisht kishim hyrë pa leje..Nga sa mundëm të merrnim vesh më vonë, deputeti i qarkut të Durrësit kishte probleme të hipertensionit. Në spitalin infektiv, nuk mund të kontaktoje me të shtruarit e tjerë, por për disa minuta na u lejua biseda me deputetin Besnik Bare, i cili ka lënë grevën 3 ditë më parë. Ndryshe nga reanimacioni, dhoma ku qëndron i shtruar Bare ishte krejt e pastër e nuk mungonin buqetat me lule. "Po trajtohem me serume me përmbajtje magnezi e kaliumi, pasi ishte risku deri në një ndalim kardiak", tha Bare, pa shmangur falënderimet për mbështetësit e grevës.