E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet Joleza Koka: Me FRESSH më lidhën kauzat që mbrojti publikisht Partia Socialiste

Share

Intervistë me një nga gjashtë kandidatët për drejtimin e Forumit Rinor Eurosocialist. Joleza Koka u lind në Fier në vitin 1988, studente në degën Arkitekturë, viti i V-të. Jeton në Tiranë. Bashkëthemeluese e studios arkitekturore Studio Arch4.

Si u ndjetë kur Kryesia e Partisë Socialiste vendosi që ju do të jeni një nga gjashtë kandidatët që do të garojnë për Kryesinë e FRESSH?

Unë ndjeva e privilegjuar për mundësinë që m’u dha. Ajo çka po ndodh me këtë forum është një rast unikal dhe një risi për të gjithë mënyrën e funksionimit të politikës në Shqipëri. Pikërisht kjo gjë më bënë të ndihem e privilegjuar dhe njëkohësisht më vë përpara përgjegjësisë për dhënë maksimumin në këtë garë.

Pyetja e parë që vjen ndërmend në momentin që sheh një vajzë të re e cila është studente në universitet dhe studion për arkitekturë është çfarë e ka shtyrë të merret me rininë eurosocialiste? Pse nuk zgjodhët një tjetër forcë politike? Pse Joleza, një vajzë që si shumë të tjera mund të rri e ta shpenzojë kohën në një prej kafeneve të shumta të Tiranës, preferon që këtë verë ta kalojë pjesën më të madhe të saj në një tour duke garuar, duke shpalosur një program politik ? Pra pse ti ke vendosur të bësh këtë zgjedhje dhe jo një tjetër si shumë prej bashkëmoshatarëve të tu?

Unë mendoj që zgjedhja ime është më e duhura duke marrë parasysh situatën kritike që po kalon vendi ynë. Nëse kushtet politike dhe ekonomike të vendit tonë do të ishin krejtësisht ndryshe, me shumë mundësi angazhimi im politik do të kish mbetur i kufizuar në qasjen e një qytetari të thjeshtë, e një të riu sigurisht të angazhuar politikisht por me një angazhim si vlerë e shtuar e impenjimeve të mia të lidhura me përgatitjen profesionale apo dhe ushtrimin e profesionit tim. Pra në një tjetër realitet, në atë që të gjithë ne do të kishim dashur e shpresuar, mbase unë nuk do të isha angazhuar në një garë si kjo. Janë pikërisht kushtet e vështira në të cilat jetojmë ne si shqiptarë që më bëjnë të ndihem e detyruar të mos rri mënjanë por të angazhohem drejtpërsëdrejti duke kërkuar të jap kontributin tim maksimal për ndryshimin e këtij realiteti tragjik. Angazhim i imi në këtë garë është konkretizim i vullnetit tim si shqiptare dhe si qytetare për të mos heshtur përpara padrejtësive dhe  të së ardhmes tonë të përbashkët.

Për mua personalisht ka qenë pikërisht qasja që kjo parti mbajti kundrejt çështjes të importit të plehrave dhe angazhimi im nëpërmjet strukturave të këtij Forumi për mbrojtjen e kauzës të mjedisit që më bëri të kuptojë vlerën e vërtetë të angazhimit politik. Kuptimi i mundësisë për të qenë proaktiv, për të vënë energjitë dhe idetë e mia në shërbim të së mirës të përbashkët,  u bë më i qartë në çastin që kuptova rëndësinë e reagimit ndaj rreziqeve që i kanosen të ardhmes.

Çështje si këto, çështja e drejtësisë së munguar dhe e dëmtimit të së mirës të përbashkët për përfitim të një rrethi të ngushtë njerëzish të gjithëpushtetshëm, mendoj se duhet të zgjojnë tek çdo shqiptar atë ndërgjegje dhe atë përgjegjësi që duhet të karakterizojë politikën dhe aksionin e saj. Unë besoj se ëndrra ime për një të ardhme më të mirë ka nevojë për angazhimin tim në mbrojtje të vlerave dhe parimeve demokratike. Angazhimi gjithëpërfshirës i rinisë është ajo çka kemi nevojë si shoqëri. Ky është momenti!

Pse pikërisht çështja e importit të plehrave? Vetëm kjo çështje të ka prekur kaq thellësisht?

Jo aspak! Çështja e importit të plehrave përfaqësoj për mua kulminacionin e të gjitha padrejtësive që kemi parë të ndodhin përpara syve tanë. Dua të kujtoj këtu çështjen e shitjes të territorit të vendit tonë , çështja e arsimit dhe e degradimit të të gjithë sistemit tonë arsimor në një merkato ku shiten tituj dhe diploma si të ishin karta telefonike. Çfarë i mbetet në fund të ditës një të riu i cili, falë sakrificave të familjeve shqiptare që aq shumë bëjnë për rininë si as në një vend tjetër, ulet dhe studion me orë të tëra mbi libra për të marrë atë dhe vetëm atë që i takon? Sa i vlen atij ajo diplomë e marrë me aq mund e sakrifica në një vend ku sistemi arsimor ka degraduar në këtë pikë?

Joleza, gara me sa kemi parë në këto ditët e para të zhvillimit të saj do të jetë e fortë. A ndjen ti një lloj rivaliteti mes kandidatëve ? Si i sheh ti ata?

Atmosfera që është krijuar mes nesh është shumë stimuluese. Të gjithë ne të gjashtë dallojmë në ide, në profile po ashtu edhe në kontributet tona në Forum. Ne jemi pjesë e një procesi unik të promovimit të të rinjve në politik, një proces i cili mbart në thelb vlerat dhe parimet vërtetësisht demokratike. Ky është një lajm pozitiv jo vetëm për anëtarësinë por dhe për të gjithë rininë shqiptare. Mesazhi është i qartë. Kjo forcë politike dhe ky forum besojnë në këto vlera dhe këto parime dhe i kanë shndërruar ato në instrumente të krijimit të hapësirave dhe të mundësive për të gjithë ata të rinj që e shohin politikën si një shërbim ndaj shoqërisë dhe të mirës të përbashkët. Pra falë këtij procesi është krijuar një mundësi reale për të zgjedhur por dhe për t’u zgjedhur. Kushdo që do të dilte fitues në këtë garë do të kish gjithsesi mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve në të për të mundësuar ripërtëritjen e këtij Forumi.

Unë jam shumë optimiste për këtë garë dhe ndihem e angazhuar totalisht me të gjithë energjinë dhe idetë e mia.

Cili është vizioni yt për kryesimin e FRESSH?

Unë studioj për arkitekturë dhe në fushën tonë ka një marrëdhënie të veçantë midis pjesës së ëndërruar dhe asaj reale. Në fushën tonë gjithçka nis nga ajo çka duam dhe ëndërrojmë duke e bërë atë realitet. Dhe kjo gjë kërkon përkushtim dhe vullnet.

Gjëja e parë që mësojmë është se një ndërtesë duhet të jetë e fortë dhe e qëndrueshme, komode, funksionale dhe tërheqëse.

Kur unë mendoj për FRESSH mendoj si për një strukturë e cila duhet të jetë në gjendje të përmbajë energjinë dhe vullnetin e të rinjve shqiptarë, por dhe ta mbrojë dhe rigjenerojë atë në të mirën e vendit dhe të shoqërisë shqiptare. Çelësi i arritjes këtij rezultati të shpresuar është komunikimi në shërbim të organizimit dhe rritja e frymës së bashkëpunimit.

Unë besoj se ky Forum duhet të jetë kjo strukturë, kjo shtëpi ku të rinjtë të gjejnë mirëkuptimin e bashkëmoshatarëve të tyre, të angazhuar dhe ata në një aksion politik në mbrojtje të së ardhmes. Ky Forum duhet të angazhohet totalisht për të përfaqësuar denjësisht të rinjtë dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë përballë problematikave që ata hasin në përditshmërinë e tyre gjithnjë e më të vështirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›