Flet djali i Azem Hajdarit: “Në garën për kreun e PD mbështes Lulzim Bashën”

Kiri Hajdari: “Fillimi i ri i PD, analizë të thellë dhe përgjegjësi për secilin ministër – të reflektojnë nga dorëheqja e Berishës”
Kiri Hajdari, djali i liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdari mbështet Lulzim Bashën në garën për kreun e ri të lidershipit demokrat, si pasardhës të liderit historik, Sali Berisha. Ai shpreh keqardhje për humbjen elektorale të 23 qershorit si dhe dorëheqjen e Berishës nga postet partiake. Por ai beson se z.Basha do të dijë të ringrejë PD-në dhe ta çojë atë drejt fitores së ardhshme. Kiri Hajdari thotë në një intervistë për mediat se, sot më shumë se kurrë ndjehet më afër PD-së pavarësisht se ajo kaloi në opozitë. Por ai akuzon se, “në tetë vite qeverisje, individë të caktuar që hynë në PD, e humbën fisnikërinë e tyre duke kompromentuar vlerat nga të cilat u udhëhoq babai im”. Nisur nga kjo, ai ka bindjen se Lulzim Basha do ta risjellë Partinë Demokratike më të fortë se kurrë në zgjedhjet e ardhshme. Djali i Azem Hajdarit beson se PD-ja ka aftësi rigjeneruese të jashtëzakonshme ndërsa qeveria që po vjen ka ngarkesë nga e kaluara dhe do të jetë problematike.
Kiri si e pritët e humbjen e PD-së, nga erdhi humbja e thellë e 23 qershorit?
Sigurisht që një fushatë elektorale do të ketë një fitues. Kryeministri Sali Berisha bëri një fushatë elektorale të jashtëzakonshme. Kjo fushatë absolutisht ishte më spektakolarja e parë ndonjëherë. Të gjithë e kemi të qarte se në tetë vite qeverisje, Shqipëria ka parë reformat dhe ndryshimet më të suksesshme. Vizioni i Kryeministrit Berisha, “Shqipëria një vend i zhvilluar”, do të kishte qenë suksesi i radhës. Por mendoj se ekipi zbatues ishte kosto e programit.
Pse mendoni se u tkurrën votat e PD-së më 23 qershor?
I jap shumë rëndësi analizës së thellë dhe përgjegjësisë së secilit ministër, duke reflektuar nga dorëheqja e kryetarit të Partisë Demokratike uroj të marrin përgjegjësinë e tyre.
Ju vjen keq nga dorëheqja e liderit Berisha?
Sigurisht, ai është lideri historik i Partisë Demokratike, është gjithçka që janë vlerat shqiptare dhe të djathta. Unë dhe çdo demokrat do të kishim dashur që ai mesazh dorëheqjeje të kishte qenë tjetër. Uroj që dorëheqja të jetë rezultat matematik i fushatës. Uroj që ndikimi i tij të jetë prezent, në mbështetje të kryetarit të ri të PD-së, në rrugën për fitore, ringritjen e Partisë Demokratike.
Cilin nga kandidatët mbështet familja e Azem Hajdarit, kryebashkiakun Lulzim Basha apo ministrin Sokol Olldashi?
Padyshim që mbështesim Lulzim Bashën. Ai është një personalitet dhe vlerë e shtuar e Partisë Demokratike. Ai është më afër ideve të themeluesve të Partisë Demokratike, pra dhe të babait tim. Ai është fitues i një beteje të madhe elektorale siç është Bashkia e Tiranës si dhe kam besim të plotë që do të risjellë fitoren e Partisë e Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Është një individ transparent, qytetar, civil, që do të thotë se mbart një frymë të re politike perëndimore duke lënë pas forma tashmë primitive.
U është larguar PD-ja idealeve të Azemit?
Partia Demokratike nuk është larguar nga idealet e Dhjetorit. Kjo parti ndryshoi historinë e Shqipërisë dhe do të vazhdojë përpjekjet e saj për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë nën lidershipin e duhur. Në tetë vite qeverisje, individë të caktuar që hynë në PD me forma normale morali, e humbën fisnikërinë e tyre duke kompromentuar vlerat nga të cilat u udhëhoq babai im. Dhe një herë përsëris bindjen time të plotë të kryetarit Lulzim Basha për ta risjellë Partinë Demokratike më të fortë se kurrë në zgjedhjet e ardhshme.
A do t’i bashkëngjiteni PD-së tani që është në opozitë?
Do t’i bashkëngjitëm më shumë se kurrë. Ne jetojmë çdo ditë me Partinë Demokratike dhe fatin e saj, dhe sot më shumë se kurrë ndjehem pjesë dhe brenda saj.
A do të jetë e vështirë ringritja e PD-së, ndërkohë që tashmë në pushtet u rikthyen socialistët?
Partia Demokratike ka aftësi rigjeneruese të jashtëzakonshme ndërsa qeveria që po vjen ka ngarkesë nga e kaluara dhe besoj do të jetë problematike.
Marrë nga “Gazeta Shqiptare”