Flet mjeku francez:Vizita e fshehtë në Tiranë për të kuruar sytë e Enverit në 1979
Afrim Imaj
Ka qenë maji i vitit ‘79 kur profesori francez, Yves Pouliquen, njëri nga specialistët më të shquar për sëmundjet e syve, mbërriti në Tiranë për të kuruar Enver Hoxhën. I vendosur përball pacientit special, akademiku i njohur ushtroi profesionin e vet dhe për aq kohë sa ndenji iu kushtua mjekimit jashtë komplekseve për rrethanat e tij. Vonë, shumë më vonë do t’i rikthehej dilemës nga përjetimet në Shqipëri. “A është morale për një mjek t’i rikthejë dritën e syrit një udhëheqësi që shtyp me dhunë bashkëkombësit e vet?” Mëdyshja në pamje të parë nuk shfaqej e tillë. Si mjek, mund të përgjigjem vetëm me fjalët e Hipokratit: “Unë të kuroj, pavarësisht se kush je dhe nga vjen!”.
Sidoqoftë, për të mbetet skandaloz, shërbimi që i zgjat jetën një tirani, vrasësit të fëmijëve dhe kundërshtarëve të tij. Në optikën politike, akademiku francez e vlerëson në rastin më të mirë bashkëfajësi të pandërgjegjshme. Ndërkaq, profesor Pouliquen shfaqet i bindur se çështje të tilla nuk u përkasin bluzave të bardha. Madje sipas tij, mjekët disa herë i kanë vrarë udhëheqësit e lartë, pasi nuk kanë ditur t’i shërojnë. Përtej këtij konteksti kontradiktor, mjeku francez që kuroi shikimin e Enverit në vitin ‘79, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Panorama” përjetimet nga misioni delikat në Tiranë. Kush ia besoi këtë detyrë në Paris dhe çfarë dinte në atë kohë për pacientin nga Shqipëria? Cilat ishin mbresat e para nga përballja me Enverin dhe mjedisin zyrtar që e rrethonte? Si iu duk atmosfera në Tiranë dhe çfarë përshtypje i lanë kolegët shqiptar? Si rrodhi dialogu me pacientin gjatë seancave diagnostikuese dhe njohjet e tij për letërsinë franceze? Për çfarë interesoheshin fëmijët e Enverit të veshur me rroba të modës së Parisit? Cilat ishin dhuratat e pacientit dhe mirënjohja e veçantë e miqve të tij. Si u shty e pse u anulua vizita e dytë në Tiranë një vit para vdekjes së diktatorit dhe si e mendonte profesori operacionin që nuk mundi t’ia bënte Enverit....
Profesor Pouliquen! Ju në vitin 1979 jeni thirrur për të kuruar Enverin, që në atë kohë kishte probleme serioze me shikimin. Kush ju njoftoi për këtë dhe në çfarë kushtesh erdhët në Tiranë?
U nisa për në Tiranë në 7 maj të vitit 1979. Gjatë vitit 1976, apo ’77 kam marrë pjesë në disa takime mjekësore të një karakteri të veçantë. Pas disa kohësh, Profesor Milliez më thërret në spitalin “Broussais” dhe e gjej në shoqërinë e dy apo tre personave, që nga të sjellurit, veshjet dhe theksi linin të kuptohej që i përkisnin Bllokut të Lindjes komuniste, por pa arritur ta përcaktoja se nga saktësisht. Nuk e di se mbi çfarë premtimi, Prof. Milliez, mbante sekret dhe nuk më lejonte të dija subjektin për të cilin kërkohej mendimi im mjekësor. Dokumentet që ata burrat nga Lindja më sollën për të njohur natyrën e sëmundjes, nuk më mundësonin të dija destinacionin e rekomandimeve të mija. Prof. Milliez nuk ma zbuloi kurrë identitetin e tij. Gjithsesi një ditë ia lejova vetes të thosha se nëse ata donin një përgjigje më të plotë nga ana ime për rastin që më kërkonin të trajtoja, më dukej e pamundur të shkoja më tej pa ekzaminuar të sëmurin që ata me kokëfortësi nuk ma prezantonin, përveçse përmes dokumenteve, pak a shumë të lexueshme. Më në fund Profesor Milliez vendosi të më besojë misionin për të shkuar në Tiranë për të vizituar udhëheqësin Enver Hoxha, por nuk do të më zbulonte emrin veçse dy apo tre ditë përpara nisjes. Më në fund unë kisha çelësin e misterit të këtij konsultimi të çuditshëm.
Shqipëria ishte një vend i mbyllur, kishit dëgjuar për diktaturën e Enver Hoxhës, aso kohe?
Paradoksalisht e njihja Shqipërinë, pasi kisha në shërbimin tim studentë shqiptarë, prej të cilëve ruaj kujtimet më të mira. Franca në atë kohë të luftës së ftohtë ishte hapur ndaj regjimeve komuniste evropiane dhe mua personalisht më ishte kërkuar të pranoja pranë vetes shqiptarë, bullgarë, rumunë, hungarezë, polakë, etj., dhe sigurisht një numër i madh personalitetesh nga këto vende që na kishin kërkuar për të trajtuar. Nuk kam pasur kurrë nga Bashkimi Sovjetik, të cilët ruheshin shumë të kërkonin ndonjë ndihmë në shëndetësi. Gjithashtu kam trajtuar shumë personalitete politike nga ky vend dhe në lidhje me Shqipërinë, mendoj se Enver Hoxha e dinte dhe kishte mundur të konstatonte se shërbimi që unë ofroja ishte i një cilësie të lartë. Regjimi që ekzistonte në këto vende na ishte bërë i njohur dhe kishim shumë dëshmi për kufizimin e lirive. Studentet femra, apo burra, edhe pse ishin të martuar, nuk vinin asnjëherë çift. Ndonëse larg vendit të tyre, edhe pas disa kohësh qëndrimi, asnjëherë një shqiptar nuk krijoi konfidenca me mua. Ishin nën vëzhgim të rreptë dhe për këtë mund t’ju jap një shembull. Kisha ftuar dy prej tyre për darkë në shtëpinë time, me qëllim për të krijuar një lidhje më të ngushtë se në spital, ata mu përgjigjën se nuk kishin autorizim, gjë që dëshmon se ata ishin nën një vëzhgim të rreptë edhe në kryeqytetin tonë. Çka ishte e autorizuar për disa nga nxënësit e mi hungarezë, apo bullgarë, për shembull. Mund të supozoja nga ky fakt i thjeshtë se regjimi komunist shqiptar ishte shumë më strikt se të tjerët. Marrëdhëniet që kisha me studentët, apo me pacientët që vinin nga Lindja ishin aq të shkëlqyera, aq sa pas kurimit, apo studimeve, ata më ftonin në vendet e tyre. Por më kujtohet që një herë në Hungari mu desh të përballoja një tension shumë të madh, pasi e pata shumë të vështirë për të rimarrë pasaportën e konfiskuar, saqë për çdo ftesë që më bëhej vija kushtin “pranoj me kushtin që të mos më konfiskohet më pasaporta”, gjë që më privoi shumë në udhëtimet e mia. Duhet të them se nuk më kërkuan pasaportën kur erdha në Shqipëri dhe ky udhëtim u injorua zyrtarisht nga administrata policore. Është e vërtetë se korrespondonte me një vendim të marrë nga shumë lartë.
Cilat janë përshtypjet tuaja nga takimi me Hoxhën. Prezantonte ai shenja vdekjeje?
Kur e takova Enver Hoxhën për herë të parë, ai ishte në verandën, përpara portës së ndërtesës, ku rrinte atëherë. I drejtë, i madh, i gatshëm për të më pritur me elokuencën e një njeriu të shëndetshëm dhe me një dashamirësi të shprehur qartazi. Më duhet të them që gjatë vizitave tona të para ndihej mungesa e masave protokollare. Një thjeshtësi në raportin me mua, që ndryshonte nga distanca që shprehte me rrethin e tij të ngushtë, mjekë dhe ministra që na rrethonin. E kam përshkruar në librin tim kontaktin tonë të parë. Nga ana mjekësore takova një pacient pa shumë kërkesa dhe me një sjellje si e çdo të sëmuri të zakonshëm. Asnjë lloj kapriçoje si disa personazhe të rëndësishëm mund të kishin, por një dëgjues i vendimit me zgjuarsi dhe pjesëmarrje. Atëherë ishte sigurisht i sëmurë, por asgjë nuk ndikonte në pamjen e tij fizike apo aftësitë intelektuale që ishin të gjalla dhe të paprekura. Ai nuk ishte veçse 71 vjeç.
Ju shkruani në librin tuaj se ai e njihte mirë letërsinë frënge. Keni pasur ndonjë diskutim mbi autorë të caktuar, të cilët ai preferonte?
Gjatë kohës që ne jemi takuar vetëm për vetëm, Enver Hoxha më duket se e shijonte veçanërisht faktin të shprehej dhe të rifliste për studimet e tij franceze. Ai më bëri një rrëfim të gjatë duke më lënë të kuptoja se ndjente mall për këtë periudhë të largët, ku ai formoi personalitetin e tij, kulturor dhe politik. Nga gjithë autorët që ai përmendi, mund të them se më citoi një numër të madh të shkrimtarëve më të shquar, por iu referua më së shumti Andre Gide-së. E kuptova se ai ishte për të një subjekt i preferuar debati. Ky borgjez i madh, kishte pasur në sytë e tij meritën e madhe të kishte bërë atë “Udhëtimin në Bashkimin Sovjetik” me një lloj ndershmërie intelektuale, duke i dalë kundër origjinës së tij. “Si është e mundur që ky borgjez i madh të jetë nxitur nga eksperiencat fillestare të një populli akoma shumë të varfër por me një shpirt të jashtëzakonshëm dhe një shpresë të atillë, për të ndryshuar jetën?”. Kjo e intrigonte. Për Enver Hoxhën shpjegimi ishte i thjeshtë. “Ai nuk kishte kuptuar asgjë nga Marksizëm Leninizmi”. Ai do të kishte dashur shumë të ishte ndryshe. Sepse urrejtja e tij për borgjezinë ishte vërtetë e vrullshme. Madje edhe kur përshkruan muzikantët. Vetëm ata që përkthenin folklorin popullor, kishin vlerë në sytë e tij dhe në veçanti një autor shqiptar që nuk më kujtohet emri, por nga i cili më vuri të dëgjoj një disk. I thashë se Listi, Shopeni, Brahmsi, Smetana, Grieg ishin frymëzuar nga folklori i vendeve të tyre. “Refuzoj argumentin tuaj, më tha me vrull. Ata ishin të gjithë borgjezë!”
Sa kohë ndenjët në Tiranë dhe cili është mendimi juaj mbi mjekët e Enverit?
Nuk ndenja më shumë se tri ditë në Tiranë. Mendimi im mbi mjekët është i mirë, i njihja disa prej tyre dhe zotësitë e tyre mjekësore. Ata nuk kishin shumë mundësira në vend, por duhet të them se pas demokratizimit të Shqipërisë, disa prej të njohurve të mi janë adaptuar me teknikat moderne dhe kanë qenë shumë pranë universiteteve tona.
A merrte pjesë në konsulta, gruaja e Hoxhës dhe cilat janë përshtypjet tuaja nga takimet me të?
Zonja Hoxha nuk merrte pjesë në konsultat tona mjekësore dhe ne asnjëherë nuk kemi shkëmbyer ndonjë fjalë mbi këtë j&5ështje. Ajo më ka pritur si një nikoqire shtëpie, duke na ftuar të shijonim ndonjë ëmbëlsirë, ashtu si do bënte edhe ime më në të njëjtën situatë. Një pritje shumë e thjeshtë pa shkëlqime të tepërta dhe shumë miqësore, si një interlud i takimit që kisha me bashkëshortin e saj. Nuk shkëmbyem veçse biseda familjare dhe aspak politike. Ruaj kujtimin e një gruaje të gjallë dhe të dashur, që shprehte mirënjohjen për vizitën time pranë presidentit.
Çfarë dhuratash ju ofruan në këmbim të shërbimit tuaj në Tiranë?
Në Tiranë? Një shfaqje në Teatrin Kombëtar, një vizitë në Durrës dhe mikpritja në lagjen e rezervuar, shumë të qetë dhe me vila të bukura. Me kthimin tim në Paris më erdhi një “koleksion” prodhimesh vendase si llokume, shampanjë dhe verë shqiptare, qilima, tavolinë e vogël salloni dhe ndonjë libër të Enver Hoxhës.
Cila ishte marrëdhënia juaj me truprojat e Enver Hoxhës, a ka pasur raste fërkimesh? Sipas kujtimeve të njërit prej tyre ka pasur një përplasje. Përse?
Nuk kam njohur veçse truprojat që më morën nga ndërtesa ku unë rrija dhe më shoqëruan deri në Beograd pas vizitës në Tiranë. Nuk kujtoj asnjë përplasje as në Tiranë dhe askund tjetër, aq më tepër që isha në shoqëri të dy kolegëve të mi shqiptarë që u bënë udhëheqësit e mi të vëmendshëm.
A jeni kthyer sërish ën Shqipëri dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me kolegët shqiptarë?
E vizitova Tiranën, korrikun e shkuar për disa orë. Dëshiroja të rishikoja këtë qytet dhe pata mundësinë të rishihja vilën ku presidenti Hoxha më priti. Arrita të gjeja pamjen, por gjithçka kishte ndryshuar përreth. U çudita nga ndryshimet që kishin ndodhur në të. Ruaja kujtimin e një qyteti bosh dhe të heshtur dhe gjeta një qytet të zhurmshëm, plot ngjyra (ato të kryebashkiakut? Ndoshta më shumë se ç’duhen) dhe njerëz të shqetësuar si në Paris dhe vajza të reja me minifund, që kontraktonin me gratë e kohës së atëhershme. Qarkullimi ishte shtuar. Pata kohën të shihja muzeun. Nëse ju them se nuk e njoha Durrësin, do t’ju duket një eufemizëm. Nuk gjeta asgjë nga çka njihja. Kolegët e mi francezë frekuentojnë sot shoqatën franceze të okulistikës, por unë jam larguar nga shqetësimet e tyre, për shkak të moshës, por edhe për shkak të angazhimit tim në Akademinë franceze, ku u zgjodha në vitin 2001, çka nuk do t’i kishte shpëtuar Enver Hoxhës, për të cilin letërsia ishte një shqetësim madhor.
Mjeku përballë dikatorit
Ngjarjet e librit “Le médecin et le dictateur” (“Mjeku dhe diktatori”) botuar vitin e kaluar në Paris, nisin në maj të vitit 79 ku një nga kirurgët më të shquar të spitalit “Broussais” udhëtonte me një avion të kompanisë “Air France” me destinacion Tiranën për të vizituar Enver Hoxhën, që kishte shqetësime serioze me shikimin. Përjetimet nga ky mision jo i zakonshëm, profesor Pouliquen, protagonisti I tij, na I sjellë në faqet e librit të botuar plotë 29 vjet më pas. Përballja dhe dialogët me Enver Hoxhën, ka qenë për të një ngjarje vërtetë e jashtëzakonshme. Profesori I ardhur nga larg, qysh në kontaktin e parë harrin të kuptojë qartë kush fshihet pas këtij personi që shfaqet I dashur në pamje të parë, por që nuk është kurrë I tillë. Nëse pacienti ka humbur shumë nga shikimi I tij, profesori nuk është I verbër dhe kupton mjaft mirë historinë e trishtë të tij. Po a duhet të ndërhyjë për ta shëruar? I ndodhur mes betimit të Hipokratit dhe apelit për të shëruar një diktator që në fund të fundit është një njeri, mjeku nuk ka shumë kohë për të menduar. Në 174 faqet e “Mjeku dhe diktatori” shtjellohet me realizëm gjithçka ndodhi gjatë atij misioni delikat. Profesor Pouliquen risjell me detaje përjetimet nga përballja me pacientin, Enver Hoxha, mbresat nga dialogët në frëngjisht me të, befasimin nga atmosfera e harruar e këtij vendi ballkanik me bunkerë e mallra kinez, shfaqjet teatrale të kolegëve para diktatorit, arsyet e anulimit të operacionit një vit para vdekjes së Enverit, dhuratat e rezervuara nga Nexhmije Hoxha në emër të mirënjohjes për shërbimin ndaj të shoqit etj. Yves Pouliquen, tashmë në moshën 76-vjeçare është një akademik dhe kirurg i njohur në Francë, me një karrierë të gjatë në fushën e okulistikës dhe të botimeve. Ka botuar librat “La Transparence de l’œil” (“Transparenca e syrit”), “Un oculiste au siècle des Lumières”, (“Një okulist në shekullin e Lumierëve”), “Madame de Sévigné et la médecine du Grand Siècle”, (“Zonja Sévigné dhe mjekësia e shekullit të madh” etj. Aktualisht është anëtar i Akademisë Franceze dhe një figurë shumë e njohur në botën shkencore të vendit.