E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekjet në minierë, policia kontroll për armë minatorëve

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Familjarët dhe kolegët e minatorëve të vdekur në galeritë e kromit në Bulqizë i kërkojnë Prokurorisë së Dibrës dhe asaj të Përgjithshme të nisë hetimet, duke aluduar se jo të gjitha incidentet në minierë kanë qenë aksidentale. Ata dyshojnë se disa prej tyre janë vrarë me dashje nga persona të caktuar. Kjo ka bërë që për herë të parë, policia e Bulqizës të kontrollojë për armë një për një të gjithë minatorët, para se të futen në thellësinë e galerisë. Kontrolli është kryer dy ditë më parë, por asnjërit prej tyre nuk i është gjetur armë apo mjet tjetër i rrezikshëm. Shkak i dyshimit të minatorëve dhe familjarëve të viktimave për eliminime të mundshme janë bërë vdekjet e njëpasnjëshme në galeri, si dhe konfliktet që kanë firmat e nxjerrjesh së kromit me njëra-tjetrën, për shkak të zonave të influencës. Prej disa kohësh ata kërcënojnë njëri-tjetrin edhe me jetë. Precedentët e të shtënave në afërsi të galerive, me qëllim paralajmërimin dhe kërcënimin e njëri-tjetrit, kanë çuar në zonën e minierës disa herë policinë. Dyshohet se për t’i shkaktuar njëra-tjetrës probleme, firmat e nxjerrjes së kromit kanë shkuar deri në ekstrem duke eliminuar minatorët. Ndonëse në trupat e tyre nuk janë gjetur gjurmë plumbash, sërish të afërmit e viktimave aludojnë se ata janë hedhur nga thellësi të ndryshme të galerisë, ku më pas i ka zënë edhe dheu. Megjithatë ky është vetëm një aludim i familjarëve e minatorëve, pasi nuk konfirmohet nëse ka nisur hetimi në këtë pistë. Aksioni i policisë për kontrollin për armë ka ardhur edhe pas ankesave të pronarëve ligjorë të minierave se punëtorët e tyre janë kërcënuar nga të “fortët e Bulqizës”. Sipas tyre, edhe kromi në stogje u është vjedhur po nga këto persona. Në shumë raste drejtuesit teknikë kërcënohen për të lënë punën në këto subjekte. “Ky aksion në minierat private të Bulqizës lidhet me ankesat e disa subjekteve se “individë të caktuar”, i kanë kërcënuar me armë pronarët e minierave dhe menaxherët e tyre” bënë të ditur burime të policisë. Në lidhje me këtë problematikë, Drejtori i Policisë Dibër, Ali Elezi, u shpreh se “Ne zhvilluam një takim me drejtuesit ligjorë të të gjitha subjekteve. Iu kërkuam se cilat ishin shqetësimet që ata kishin, kush ishin personat që i kishin kërcënuar, cila ishte sasia e kromit të grabitur nën kërcënimin e armëve”. Kohët e fundit në zonën D të Bulqizës “grupet rivale” janë përplasur edhe me armë zjarri për “zonat e influencës”. Krismat e armëve, vjedhja e kromit në stogje, rrahja e minatorëve të firmave private, telefonatat anonime drejtuar drejtuesve të minierave, etj, janë kthyer në një fenomen shqetësues për blutë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›