E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet si Pacolli

Isa Mustafa e njeh Behgjet Pacollin si President të Kosovës, edhe pse LDK’ja e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e tij. Ai thotë se zyrtarët e AAK’së asnjëherë nuk i kanë kërkuar zyrtarisht që vota e Pacollit për Qeverinë të dërgohet në Gjykatë. Për më tepër, kreu i LDK’së flet si Pacolli për seancën e 22 shkurtit, duke fajësuar për gjithçka Jakup Krasniqin Nga Shpend Limoni & Faton Ismajli më 24 mars 2011 në ora 10:10

Isa Mustafa ka përdorur argumente të njëjta me Behgjet Pacollin, kur e ka arsyetuar mospërkrahjen e tij për AAK’në që votimi i Presidentit për Qeverinë e Kosovës të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai nuk ka preferuar të merret fare me aktin e votimit të Pacollit për Qeverinë që ky i fundit e kishte bërë vetëm disa minuta pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit, por ka zgjedhur ta kritikojë Jakup Krasniqin për udhëheqje te keqe të seancës së 22 shkurtit.
Një argumentim i tillë tashmë është dëgjuar nga goja e Pacollit në disa paraqitje për mediat.

E, kreu i partisë më të madhe opozitare në vend duket se nuk e ka shumë problem të flasë si Pacolli.

“Është Kryetari i Kuvendit ai që ka udhëhequr mbledhjen e Kuvendit kur është votuar për Qeverinë. Dhe, ai Kryetar i Kuvendit është dashur t’i thotë z. Pacolli që t’i më nuk je deputet dhe nuk duhet të jesh në Kuvend që të votosh për Qeverinë. Ai i përcakton rregullat aty dhe jo tjerët, prandaj çdonjëri duhet ta marrë përgjegjësinë në këtë çfarë ka ngjarë dhe jo problemet e të tjerëve t’i barten Lidhjes Demokratike”, ka thënë Kryetari i LDK’së, në një konferencë për media.

“Në qoftë se ai (Jakup Krasniqi) ka konsideruar se z. Pacolli është zgjedhur për President - është dashur t’i thotë ‘z. Pacolli ose ulu në vendin ku ulen presidentët, ose shko në zyrën tënde, sepse t’i më nuk je deputet i Republikës së Kosovës’, prandaj s’mund të votosh”, ka thënë ai.

Pavarësisht se me këtë qëndrim LDK’ja nuk ka dalë në mbrojtje të Kushtetutës, Mustafa ka akuzuar mediat për shkrime “atakuese” ndaj tij.

Por ai ka mohuar se me pozicionin e tij është duke e mbrojtur Pacollin.

“Jo, unë nuk dua as ta fajësoj, as ta shfajësoj, por dua të them se ne e kemi një çështje më të rëndësishme që dëshirojmë ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Dëshiroj të them se problemi i votimit ka qenë problem i mbarëvajtjes së mbledhjes së Kuvendit, për të cilën është kujdesuar Kryetari i Kuvendit, sepse ai duhet të kujdeset se kush po voton dhe kush s’po voton”, ka thënë ai.

Mustafa është duke mbajtur një qëndrim të pazakontë për një parti opozitare rreth votës së Pacollit për Qeverinë.

Edhe pse tashmë janë dëgjuar vlerësime se vota e Pacollit për Qeverinë mund t’ia lëkundë lehtësisht karrigen Pacollit në rast se me këtë merret Gjykata Kushtetuese, Mustafa atë e konsideron vetëm një “ngritje dore”.

“Unë dje kam thënë se nuk është synim yni të merremi me atë se kush e ngre dorën apo kush jo”, ka thënë kreu i LDK’së.

Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me AAK’në kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese një lëndë me të cilën synohet të vërtetohet nëse është shkelur Kushtetuta kur është votuar për Presidentin.

Pikërisht për këtë arsye, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, në një prononcim për Express para disa ditësh, ka lënë të kuptohet se LDK’ja nuk e njeh Presidentin duke thënë se është Gjykata ajo që duhet të vërtetojë se a ka vendi President.

“Presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën, sepse nuk është President”, kishte thënë Kryeziu, për gazetën.

Por, Isa Mustafa duket se nuk e ka asnjë dilemë për Pacollin.

“Aktualisht z. Pacolli është President, sepse është zgjedhur me shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovë”, ka thënë ai.

Mustafa ka shtuar se nuk pranon të marrë fajin për bllokimin e iniciativës së AAK’së për shkak se, sipas tij, fajtor për zgjedhjen e Pacollit është Hashim Thaçi.
“Vetë Thaçi dhe PDK’ja janë në koalicion dhe e ka pru z. Pacolli në pozitën e Presidentit të Kosovës. Nuk e ka pru LDK’ja, prandaj nuk jemi as ne ata që do t’ia heqim këtë barrë z. Thaçi. Është përgjegjësi e tyre”, ka thënë Mustafa.

Një arsye tjetër që e ka përmendur kreu i LDK’së për të mos e dërguar votimin e Presidentit për Qeverinë në Gjykatë, është lënda tjetër që është dorëzuar në këtë institucion.

Por ai ka theksuar se as AAK’ja asnjëherë nuk i ka kërkuar zyrtarisht LDK’së bashkëpunim rreth kësaj çështjeje.

“Në fakt nuk është kurrfarë bllokade, sepse në asnjë rast nuk e kemi pasur asnjë iniciativë zyrtare nga Aleanca. S’e kam parë asnjë tekst zyrtar të AAK’së dhe s’ka kërkuar askush nga Aleanca, asnjë përfaqësues i Aleancës nuk ka kërkuar të ulet me mu si Kryetar i LDK’së dhe ta diskutoj këtë çështje”, ka thënë ai.

Mustafa, po ashtu, ka mohuar se ka pasur takime me Pacollin.

“Prej momentit kur janë bërë zgjedhjet për President dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, s’e kam pasur asnjë kontakt me z. Pacolli. As në zyrën e tij, as në zyrën time, as në shtëpinë e tij”, ka thënë Mustafa.

Akuzon AAK’ja

Zyrtarë të AAK’së e kanë demantuar kreun e LDK’së, Isa Mustafa, duke thënë se ka pasur biseda mes këtyre dy subjekteve se a duhet dërguar votën e Pacollit në Gjykatën Kushtetuese.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini ka thënë të mërkurën se për këtë çështje ka folur me shefin e Grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri. Sipas Gjinit, LDK’ja nuk ka pasur gatishmëri për të bashkëpunuar.
“Unë kam biseduar me z. Ismet Beqiri në telefon dhe më ka thënë se LDK’ja ka mendime të tjera dhe nuk mendon se është e gatshme me i dhonë nënshkrimet për me e dërgu lëndën e re në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gjini.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së dhe deputeti Burim Ramadani ka akuzuar Lidhjen Demokratike se nuk e ka mbrojtur Kushtetutën.
“Kjo është logjikë e shkeljes së Kushtetutës prej atyre që e edhe vet e kanë shkelë si subjekt politik dhe asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për më shumë se 3 vjet. Kush e shikon vetëm partinë e vet e jo edhe respektimin e Kushtetutës është duke e dëmtuar shtetin sepse në çfarëdo rasti që fiton Kushtetuta fitojnë të gjitha partitë edhe fiton Kosova”, ka thënë Ramadani për Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›