N'këmbë për Çelikun
Një javë pas arrestimeve të disa pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fletarrestimit ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë-EULEX, shprehen mjaft të rezervuar në dhënien e informacioneve se çfarë është duke ndodhur me këtë rast.
Zyra për media të EULEX`it përgjigjet shumë shkurt në lidhje me hetimet apo procedurat që ky mision është duke ndjekur për nënkryetarin e PDK`së, Fatmir Limaj.
“Çështja e imunitetit të z. Limaj është duke u qartësuar, sidoqoftë, imuniteti nuk e ndalon ndjekjen penale si dhe hetimet të cilat janë duke vazhduar”, thanë zyrtarë nga zyra për media e EULEX`it.
Në të njëjtën kohë, Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt, ka thënë për gazetë se procesi ndaj klientit të tij ka ngelur në fazën fillestare.
Gashi thotë se EULEX’i në këtë rast ka hapur një çështje penale kundër Fatmir Limajt që ka të bëjë më krimet e luftës.
“Aktualisht hetimet janë duke vazhduar dhe këto nuk mund t`i ndalë askush, ngase janë kompetencë ekskluzive e prokurorit, i cili, sipas ligjit, ka të drejtë të grumbullojë prova sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, e të cilat duhet t’i dërgojë te një epilog që mund të jetë pezullimi apo pushimi i hetimeve dhe eventualisht ngritja e ndonjë akuze”, shpjegon avokati Gashi.
Ai sqaron se imuniteti që gëzon Fatmir Limaj si deputet i Kuvendit të Kosovës, parandalon arrestimin apo ndalimin e tij.
“Me përgjegjësi të plotë mund të deklaroj se EULEX’i duhet të tërhiqet nga ky fletarrestim, ngase ky edhe ashtu ka mbetur vetëm një formalitet, i cili është duke krijuar konfuzion dhe asgjë tjetër”, thotë Gashi.
Mbrojtësi ligjor i Fatmir Limajt shpjegon se zyrtarët e EULEX’it nuk i kanë dorëzuar ende zyrtarisht ndonjë shkresë apo dokument që ka të bëjë me hetimet apo procedurat ndaj ish- Komandant “Çelikut”.
Gashi thotë se takimin e vetëm që ka pasur ai e Fatmir Limaj me zyrtarët e EULEX’it, ka qenë e mërkura e javës së kaluar, kur klienti i tij ishte paraqitur vullnetarisht në njërën nga bazat e këtij misioni në Fushë-Kosovë.
“Ne nuk na janë dërguar shkresat e lëndës nga zyrtarët e EULEX’it. Unë nuk jam i njoftuar se EULEX`i ka paraqitur ndonjë kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të z. Limaj, kjo d.m.th. se ata duhet të tërhiqen nga fletarrestimi dhe të vazhdojnë procedurën në mënyrë të rregullt”, vlerëson ai.
Hesht Kryeministri
Kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka thënë asnjë fjalë lidhur me arrestimet e luftëtarëve të ish-UÇK’së dhe fletarrestimit të lëshuar nga EULEX’i për deputetin Fatmir Limaj. Thaçi, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, iu është shmangur komenteve rreth arrestimeve dhe fletarrestimit ndaj deputetit Limaj. Megjithatë, Qeveria e Kosovës pati lëshuar një deklaratë lidhur me këto arrestime. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ndërkaq, mohoi se ka përplasje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Fatmir Limajt. Ai tha se Qeveria e ka vlerësuar bashkëpunimin e deputetit Fatmir Limaj me drejtësinë. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse EULEX’i duhet ta tërheq fletarrestimin për Limajn, Kuçi tha se Qeveria e mbështet sundimin e ligjit në Kosovë dhe kërkoi që Kushtetuta dhe ligji të respektohen nga të gjithë. Sipas tij, Limaj është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të Kushtetutës ai gëzon imunitet.