E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Jepini prioritet edukatës seksuale

Do të ketë riorganizim të mjekëve dhe infermierëve që punojnë në shkollat e vendit

Punonjësit e shëndetësisë që janë kryesisht nën varësinë e Autoritetit Shëndetësor Rajonal do të jenë pjesë e një riorganizimi që do të pësojë sistemi. Dje u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë se është ngritur një grup pune i cili do të mendojë dhe do të strukturojë këtë sistem duke sjellë më shumë vëmendje për mjekët, infermierët, stomatologët që punojnë kryesisht në sistemin arsimor. Sipas të dhënave të para pritet që ky sistem të preket nga ndryshime thelbësore dhe vëmendja kundrejt këtij komuniteti, që kryesisht punojnë me nxënësit të jetë më e madhe. Më i madh duhet të jetë edhe angazhimi i tyre në punë. Dje, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka zhvilluar një mbledhje pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal dhe ka theksuar se ky sistem do të pësojë ndryshime, por roli i këtyre punonjësve të shëndetësisë është edhe më i madh ndoshta herë-herë edhe më i rëndësishëm se mjeku i familjes. Ende nuk dihet nëse do të ketë shkurtim të punonjësve të shëndetësisë që aktualisht punojnë në shkollat 9-vjeçare, si dhe gjimnazet e vendit apo nëse do të ketë shtim të tyre. Kërkesa e llogarisë për ta do të jetë edhe më e lartë, kushte dhe kritere të reja do të vendosen për të mbajtur vendin e punës, ndërkohë që grupi i punës do të vendosë në varësi të angazhimit në punë, për pagesën e mjekëve apo infermierëve që punojnë me nxënësit e shkollave. Duke qenë se sistemi arsimor tashmë i kthyer në 9-vjeçar, lejon që një nxënës 10-vjeçar të jetë në të njëjtën shkollë me atë 15-vjeçar. Nisur nga kjo dhe diskutimet që janë hapur në sistemin arsimor nga prindërit dhe mësuesit kujdes të veçantë për edukimin e nxënësve do të luajnë edhe mjekët e punësuar në shkolla. Dje, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u ka tërhequr vëmendjen strukturave kontrolluese për këta punonjës. Sipas Vasilit shpeshherë nxënësit as nuk janë në dijeni se shteti paguan një mjek për t’u kujdesur për ta. Në mënyrë të veçantë, kjo ndodh në zonat periferike dhe rurale. Prandaj sipas tij, një kujdes të veçantë, nëpërmjet orëve të mësimit dhe orëve të diskutimit duhet të zërë edhe edukata seksuale, edukata qytetare. Grupi i punës i ngritur posaçërisht për të shqyrtuar punën që u nevojitet nxënësve nga ana e mjekëve dhe infermierëve në shkolla, do të vendosë për kërkesat që kërkon koha dhe nxënësit në vitin 2010. Sakaq, tre vjet më parë sistemi i mjekëve, stomatologëve, infermierëve në shkolla u reformua, duke vendosur përgjegjës një specialist për dy, tre apo dhe katër shkolla. Sipas strukturave shëndetësore arsimore u gjykua që një punonjës i shëndetësisë mund të bënte një punë efektive edhe duke marrë në përgjegjësi disa shkolla.

Në takimin e djeshëm, u ra dakord që grupi i punës, do të evidentojë çështjet prioritare lidhur me rolin e punonjësit të shëndetësisë në shkolla dhe prindër, mësues bashkë me specialistët e arsimit dhe shëndetësisë, do të konsultojnë vendimet bashkërisht.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›