E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: ILDKP të hetojë pasurinë e deputetes

19/08/2010 Kërkesa e PS-së për Vokshin

Partia Socialiste i kërkoi dje Inspektoratit të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, përmes nënkryetarit të grupit të saj parlamentar, Eduard Shalsi, të nisë menjëherë hetimet për pasurinë e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi. Sipas tij, deputetja në fjalë nuk ka deklaruar në deklaratën e saj të pasurisë, pasurinë e bashkëshortit të saj, shtetasit Arjan Tartari. “Ish-këshilltarja e Kryeministrit Berisha, aktualisht deputetja Albana Vokshi në deklaratën e pasurisë që ka plotësuar nuk kishte përfshire babanë e fëmijëve të saj me të cilin bashkëjeton, Arian Tartarin me pretendimin se ligji nuk e parashikonte një marrëdhënie të tillë. Për fatin e keq të zonjës Vokshi e gjithë kjo është një alibi që nuk e nxjerr atë nga bataku ku është zhytur. Ligji shqiptar e parashikon fare qartë, të zezë mbi të bardhë detyrimin e zyrtarëve dhe deputetëve për të deklaruar pasurinë apo interesat e biznesit të personit më të cilin bashkëjetojnë.”, - tha deputeti i PS-së në deklaratën e djeshme. Sipas tij, në këtë rast kemi të bëjmë me një shmangie, me një mosplotësim të deklaratës vetëm e vetëm për të fshehur aferën korruptive që fshihet pas bizneseve të këtyre njerëzve në shërbim të familjes në pushtet. “Lidhjet e ngushta e me Sali Berishën nuk mund t’u afrojnë këtyre individëve imunitet nga përballja me ligjin për aktivitetet e tyre korruptive dhe abuzimin me pasurinë e shqiptarëve”, - vijoi Shalsi. Prej disa ditësh deputeti i selisë rozë në deklaratat e tij për mediat ka denoncuar, sipas tij, përfshirjen e familjes Berisha dhe të njerëzve shumë pranë tyre në afera korruptive dhe në konflikt të pastër interesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›