E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletët e votimit, në dorë të Kolegjit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbetet peng i Kolegjit Zgjedhor për miratimin e fletëve të votimit në bashkitë dhe komunat e vendit.Kodi Zgjedhor parashikon KQZ-në institucionin, i cili do të marrë vendim për fletën e votimit përfundimtare në secilën njësi vendore. Kjo e detyron KQZ-në që të marrë edhe 384 vendime në ditët e ardhshme për modelin e fletës me të cilën qytetarët shqiptarë do të votojnë më 8 maj. Ky akt shtyhet për shkak se Partia Socialiste ka depozituar dje dy kërkesa në Kolegjin Zgjedhor, ku kërkon shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së përsa i përket fletës së votimit të Tiranës.
PS në Kolegj
Konkretisht, PS-ja kërkon që në fletën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në emrin pranë kandidatit të opozitës Edi Rama, të shtohet edhe sigla “PS” dhe të gjitha forcat e tjera në koalicion me të. Aktualisht, sipas vendimit të fundit të KQZ-së, emri i Ramës ka poshtë tij vetëm emrin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe inicialet “AA” si germat nistore të koalicionit. Në të kundërt, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, veç emrit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” do të ketë në kuadratin e tij edhe siglën e PD-së dhe të të gjitha partive që përbëjnë koalicionin e djathtë. Kërkesa e dytë e PS-së ka të bëjë me fletën e votimit për Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku selia rozë kërkon që koalicioni “Aleanca për të ardhmen” të dalë mbi koalicionin “Aleanca për qytetarin”, për shkak të renditjes alfabetike.
Vendimi i KQZ
Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha ankesave të ardhura nga partitë politike dhe kandidatët e pavarur, pika e parë e rendit të ditës për KQZ-në do të jetë miratimi i fletëve të votimit. Por, ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme të dy viteve më parë, ky proces është shumë më i ndërlikuar për shkak se secila komunë dhe bashki e vendit do të ketë një listë individuale dhe jo të njëjtë në të gjithë qarqet, si më 28 qershor 2009. Në këto kushte, KQZ-ja do të jetë e detyruar të presë vendimin e Kolegjit për dy kërkesat e PS-së përpara se të miratojë me radhë fletën e votimit në 384 njësitë e vendit.
Debatet
Mbledhja e djeshme e KQZ-së u karakterizua nga debate mes shumicës dhe opozitës, për shkak të disa vendimeve të marra me katër vota për regjistrimin e kandidatëve të pavarur në qarkun e Elbasanit. Sipas shumicës, regjistrimi i kandidatëve është në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndërkohë që për pakicën në KQZ, futja e tyre në garë, ndonëse në Këshillat Komunalë, është një sinjal i rrezikshëm për punën e këtij komisioni. “Nëse kërkesa të tilla do të pranohen, personalisht si jurist mendoj se do jetë një situatë alarmi për punën e mëtejshme të KQZ-së, për arsye se ne po shkelim parimet që ka Kodi. Nisur edhe nga ecuria e kësaj mbledhjeje dhe nga vështirësitë që na u krijuan për të marrë dokumentacionin edhe më tej, mendoj që nuk është mirë që të veprohet në këtë mënyrë”, u shpreh Artan Laze.

Batutat në KQZ

Arben Ristani: Pse ka kaq shumë kandidatë të pavarur në Elbasan, o Njazi?
Njazi Kosovrasti: Nuk e di, pyet Lazen.
Arben Ristani: Elbasan, o i bukuri Elbasan! Djemtë si sorkadhe, vajzat si petrita…
Artan Laze: Ç’a ishte kjo?
Arben Ristani: Anapulla.
Artan Laze: Kësaj i thonë koka poshtë dhe…
Artan Laze: (I drejtohet Kosovrastit) Ju dibranët të ardhur në Tiranë i ratë nga Elbasani për të ardhur në Tiranë. Elbasani është më afër se Tirana.

Ristani: Vetëm 100 bashki e komuna i kanë çuar listat në KZAZ

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh dje se kryetarët e bashkive dhe komunave janë shumë mbrapa në drejtim të dërgimit të listave përfundimtare të zgjedhësve në KZAZ. I pyetur nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, Ristani tha se, “përsa u përket listave të zgjedhësve nga pushteti lokal, nga informacioni që kam unë, nga 384 njësi, kanë ardhur pak më shumë se 100. Janë jashtëzakonisht me vonesë”. Në mbledhjen e djeshme, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, kërkoi nga KQZ-ja që të marrë masa për të mos i lejuar më televizionet të transmetojnë një reklamë me titullin “T’i themi kurrë më”, por që nuk ka autor. “Në Top Channel dhe Vizion Plus jepet një reklamë politike, që në fakt është antireklamë, pa autorësi, e titulluar ‘Kurrë më, t’i themi’. Në përputhje me Kodin, reklamat politike të paidentifikuara nuk mund të jepen nga televizionet private. Sipas nenit 84, vetëm subjektet e regjistruara në zgjedhje mund të transmetojnë reklama. Dy televizionet duhet që të tregojnë kush është autori, subjekti politik i regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kemi të bëjmë me një antireklamë. Kërkoj të ndërpritet dhënia e antireklamës nga këto dy televizione”, tha Kosovrasti. Ndërsa Gjonçaj kërkoi të njëjtin standard përsa u përket reklamave të lëvizjes “Zgjodhu”. “Kam parasysh një fushatë denigruese të ndërmarrë nga lëvizja ‘Zgjohu’, e cila për një muaj rresht, para fillimit të fushatës, shpërdoroi hapësirat e televizioneve duke prodhuar reklama që cenonin në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin e forcave të opozitës. Atë që tha Kosovrasti e konsideroj një investim të KQZ-së për çdo rast”, u shpreh Gjonçaj.

Vëzhguesit: Berisha e Rama të dënojnë dhunën
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë reagon për incidentet e ditëve të fundit në fushatën elektorale dhe i bën thirrje kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, të dënojnë dhunën. “Koalicioni u kërkon partive politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, e në veçanti dy liderëve të dy partive më të mëdha, z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama, të dënojnë publikisht e rast pas rasti të gjitha këto incidente provokuese dhe t’i sigurojnë qytetarët se fushata dhe procesi i zgjedhjeve të 8 majit do të zhvillohet në një klimë të qetë dhe demokratike, larg dhunës dhe presionit ndaj verdiktit dhe vullnetit të votuesve shqiptarë, e në veçanti të mbështesin dhe nxitin pjesëmarrjen dhe votën e pjesës jomilitante e jopartiake të votuesit shqiptar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ambasadorja britanike: Gratë të votojnë lirisht
Ambasada Britanike në Tiranë bën thirrje që gratë të angazhohen më shumë politikisht dhe të marrin pjesë në votime. Ambasadorja Fiona Mekullam, prezantoi dje pasdite një projekt me KQZ-në dhe zyrën e Kombeve të Bashkuara për Gratë, për të promovuar pjesëmarrjen e femrave në zgjedhjet e ardhshme lokale. “Partitë politike ende s’po lidhin retorikën me veprimet. Gratë duhet të njihen dhe mbështeten si kontribuuese aktive në jetën politike, jo thjesht formalisht ose si emra simbolikë në një listë partiake”, tha ajo, ndërsa shtoi se pjesëmarrja e femrave në zgjedhje nuk është vetëm për kandidatët. “Ç’është më e rëndësishmja, është për të votuar dhe për të siguruar se çdo grua është në gjendje të votojë dhe të votojë lirisht e pa presion për kandidatin që ajo beson se do ta përfaqësojë më mirë dhe do t’i shërbejë më mirë asaj.”.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›