E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Komisioni të ngrijë deri më 8 maj

Kryetari i Komisionit hetimor për veprimtarinë e administratës së Kuvendit, Erion Braçe, i dërgon një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke parë mosfunksionimin e Komisionit pas mungesës së deputetëve të maxhorancës për shkak të fushatës, Braçe kërkon ose zëvendësimin e deputetëve të maxhorancës me emra të tjerë, ose shtyrjen e Komisionit pas datës 8 maj. Braçe e informon Topallin se mungesa e maxhorancës bllokon punën e Komisionit. “Komisioni ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë në respekt të rregullave të bashkëfunksionimit të tij. Por sot, që u mbajt mbledhja e dytë, munguan deputetet përfaqësues të maxhorancës parlamentare. Siç Ju e dini, maxhoranca ka shumicën në këtë komision. Në ligjin që rregullon mënyrën e funksionimit të komisioneve hetimore parlamentare, në pikën 1 thuhet: ‘Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur nw to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij’. Sot m’u bë me dije se deputetet e maxhorancës do të mungojnë në punimet e këtij komisioni deri mw datë 8 maj. Në të tilla kushte, do të doja t’u thosha se praktikisht, pas këtij vendimi, Komisioni dhe puna e tij janë të bllokuar”, shprehet Braçe.
Kryetari i Komisionit hetimor, në këto kushte, propozon dy zgjidhje që mund të zhbllokojnë punën  e tij. “Në të tilla kushte, vetëm dy janë zgjidhjet: a) Kuvendi të zëvendësojë anëtarët e maxhorancës që refuzojnë të paraqiten në punimet e këtij komisioni; b) Kuvendi të pezullojë punën e këtij komisioni deri mw datë 8 maj duke mos e penalizuar hetimin përmes konsumimit të afateve”, kërkon Braçe. Sipas tij, Komisioni hetimor s’duhet të ndjekë fatin e seancave gjyqësore, të cilave u mbaron afati i gjykimit pa gjykuar çështjen. “Mendoj se instrumenti i bllokimit të hetimeve me synim dështimin e hetimit përmes lojës me afatet është një precedent i rrezikshëm që nuk duhet të kalojë nga keqbërësit në gjykata te Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i rëndësishëm në vend”, shprehet Braçe. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, njëkohësisht dhe kryetar i Komisionit hetimor, denoncon bllokimin e përfaqësuesve të medias për të mos ndjekur punimet e këtij komisioni, duke fajësuar shërbimin e sigurisë së Kuvendit. “Sot, administrata e Kuvendit dhe shërbimi i sigurisë në Kuvend kanë penguar gazetarët e mediave kombëtare të ndjekin punimet e Komisionit hetimor parlamentar. Edhe pas ndërhyrjes sime si drejtues i këtij komisioni, për më shumë se 25 minuta prezenca e medias nuk është mundësuar në ambientet ku ishte mbledhur Komisioni. Dua t’ju kujtoj se edhe ky veprim cenon rendë liritë dhe të drejtat e deputetwve, por veçanërisht detyrimin e Kuvendit për të qenë transparent në raport me median dhe publikun”, u shpreh Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›