Flije mendjen! Disa njerëz janë gei

Flamuri simbol i komunitetit gei
Aleanca kundër Diskriminimit hap sot veprimtaritë kundër homofobisë, të cilat do të përmbyllen më 17 maj, me marshimin e paralajmëruar të komunitetit gei në kryeqytet.
Mësohet se në orën 18:00, në Tiranë do të mbahet një marshim përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit me sloganin Flije Mendjen! Disa njerëz janë gay.
Më 16 maj, aktivitetet do të vijojnë në qytetin e Vlorës e më pas sërish në Tiranë.
Te i njëjti qytet që përpara 100 vjetësh na bëri të ndihemi të lumtur, pra në Vlorë, do të shkojmë për të folur ballë për ballë me të rinjtë, prindërit dhe mësuesit e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut, për tu kthyer në Tiranë po atë ditë (të mërkurën, 16 maj) ku në galerinë Tirana Express do ekspozojmë jo vetëm portretet e qindra qytetarëve të këtij vendi në një labirint aq të ngushtë sa është hapësira publike dhe personale që u kemi lënë motrave, nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave, miqve e mikeshave tanë që janë LGBT, por do tregojmë për herë të parë se PO, ne jemi kundër çdo filozofie apo qëndrimi qe nuk na mëson të duam, por na nxit të urrejmë, nëse nuk na bën qytetarë të Europës, por na burgos tek padrejtësitë.
Ne do tregojmë se historia e LGBT nuk është vetëm ajo historia e shtypjes, e diskriminimit dhe e dehumanizimit të natyrës njerëzore, por është mbi të gjitha një histori e përjetshme dashurie, thuhet në njoftimin e shpërndarë për shtyp. / G.N.