E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Pavarësia e gjyqësorit, një nga kushtet për të marrë statusin

Share

Kreu i shtetit dhe njëkohësisht edhe kreu i KLD-së, Bamir Topi, e ka vënë theksin në pavarësinë e gjyqësorit. Duke folur në konferencën e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qwndrore dhe Lindore, presidenti Topi ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit është shtylla bazë ku mbështet konsolidimi i shtetit të së drejtës.

Gjykata është garant i funksionimit të shtetit. Gjykata nuk është e askujt, por e të gjithëve. Gjyqtari i pavarur ka mundësi të mbrojë dhe të japë drejtësi, por është e nevojshme që ky koncept të mbrohet nga vetë gjyqtarët. Nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe që jep pavarësia, atëherë as Kushtetuta dhe as ligji nuk bëjnë dot gjë, theksoi Topi.

Ai ka theksuar më tej se arritja e standardeve më të mira në dhënien e drejtësisë kërkon përpjekje nga të gjithë, ndërsa vlerësoi rolin e Gjykatës së Lartë në funksionimin e sistemit gjyqësor. Kontrolli i brendshëm në gjyqësor është i rëndësishëm. Është vetëm Gjykata më e Lartë që mund të vlerësojë drejtësinë e vënë. Roli i Gjykatës së Lartë është i pazëvendësueshëm dhe ndikon në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, shtoi Topi.

Presidenti Topi gjithashtu ka theksuar se një drejtësi e pavarur dhe funksionale është edhe një nga kushtet që i janë vendosur Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit.

Shqipëria është një vend që ka kaluar një tranzicion të vështirë, por është një vend, i cili gjatë këtyre viteve ka pasur një arritje, siç është integrimi në NATO dhe është një vend ku të gjithë faktorët politikë dëshirojnë në këtë 100-vjetor të pavarësisë të kenë mundësi të marrin statusin e vendit kandidat dhe një nga kriteret themelore për këtë është arritja sa më shpejt e standardeve që kanë të bëjnë me drejtësinë, ka theksuar Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›