E Shtunë, 31 Tetor 2026

Florian Agalliu, një Engjëll i Gravitetit në Metropol

Monodrama e italianit Massimo Sgorbani katër ditë në skenën teatrore


Engjëlli i Gravitetit" është monodrama, e cila erdhi premierë në Teatrin e Metropolit. Nën interpretimin e aktorit të ri Florian Agalliu, monodrama solli emocione tek publiku, i cili nuk mungon në evenimente të tilla skenike teatrore. Me regji të Renisa

Shabanit dhe skenografi nga Lirim Lila, Engjëlli i Gravitetit i shkrimtarit italian Massimo Sgorbani, u përcoll nga interpretimi i talentuar i aktorit të ri Florian Agalliu, i cili për publikun është i njohur dhe në shfaqjen Kallashnikov, seriali Komuna e Parisit, Playboy i trojeve tona e më gjerë. Ky sezon artistik ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive për Teatrin e Metropolit, i cili ka treguar se po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse. Sa i takon veprës gjithçka nis nga një shkrim i lindur nga leximi i një lajmi të disa viteve më parë nga gazetat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një i burgosur i dënuar me vdekje ishte në pritje që dënimi i tij të ekzekutohej me varje. Ekzekutimi, në fakt, u pezullua sepse i dënuari në fjalë ishte i shëndoshë deri në atë pikë që pesha e tij do të këpuste litarin e ekzekutimit. Monologu, i cili ofrohet në mënyrë fantastiko-tragjike dhe paradoksale-komike, shkon përtej realitetit e ngrihet në dimensionet më të mëdha të mundshme. "Engjëlli i Gravitetit" nuk është historia e atij obezi, por e një njeriu me probleme të dukshme të çrregullimit ushqimor dhe papjekuri psikologjike, një shpirt fëminor i bllokuar në një trup të rritur në dispropocion. Ngushëllimi i tij i vetëm është ushqimi, dikur i ofruar nga nëna e tij, është i vetmi akti më i madh i dashurisë që ai njeh. Dhe duke ndjekur ushqimin personazhi përfundon në vendin e ëndrrave ku super-marketet janë hapur në çdo orë dhe paninet janë si ato të përrallave amerikane. Këtu në tokën e huaj, kryen krimin monstruoz për të cilin dënohet me varje. Monologu është përmbledhja që personazhi i bën ngjarjeve, ndërkohë që pret ekzekutimin me varje. "Engjëlli i Gravitetit", mbi të gjitha është historia e një herezie. Herezi paradoksale, lindur kryesisht nga një kulturë thelbësore laike dhe materialiste, në të cilën besimi fetar është i përzier me elemente profane. Herezia e një epoke në të cilën vetë konsumi është më e përhapura nga fetë. Gjatë monologut, i dënuari me vdekje ndërton vizionin e vet personal mbi botën dhe e bën duke përdorur elementet e vetëm që disponon: i rritur në kultin e mallrave dhe të televizionit, pikturon në mënyrë delirante konceptin e universit dhe të moralit, në të cilën pornografia përkon me aktin më ekstrem të shpalosjes së dashurisë. I verbër në këtë besim, obezi pranon ekzistencën e engjëjve të gravitetit, që falë krahëve të tyre fitojnë mbi peshën e gravitetit dhe afrohen drejt zotit. Me besimin se do të bëhet pjesë e këtyre engjëjve, i dënuari pret me qetësi vdekjen e tij të pashmangshme e dorëzohet në një shenjtëri paradoksale, por autentike. Monodrama,e cila u shfaq mbrëmë do të për të vijojë dhe në datat 7, 8 dhe 9 maj. E ndërkohë, që sallat e saj vazhdojnë që të jenë të pushtuara nga shfaqjet e ndryshme teatrore si për të rritur ashtu dhe për fëmijë. Për drejtorin e saj Kiço Londo, ky institucion tashmë po përgatitet që ta shtrijë aktivitetin e saj dhe jashtë sallave teatrore. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me  regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez  etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të  qenë pjesë e këtij teatri.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Enjte, 06 Maj 2010 20:15

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›