E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet polici i rremë, vodhi e mashtroi 20 invalidë

 

TIRANE- Policia e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas disa muajsh hetime kanë identifikuar dhe arrestuar policin e rremë, i cili mashtronte dhe vidhte në rrugë të moshuarit dhe invalidët. Mesditën e djeshme strukturat e Hetimit të Policisë së kryeqytetit dhe SHKB, organizuan një operacion të koduar "Hija", i cili u finalizua me arrestimin e 36-vjeçarit Genci Xholi, lindur e banues në Laç. Xholi duke u paraqitur si punonjës i Policisë së Shtetit, dyshohet se ka vjedhur përmes mashtrimit më shumë se 20 persona, kryesisht të moshave të thyera dhe invalidë, duke improvizuar kontrolle policore dhe duke u vjedhur paratë që kishin me vete, si sende me vlerë, celularë etj. Kallëzimi i parë për "policin" Xholi është bërë tre muaj më parë në Policinë e Tiranës. Ka qenë një i moshuar nga Lushnja, i cili sapo kishte zbritur nga autobusi i një linje urbane për të shkuar në spital te një afërmi i tij në Tiranë, kur është ndaluar nga një person që i është prezantuar si polic dhe i ka marrë portofolin dhe sendet personale. Më pas denoncime të tjera janë bërë edhe nga persona të tjerë, që kishin pothuajse të njëjtën histori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›