E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen letrat me vlerë, tani për legalizimet

 

Rikthehen edhe një herë në treg letrat me vlerë të qeverisë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur për qytetarët që duan të legalizojnë objektet e tyre informale, 80 për qind të pagesës së vlerës së legalizimit ta kryejnë nëpërmjet letrave me vlerë. Nga kjo pagesë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, e cila paguhet pranë pushtetit lokal. Për sa i përket qytetarëve, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, kreu i qeverisë Sali Berisha sqaroi se qeveria do t’u rimbursojë 80 % të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Po dje qeveria ka miratuar edhe listën e pronarëve që do të kompensohen si edhe fondin e parave që do të përdoret për kompensimin e tyre. Bëhet fjalë për ato ish-pronarë, trojet e të cilëve janë zaptuar nga ndërtimet informale që janë bërë pjesë e procesit të legalizimit. Gjithsej janë 685 ish-pronarë. Vlera e fondit që do të përdoret për kompensimin e tyre arrin në 2.3 miliardë lekë. Po dje qeveria ka miratuar edhe dhënien e lejeve të legalizimit për 6521 familje. Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë 11 qarqe si Tirana, Berati, Fieri, Elbasani, Lezha, Durrësi, Dibra, Gjirokastra, Korça, Kukësi dhe Vlora.  

Vendimi, qeveria ul me 40 për qind çmimin e tokës
Qeveria merr vendim që çmimet e trojeve shtetërore në zona industriale të jenë 40% më lirë se sa ai i kategorive të tjera. Kjo e justifikuar me ndihmën për bizneset që kanë parqe industriale. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u mor vendimi “Për përcaktimin e çmimit të trojeve, në zonat industriale, në objektet e ndërtuara mbi këto troje”. Në pikën një të vendimit theksohet se “çmimi i trojeve, pronë shtetërore, në zonat industriale, në objektet e ndërtuara mbi to, është mbi 40 për qind më i vogël se sa vlera e çmimit të trojeve të kategorive të miratuar me vendimin e qeverisë për trojet që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe komunat””. Gjithashtu, sipas këtij vendimi, çmimi do të jetë 40 për qind më i lirë se sa hartat e vlerës së trojeve të miratuara nga ana e qeverisë. Me këtë çmim do të llogaritet jo vetëm sipërfaqja nën objekt, por edhe ajo në funksion të tij. Po dje, qeveria mori vendimin për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave. Ky fond do të trajtohet si special dhe administrohet në një llogari të veçantë në thesarin e Bankës së Shqipërisë dhe administrohet nga ana e AKKP. Këtu përfshihen edhe fondet për ish-pronarët, që do të kompensohen nga procesi i legalizimeve. Fondi do të votohet në Kuvend sa herë që votohet për ligjin organik, ai i buxhetit të shtetit. Vendimi u mor në mënyrë që fondet e pashpërndara, ose ato që shtohen në fund të vitit të mos digjen. 

PER TE LEXUAR LISTEN E PLOTE , SHKARKONI GAZETEN NE VERSIONIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›