Fluks fëmijësh të sëmurë në spitalin e Shkodrës
Rritja e ndjeshme e temperaturave dhe infeksionet e marra në zonat e ndryshme të bregdetit shqiptar, ka sjellë fluks pacientësh të vegjël në spitalin rajonal të Shkodrës.
Temperaturat e larta që shkaktojnë viroza të stinës nga të nxehtit kanë bërë që ditët e fundit të ketë një numër të madh fëmijësh të sëmurë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shtruar në spital rreth 45 fëmijë nga zona të ndryshme të Qarkut të Shkodrës dhe një numër i konsiderueshëm fëmijësh të tjerë kanë marrë terapi ditore. Më tej, mjekët shprehen se ndër arsyet kryesore të shtimit të pacientëve në këtë periudhë është ndryshimi i klimës, i ambientit dhe ushqimeve që krijon dhe çrregullim te shëndeti. Një pjesë tjetër e fëmijëve që paraqiten për ndihmë mjekësore janë ata që kanë frekuentuar plazhe të ndotura kryesisht në zonën e Durrësit, të cilët paraqiten me shenja infeksionesh të ndryshme. Drejtues të pavijonit të pediatrisë shprehen se këtë periudhë sezonale është vënë re një rritje e madhe shtrimesh të fëmijëve dhe shkak janë temperaturat e larta, të cilat zakonisht te fëmijët shfaqen me shqetësime gastro-intestinale. Mjekët specialistë këshillojnë të gjithë qytetarët që në këtë stinë të nxehtë të përdorin ushqime, lëngje të freskëta e të kontrolluara dhe në rast shenjash sëmundje apo infektimi duhet paraqitur menjëherë pranë mjekut. Ndërkohë, spitali i Shkodrës në këtë periudhë të nxehti duket se ka marrë masat, në mënyrë që pacientët të kenë një shërbim sa më të mirë, ku vlen të përmendet fakti se thuajse në çdo dhomë të sëmurët janë të pajisur me kondicioner.