Ristrukturimi, zbardhet struktura e re e administratës
Zbardhen ndryshimet e firmosura nga qeveria për ristrukturimin e administratës publike, efekti i të cilave do të nisë që nga shkrirja e pozicioneve që kryejnë funksione të së njëjtës fushë. Këto të fundit do të grupohen në sektorë, drejtori dhe drejtori të përgjithshme, në rast se plotësohet standardi numerik për krijimin e njësisë organizative respektive. Pozicionet që kryejnë funksione të ngjashme do të grupohen në të njëjtën njësi organizative. Më konkretisht, një sektor mund të krijohet si njësi organizative e veçantë kur në të janë të paktën një pozicion shef sektori dhe dy vartës. Por, një sektor mund të krijohet edhe pa pozicionin e shefit, nëse është në kuadër të një drejtorie dhe ka të paktën dy nëpunës. Një drejtori mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy sektorë të drejtuar nga një shef ose nëse ka të paktën 5 punonjës. Ndërsa një drejtori e përgjithshme mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy drejtori. Këto ndryshime dhe mjaft të tjera janë përcaktuar së fundi nga qeveria në vendimin nr.474, datë 16.6.2011 “Për përcaktimin e standardeve e të procedurës që duhet të ndiqet gjatë hartimit dhe miratimit të strukturave organizative të institucioneve të administratës publike”. Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar standardet, mbi të cilat mbështetet hartimi i strukturave organizative të institucioneve të administratës publike, në nivel qendror. Dispozitat e këtij vendimi do të zbatohen për institucionet e administratës publike, në nivel qendror, në të cilat përfshihen aparatet e Kryeministrisë dhe të ministrive, degët e ministrive, institucionet qendrore, në varësi të Këshillit të Ministrave/kryeministrit dhe ministrave të linjës dhe degët e tyre, administrata e prefektit, institucionet qendrore të pavarura. Sakaq, qeveria rekomandon drejtuesit e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë, drejtuesit e universiteteve
shtetërore, të njësive spitalore dhe të fondeve speciale të zbatojnë të njëjtat standarde gjatë hartimit të strukturave për administratat e institucioneve të tyre. Sipas vendimit, institucionet e administratës publike, në nivel qendror organizohen mbështetur në parimin e shkallëzimit, sipas të cilit, vartësit, në çdo nivel, duhet të ndjekin zinxhirin vendimmarrës dhe të komunikojnë me eprorët e tyre vetëm nëpërmjet eprorit më të afërt në hierarki. Në vendim përcaktohet se në aparatet e ministrive ka vetëm një drejtori të përgjithshme për çdo funksion kryesor, me përjashtim të rastit kur një drejtori e përgjithshme është krijuar me një ligj të veçantë. Ndërsa departamentet janë njësi organizative të veçanta, të cilat mbulojnë një funksion të rëndësishëm vetëm të politikëbërjes dhe krijohen vetëm në Kryeministri, ndërsa në institucionet e tjera, në rastet kur përmenden në një ligj të veçantë. Po ashtu, në aparatet e ministrive, sektorët nuk mund të krijohen si njësi të veçanta që raportojnë drejtpërdrejt te sekretari i përgjithshëm. Sektorët e veçantë vendosen në kuadrin e drejtorisë me të cilën kanë ngjashmërinë më të madhe të misionit. Në institucionet e pavarura, njësia më e lartë organizative është drejtoria e përgjithshme, e cila krijohet vetëm në rastet kur plotësohen standardet numerike përkatëse. Ndërsa në institucionet e varësisë, njësia më e lartë organizative është drejtoria. Në rastin e institucioneve të mëdha, me më shumë se 50 pozicione pune, në institucionin e varësisë mund të krijohen pozicionet e zëvendëstitullarit, me kushtin që ky pozicion të jetë, në njëjtën kohë, edhe drejtuesi i një drejtorie funksionale të institucionit. “Pozicioni i sekretarit të përgjithshëm krijohet vetëm në Kryeministri, aparatet e ministrive dhe në institucionet e pavarura, në rast se në këto të fundit anëtarët e emëruar në drejtimin e institucionit nuk janë të punësuar me kohë të plotë. Degët e ministrive drejtohen nga titullari i degës, ndërsa njësia më e lartë organizative e saj është sektori. Në degët e ministrive dhe në institucionet e varësisë, të cilat kanë një numër të reduktuar të stafit deri në 10 pozicione, struktura e brendshme mund të jetë e sheshtë, me vetëm një pozicion drejtues dhe të gjitha pozicionet e tjera që i raportojnë atij. Degët e ministrive dhe institucionet e varësisë kanë një varësi funksionale nga drejtoria e përgjithshme e cila mbulon fushën e veprimtarisë së tyre. Në rast se për funksionin që ato kryejnë nuk ekziston një drejtori e përgjithshme specifike, atëherë ato i raportojnë drejtorisë së përgjithshme të politikëbërjes në ministri. Në rast se vlerësimi i pozicionit të punës për titullarin e institucionit të varësisë është i barabartë ose më i lartë se vlerësimi i pozicionit të punës për drejtorin e përgjithshëm në ministri, atëherë institucioni e ka varësinë funksionale nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë”, - thuhet në vendim. Më tej, në të qartësohet se deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, nëpunësi civil konsiderohet se vazhdon të jetë në të njëjtin pozicion pune që kishte para ristrukturimit. Në mbyllje të të vendimit, te pjesa e dispozitës transitore thuhet se brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, për institucionet në fushën e ekzekutivit, dhe 2 vjetëve, për institucionet e tjera, strukturat organizative duhet të përshtaten sipas standardeve të përcaktuara së fundi nga qeveria.