E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, bllokohen fondet për tenderat pas 1 gushtit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 26-07-2011 11:33

Bllokohen të gjitha fondet buxhetore për tenderat pas datës 1 gusht. Sipas një vendimi të qeverisë të publikuar dje në Fletoren zyrtare, për disiplinimin e fondeve buxhetore për vitin 2011, “të gjitha fondet buxhetore, që i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik, të cilat deri më 1 gusht 2011 rezultojnë të paprokuruara, të bllokohen”. Në kuptim të këtij vendimi, fonde të paprokuruara vlerësohen ato fonde, për të cilat deri më 1 gusht nuk është lidhur kontratë. Sipas vendimit për këtë qëllim përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi shpenzuese, në të cilat ekziston ky shërbim, fondet për shpenzime kapitale, të cilat nuk janë objekt prokurimi, financimet e huaja dhe fondet përkatëse për kosto lokale dhe detyrime tatimore. Në raste të tjera ministri i Financave mund të lejojë vazhdimin e procedurave të prokurimit në raste tepër specifike apo emergjente. Vendimi i qeverisë mbështet shkurtimet 160 milionë euro që u aplikuan në buxhetin e këtij viti. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mënyrë më të detajuar pjesën e shkurtimeve, në të cilat do të fokusohet administrata publike. Kështu trajnimet jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2011, bllokohen. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të reduktohen duke përfshirë vetëm udhëtime të rëndësisë së veçantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve, të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror. Fondi i veçantë i planifikuar të mos përdoret për veprimtari social-kulturore deri më 1 dhjetor 2011. Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese. Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit, që marrin pjesë në shërbime operacionale 3957 dhe, kur nuk është i mundur konvertimi i tyre në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në buxhetin e vitit 2011 nuk do të lejohet asnjë pagesë për ditët e pushimit vjetor të pakryer në vitin 2010. Çdo pagesë e kryer për këtë qëllim të kthehet në buxhetin e njësisë shpenzuese dhe ditët e pushimit vjetor të vitit 2010 të riskedulohen, duke vendosur kryerjen e këtyre pushimeve brenda vitit 2011. Ngarkohen strukturat përkatëse audituese të njësive të qeverisjes së përgjithshme të verifikojnë shkeljet e rregullave. Brenda tre muajve nga data e daljes së këtij vendimi, drejtoritë e auditit të ministrive dhe institucioneve qendrore të raportojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit në Ministrinë e Financave për zbatimin e masave të mësipërme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›