Funksionet e reja, grupimi në katër fusha
Funksionet që kryhen nga institucionet e administratës publike, në nivel qendror, grupohen në katër fusha kryesore: funksione politikëbërëse; funksione rregullatore; funksione të ofrimit të shërbimeve; funksione të shërbimeve mbështetëse. Funksionet politikëbërëse kryhen vetëm nga aparatet e Kryeministrisë e të ministrive dhe nuk mund të caktohen si funksione të institucioneve të tjera të administratës publike, në nivel qendror. Funksionet rregullatore dhe funksionet e ofrimit të shërbimeve, si rregull, kryhen nga degët e ministrive dhe/ose institucionet në varësi të tyre. Në rast se për funksionet përkatëse nuk ekziston një institucion varësie ose degë ministrie, funksioni mund të vendoset në aparatin e ministrisë. Funksionet e shërbimeve mbështetëse, si rregull kryhen nga vetë institucioni, ose dega e tij. Në rastet kur institucioni i varësisë ose dega janë shumë të vegjël dhe me numër personeli të kufizuar, funksionet e shërbimeve mbështetëse ose një pjesë e tyre kryhen për to nga institucioni qendror nga i cili varet institucioni i varësisë apo dega. Pozicionet e dedikuara për funksionet mbështetëse në çdo institucion nuk duhet të kalojnë 33% të numrit të përgjithshëm të pozicioneve të institucionit. Nëse aparati i ministrisë/institucionit qendror ofron shërbime mbështetëse për institucionet e varësisë, atëherë në përcaktimin e raportit të pozicioneve mbështetëse merret në konsideratë edhe numri i pozicioneve të institucionit të varësisë apo degës. Institucionet e pavarura kryejnë si rregull funksione rregullatore dhe të ofrimit të
shërbimeve, me përjashtim të rasteve kur me ligj të veçantë parashikohet ndryshe.