Fluks nga helmimet, 80 raste në ditë tek Infektivi
Numri i vizitave në Shërbimin Infektiv në QSUT ka arritur pikun e tij me afër 80 të tilla në ditë, nga të cilat 60% e tyre vijnë si pasojë e helmimeve ushqimore. Një pjesë e pacientëve janë shtruar në pavijon, pasi, sipas infeksionistit Tritan Kalo kanë mbërritur te mjekët në gjendje shumë të rënduar. “Numri i pranimeve në urgjenca varion nga 60-80 raste në ditë dhe mbi 50-60% të tyre e përbëjnë çrregullimet gastro-intestinale. Ka dhe forma të rënda të infeksionit, sidomos personat që vijnë me vonesë në spital. Por nuk janë vetëm infeksion. Edhe temperaturat e larta apo dëmtime që vijnë nga ujërat e pishinave ose të plazhit, pasi një pjesë e tyre nuk janë higjienikisht të mirëmbajtur”, - thotë Kalo. Një shqetësim i ditëve të fundit janë dhe pickimet nga insekte, ku mjekët paralajmërojnë se helmi i një pjese të tyre është dhe vdekjeprurës. Ata këshillojnë qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të dezifektojnë ambientet ku jetojnë apo punojnë. “Më e rrezikshme është ajo që quhet merimanga e zezë, që përveç zonës së Myzeqesë dhe në zonat e tjera moçalore ose ish-kënetore është e pranishme, çka rrezikon njeriun me një lloj intoksikacioni mjaft të rëndë, dëmtime të veshkave dhe dëmtime të sistemit nervor deri në vdekje të këtyre të sëmurëve, nëse nuk adresohen për ndihmë. Brejtësit dhe minjtë mund të ngacmojnë, mizat fluturake japin infeksion me pickimet e tyre”, - shpjegon Kalo. Pak ditë më parë në Berat merimanga e zezë i mori jetën një 17-vjeçari, ndërsa edhe një 48-vjeçare për pak riskoi jetën pas pickimit nga vejusha e zezë.