E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanset për të vijuar studimet e larta në kryeqytet

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-07-2011 10:20

Vështirësohet gara për të vijuar studimet e larta në kryeqytet. Edhe këtë vit, konkurrenca për të ndjekur universitetin në Tiranë do të jetë tepër ashpër, madje më shumë se një vit më parë, kur raporti ishte 1 me 4. Për pranimet e sivjetshme ky raport ka shkuar në 3 me 1, kjo për shkak të ndryshimit të kuotave në degë të caktuara në secilin prej pesë universiteteve në kryeqytet, që janë ai i Tiranës, Politekniku, Bujqësori, Artet dhe Sportet. Kështu, megjithëse çdo vit e më shumë pjesën më të madhe të të rinjve e pushton dëshira për t’u ulur në auditorët e universiteteve të Tiranës, jo të gjithë konkurrentëve do t’u jepet kjo mundësi. Madje, sipas kalkulimeve paraprake, gati çereku i të rinjve që kanë aplikuar këtë vit për të vazhduar shkollën e lartë do të vijnë në Tiranë. Me mbarimin e katër provimeve të Maturës Shtetërore, specialistët e arsimit kanë bërë bilancin paraprak të këtij procesi. Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga këta specialistë dhe numrit të kuotave të vëna në dispozicion për universitetet e kryeqytetit, vetëm 9 683 të rinj do të pranohen në këto institucione të arsimit të lartë publik. Ndërsa pjesa tjetër do t’i ndjekë studimet e larta në universitetet e rretheve. Pas seleksionimit të maturantëve ngelës në provimet e Maturës, këtë vit, për në shkollat e larta konkurrojnë rreth 40 mijë maturantë për 23 843 kuota pranimi. Shanset që një nga këta 40 mijë maturantë të pranohet në një nga universitetet e Tiranës janë në raportin 1 me 3, pasi në total kuota e miratuar për to është 9 683 studentë të rinj. Duke marrë parasysh numrin e kuotave të pranimit si dhe konkurrencën tepër të lartë, ekziston mundësia që një pjesë e konsiderueshme e të rinjve, që kanë përzgjedhur vetëm kryeqytetin për të vazhduar studimet, të mbeten edhe pa shkollë. Ndërsa ata të rinj që përveç universiteteve të Tiranës kanë përzgjedhur degë edhe në ato të rretheve do t’u jepet mundësia që t’i vijojnë studimet e larta gjatë vitit akademik 2011-2012, edhe pse jo në universitetin e shumëpreferuar, por në rrethe. Në këto të fundit, gjatë vitit të ri akademik do të pranohen në total 14 160 studentë, thënë ndryshe 4 477 të rinj më shumë se në universitetet e Tiranës. Përsa i përket numrit të maturantëve që nuk do të mundin të ulen në auditorët e universiteteve publike gjatë këtij viti, për të ndjekur studimet e ciklit të parë me kohë të plotë, ata janë 16 157, pasi, sipas numrit total të kuotave të miratuara nga qeveria, gjatë vitit të akademik 2011-2012 në universitetet publike të vendit do të pranohen 23 843 studentë, nga 40 mijë që janë përfshirë në garën e pranimeve në universitete.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›