E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta virxhin, arratiset nga shtëpia bosi i “Euroil”

SHKRUAN: Leonard Bakillari 30-07-2011 09:59

Tiranë- Pak ditë pas lirimit nga Gjykata, biznesmeni Hajri Elezaj, i dyshuar për përfshirjen në skandalin e naftës virxhin, “zhduket” nga banesa e tij. Alarmi fillimisht është dhënë nga policia, e cila ka shkuar në adresën zyrtare të Elezajt për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që e rikthente atë në qeli. Por nga kontrolli ka rezultuar se biznesmeni i liruar më 4 korrik me vendim gjykate nuk ndodhej në banesë, duke hedhur kështu dyshime për një arratisje të mundshme. Largimi i Hajri Elezajt nga banesa ka alarmuar Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tha zyrtarisht dje se kanë nisur të tjera verifikime për këtë çështje, por tashmë për kushtet e zëvendësimit të masës së sigurisë që i dha lirinë biznesmenit Elezaj. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi se në proces verifikimi do të jenë edhe mjekët që hartuan akt-ekspertimin, sipas të cilit qëndrimi i mëtejshëm në qeli i rrezikon jetën Hajri Elezajt. Kjo ka qenë arsyeja përse Gjykata e Shkallës së parë vendosi ndryshimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, me vendimin Nr.404/2, datë 4 korrik 2011. Përfaqësuesja e akuzës ka kundërshtuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit për një nga të dyshuarit kryesorë të skandalit të naftës virxhin, por gjykata ka marrë parasysh akt-ekspertimin e mjekëve për të hequr arrestin ndaj Elezajt. Pas këtij vendimi, prokuroria ka apeluar çështjen duke pretenduar se vendimi Shkallës së Parë është konsideruar i pambështetur në ligj. Dy ditë më parë, Gjykata e Apelit me vendimin nr. 413 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për zëvendësimin e masës së sigurimit të personit nën hetim Hajri Elezaj, nga “arrest në shtëpi” në masën e sigurimit “arrest në burg”. Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e drejtorisë së policisë së Tiranës, të cilët në datën 28 kanë shkuar në banesën e Elezajt, së bashku me vendimin që e rikthen atë në qeli. Prokuroria e Përgjithshme sqaroi zyrtarisht dje se oficerët e drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të urdhërit të prokurorisë, ka shkuar në banesën e shtetasit Hajri Elezaj

dhe konfirmuan se personi nën hetim nuk gjendet në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendndodhja. Pas largimit nga banesa të bosit të kompanisë “Euroil”, organi i akuzës paralajmëron një hetim të gjerë ku do të përfshihen jo vetëm personat e konsideruar si të dyshuar kryesorë në këtë skandal, por edhe arsyet apo motivet që çuan gjykatën në ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Elezajt. Hajri Elezaj ishte i pari në radhën e të dyshuarve të rëndësishëm në çështjen “virxhin” që u lirua nga gjykata për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Tiranës liroi për të njëjtat arsye edhe të dyshuarin tjetër, biznesmenin Iljas Fisheku, i cili gjithashtu shfaqi probleme shëndetësore dhe sipas mjekëve që hartuan akt-ekspertimin, jeta e tij rrezikohej në mënyrë serioze nëse do të vazhdonte të qëndronte në qeli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›