E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks pacientësh në Kardiologji, 3 javë në pritje për tu operuar

Mjekët ankohen për operacionet jashtë parashikimeve
Pacientët e ardhur nga rrethet të shtruar në pavijonin e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, presin me dhjetëra ditë në dhomat e shtrimit për tu operuar. Ndonëse mjeku ua ka komunikuar kohën se kur duhet të operohen, sipas pacientëve ata vazhdojnë mjekimin dhe presin edhe 2-3 javë të tjera më vonë, pasi këtë kohë është konstatuar një fluks i madh i personave që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Një fakt të tillë e kanë pranuar edhe mjekët, që sipas tyre, fluksi i operacioneve në javë bën që të operohen më parë ata pacientë që kanë nevojë urgjente, ndërsa të tjerëve u qëllon që të presin disa ditë. Shpeshherë mjekët kanë operuar një numër pacientësh në javë dyfish sesa mund të parashikohet, por megjithatë radhët nuk janë eliminuar. Fluksi i operacioneve në pavijonin e kardiologjisë është i papërballueshëm, jo vetëm për kapacitetin e kufizuar të specialistëve, por edhe për sallat e operacionit në një numër relativisht ë vogël. Pacientët e shtruar në pavijonin e kardiologjisë ankohen se përveç stresit dhe makthit të sëmundjes, ata janë të detyruar të presin edhe disa javë në spital për tu operuar. Jam e sëmurë me zemër dhe sipas komunikimit të mjekut duhet të isha bërë operacion 2 javë më parë. Ndërkohë vazhdoj të kurohem dhe pres për ditë të më thërrasin. Jam operuar edhe 2 herë të tjera kohë më parë, pasi kam 20 vjet që diagnostikuar si e sëmurë me zemër. Kjo situatë është krijuar për shkak të fluksit të pacientëve që duan të operohen, sidomos të ardhurit nga rrethet e vendit. Përveç vuajtjeve të papërshkrueshme që kam pësuar, më shtohet edhe kjo telashe për të pritur, duke shtuar këtu edhe shpenzimet e mëdha ekonomike sepse pranë meje rrinë edhe 3 anëtarë të familjes time, u shpreh për gazetën SOT, pacientja nga Mati, Xhevahire Doda. Gjithashtu sa e sa pacientë të tjerë ndanin të njëjtin mendim. Një pacient i ardhur nga rrethi Kukësit kishte një muaj që piste për tu operuar. Përveç kushteve higjieno-sanitare jashtë standardeve normale të  sallave të operacionit, numri i madh i operacioneve në javë jashtë kapaciteteve dhe çështjes së barnave, shërbimi shëndetësorë në QSUT, karakterizohet edhe nga pritja e pacientëve disa javë për tu operuar.Përgjithësisht, pjesa më e madhe e pacientëve të sëmurë me zemër, të cilët vuajnë duke pritur për tu operuar janë të ardhur nga rrethet, pasi këto ndërhyrje nuk kryhen në vendet e tyre. Me dhjetëra pacientë të sëmurë me zemër presin në sallat e shtrimit të pavijonit të kardiologjisë me javë të tëra për tu operuar, duke përkeqësuar kështu shëndetin e tyre, gjithashtu edhe ekonominë shtëpiake. Ky fenomen në cilësinë e shërbimit shëndetësor në repartin e kirurgjisë, sipas pacientëve dhe të afërmve të tyre, është konstatuar prej kohësh dhe jo në pak raste, si pasojë e operacionit me vonesë dhe në mënyrë të ngutshme pacientët e sëmurë me zemër kanë humbur edhe jetën. Megjithatë, kjo jo gjithmonë ndodh për fajin e mjekëve, pasi kushtet higjieno-sanitare i sallave dhe fluksi i papërballueshëm i pacientëve nuk është në dorën e tyre, por të Ministrisë së Shëndetësisë.  
Operacioni me vonesë dëmton shëndetin e pacientit
Përveç ankthit dhe shpenzimeve ekonomike, pacientët e sëmurë me zemër, të cilët presin me javë të tëra në pavijonin e kardiologjisë për tu operuar, pësojnë edhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore deri në humbje jete. Është e kuptueshme nga çdo qytetarë i thjeshtë, se mosndërhyrja kirurgjikale në kohë ul cilësinë e shërbimit shëndetësor duke rrezikuar jetën e pacientit. Këto komponentë negativ që e kanë shoqëruar dhe e karakterizojnë shërbimin shëndetësor, kanë ndikuar pashmangshmërisht në numrin e lartë të vdekshmërisë brenda një kohe të caktuar, që konkretisht shkon në 600 në vit vetëm në QSUT.  Ndonëse sipas vetë pacientëve, mjekët i kanë siguruar se këto vonesa nuk do të kenë efekte të mëpasshme në cilësinë e operacionit, disa pacientë shprehen dyshues për këtë, pasi vonesa prej disa javësh dobëson imunitetin e të sëmurit dhe lejon të përparojë më tej sëmundja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›