Olldashi në Lushnje: Lufta ndaj korrupsionit sa vjen e minimizohet
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi gjatë takimit të zhvilluar me banorët e komunave të Lushnjës, ka theksuar se qeveria shqiptare ka mbajtur të gjitha premtimet e bëra duke i kthyer ato në realitet. I konceptuar si një bashkëbisedim me elektoratin, gjatë fjalës së tij ministri Olldashi u ndal në disa nga arritjet e reformat e kësaj mazhorance.
Premtuam se do të rrisim pensionet dhe këtë e bëmë, dyfishuam pensionet e zonave rurale si dhe rritëm deri në masën 70 % në qytet. Jemi të vetëdijshëm që pensioni u rrit por prapë ka nevojë të rritet. Premtuam se do të rrisim pagat e mësuesve dhe këtë e bëmë. Kam kënaqësinë tju njoftoj fillimin e punimeve të rrugës Lushnje-Ballgat, Peqin me një vlerë prej 2 milion dollarë, theksoi ai. Duke folur mbi reformat, kreu i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, shtoi se të gjitha këto investime dalin nga lufta kundër korrupsionit, e cila tashmë sa vjen e minimizohet më shumë. Nuk jemi ne që thjesht po themi, por po tregojmë çdo ditë me fakte që ne i kemi realizuar ato që kemi premtuar, nënvizoi Olldashi gjatë takimit të tij me banorët e Tërbufit, Dushkut e Ballagatit në Lushnje.