E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk paguan tarifën shkollore, 1700 studentë përjashtohen nga universiteti i Vlorës

Studentët rrezikojnë diplomën. Rektorati, asnjë tolerim për shkelësit e ligjit
Mospagesa në kohë e tarifës vjetore që çdo student duhet të paguajë në universitetin ku studion, ka çuar në përjashtimin e plot 1676 studentëve nga universiteti Ismail Qemali i Vlorës. Lajmi bëhet i ditur nga vetë drejtues të këtij universiteti që deklarojnë gjithashtu se përjashtimi është përfundimtar pasi studentët janë lajmëruar herë pas here për këtë penalizim. Ndërsa studentët deklarojnë se nuk e kanë bërë pagesën sepse nuk kanë të ardhura familjare dhe për këtë kanë kërkuar shtyrje të afatit të pagesës gjë që nuk është marrë parasysh nga drejtuesit e universitetit. Në këto kushte, atyre u duhet të lënë auditorët. 5 fakultetet dhe 15 degët e tyre tashmë do të kenë 1676 studentë më pak. Sipas një drejtuesi të lartë të këtij universiteti, që për shumë arsye nuk dëshiron të identifikohet sepse së pari sipas tij, sapo të bëhet publik emri i tij ai është direkt i përjashtuar nga puna, vendimi ka kohë që është marrë por këto ditë është bërë i ditur për vetë studentët një nga një. Ata janë thirrur nga drejtuesit e fakulteteve dhe u është dhënë lajmi i largimit nga universiteti. Shkaku kryesor i përjashtimit të tyre nga universiteti është se ata nuk kanë paguar detyrimin financiar që duhet ta bëjnë në çdo fillim viti. Madje ky drejtues bën me dije se kishte studentë të veçantë që këtë tarifë nuk e kishin paguar për dy apo tre vjet dhe askush nuk u kishte thënë gjë. Vetëm këtë vit, pak ditë përpara marrjes së pushimeve për krishtlindje, nga rektorati kishte dalë urdhri për verifikimin e paguesve të tarifës së studentëve në këtë universitet. Ky urdhër ishte si për studentët e ditës edhe për ata part- time. Urdhri kishte afat verifikimi prej tre muajsh. Gjatë këtyre muajve, për tu ardhur në ndihmë studentëve, në katin e parë të tij ishte hapur edhe një zyrë provizore nga njëra prej bankave që operojnë në qytet dhe që kishte kontratë me këtë universitet për marrje dhëniesh lekësh. Në këtë zyrë gati çdo ditë gjeje dhjetëra studentë që nxitonin të paguanin tarifën e përcaktuar. Mirëpo pas muajit mars u verifikuan plot 1676 studentë që nuk kishin shlyer detyrimin. Të gjithë këta janë studentë të ditës në këtë universitet, ndërkohë që ndonëse pagesa për ata që studiojnë me shkëputje është më e madhe, janë bërë të gjitha pagesat në rregull. Në këto kushte ka dalë edhe urdhri i rektoratit për largimin e tyre nga universiteti. Më të dëmtuar në këtë drejtim janë degët e drejtësisë, turizëm biznesit dhe cikli i ulët që kanë nga 222 deri në 269 të përjashtuar, ndërkohë që më pak të përjashtuar janë nga degët italisht, infermieri dhe inxhinieri navale me nga 11 deri në 51 të përjashtuar. Burimet tona nga universiteti tregojnë se sapo kanë marrë vesh se u rrezikohet shkolla, sepse ka studentë që janë në vitet e fundit të universitetit, ata kanë kërkuar të paguajnë menjëherë tarifën, gjë që deri tani nuk është pranuar nga rektorati. Ndërkohë që ka studentë që kanë kërkuar shtyrje edhe për disa muaj për këtë pagesë, gjë që as diskutohet të miratohet. Ka shumë gjasa, që të 1676 studentët që nuk kanë paguar tarifën e detyrueshme ndaj universitetit, nuk do të lejohen të marrin pjesë në sezonin e provimeve që fillon këto ditë. Ndërkohë që nga shumë studentë ka ankesa sepse ndonëse ata kanë paguar detyrimet financiare, e shikojnë veten në listat e publikuara nga rektorati si studentë që duhet të përjashtohen sepse nuk i kanë paguar këto detyrime. Në zyrën e studentëve në universitet, hapur pikërisht për ankesat e studentëve pranojnë se në disa raste ka probleme të tilla por sapo vetë studentët paraqesin faturën që e kanë shlyer detyrimin, menjëherë bëhet verifikimi me bankën përkatëse dhe studentët vazhdojnë mësimet rregullisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›