E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks pacientësh në qendrat shëndetësore



Lizeta DURO

Rritja e temperaturave në ditët e fundit ka shtuar numrin e pacientëve kryesisht të sëmurë kronikë, që drejtohen në poliklinikat e lagjes. Edhe në poliklinikën numër 9 në Tiranë fluksi i pacientëve ishte i lartë. Pacientët prisnin në radhë për të marrë së pari shërbimin nga mjeku patolog, i familjes e më pas me rekomandimin e tij, kalonin në konsultoret e mjekëve të specializuar sipas diagnozës përkatëse. Temperaturat e larta kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore te të sëmurët kronik, që vuajnë nga hipertensioni, diabeti, zemra etj.
Por në rritjen e numrit të pacientëve në qendrat shëndetësore ka ndikuar dhe skema e sigurimeve shëndetësore. Në klinikën numër 9 kishte shumë pacientë që kishin hapur librezë shëndetësore kohët e fundit. Duke qenë të siguruar ata e frekuentojnë më shpesh mjekun e familjes për të marrë këshilla dhe trajtime shëndetësore.
Këta pacientë që në të shumtën e rasteve janë të moshuar, tregojnë se me zbatimin e sistemit të referimit në çdo qendër shëndetësore atyre u janë vështirësuar procedurat.

Rrëfimi i të moshuarës

“Kam që në orën 8:00 këtu, isha dhe dije por nuk e gjeta doktorin, mjekia e familjes pasi më vizitoi, më tha të shkoj te kardiologu. Radha është e gjatë e unë mezi po qëndroj në këmbë. Pasi të më vizitojë kardiologu do më duhet të shkoj te drejtoresha që të më plotësojë dokumentet për të shkuar në spital”,- na rrëfeu një zonjë e moshuar e cila ishte me ngushtim vene në zemër. Zonja mezi fliste dhe merrte frymë me vështirësi. Në të njëjtën situatë me zonjën ndodheshin dhe shumë të moshuar të tjerë, të siguruar, që në bazë të sistemit të referimit, mjeku i familjes i dërgonte te specialisti, më pas mjeku specialist në bazë të diagnozës i rekomandonte shërbimin përkatës në spitale.
Të gjithë pacientët atje e vuanin këtë zvarritje të procedurave dhe tregonin se janë të panevojshme gjithë ato burokraci për të kryer qoftë dhe një vizitë të vetme. Ata thoshin se e mira e këtij sistemi është se me aplikimin e tij i është dhënë fund procesit të mitmarrjes por që duhen të kufizohen rekomandimet vetëm te mjeku i familjes, kështu ata do të kenë lehtësi në procedura. Por sipas mjekëve patologë dhe drejtoreshës së poliklinikës numër 9, në Tiranë aplikimi i sistemit të referimit jo vetëm në poliklinikat por në çdo qendër shëndetësore të vendit ka dhënë efekte pozitive sepse është rritur numri i personave të siguruar. Kishte edhe pacientë që nuk ishin të siguruar të cilët paguanin tarifën e afishuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të vizitës që do kryenin.

Rekomandimet e mjekëve

“Janë marrë masat edhe nëse numri i pacientëve do rritet. Ky fluks është normal në këto kohë, temperaturat e larta ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përkeqësimin e shëndetit të njerëzve sidomos te të sëmurët kronikë. Ne u rekomandojmë të evitojnë daljet në terren rreth orëve 11:00- 15:00, të pinë sa më shumë lëngje, të qëndrojnë në vende të qeta e të pastra, të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, të eliminojnë yndyrat e kripërat, të konsumojnë sa më shumë fruta, zarzavate. Ecja dhe lëvizjet fizike janë një tjetër faktor i rëndësishëm që eliminojë stresin dhe parandalojnë sëmundjet kronike”,tha Marjana Pano, drejtoresha e poliklinikës numër 9.
Në sezonin veror rritet numri i personave që rrezikohen nga ataku kardiak apo pësojnë përkeqësim të shëndetit. Më të predispozuar janë të sëmurët kronik, personat mbipeshë, të moshuarit etj, por nuk përjashtohen edhe personat të cilët nuk janë të sëmurë kronikë por që nuk kujdesen për mënyrën e jetesës, ushqimet që hanë dhe shëndetin e tyre.

9 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›