Fluks pasagjerësh në portin detar, fillojnë radhët
Dita e parë e kësaj jave ka shënuar një fluks të madh emigrantësh që largohen nga territori i Shqipërisë nëpërmjet Portit Detar të Vlorës. Vetëm dje, me dy tragete të linjës Bari-Brindisi që operojnë në Vlorë janë imbarkuar rreth 2400 pasagjerë dhe rreth 500 automjete. Shifra e ditës së djeshme është më e madhja e shënuar gjatë ditëve të para të vitit 2009. Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Emigracionit për Qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, tha se pavarësisht fluksit çdo gjë është nën kontroll. Ai theksoi se janë marrë të gjitha masat për të evituar trafiqet dhe parandalimin e tyre. Janë hapur 11 sportele, shtatë më shumë se në ditët e zakonshme. Nga ana tjetër, emigrantët shprehen se radhët janë problem i përhershëm në ditë të tilla. Sipas tyre, nuk është vetëm faji i organizimit, por edhe numrit të madh të personave që kërkojnë të largohen në të njëjtën kohë. Nga data 2 janar deri dje, nëpërmjet Portit të Vlorës kanë dalë në total rreth pesëmijë pasagjerë dhe njëmijë automjete.