E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Ushtria të ndërhyjë për hapjen e rrugëve

Situata e rënduar atmosferike ka sjellë edhe reagimin e deputetëve të Partisë Socialiste. Forca kryesore e opozitës ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për të marrë nën kontroll gjendjen e rënduar. "Të gjithë fshatrat e Librazhdit janë të bllokuar", konstatoi dje deputeti i zonës, Taulant Balla. Sipas tij, deri tani nuk ka asnjë masë nga emergjencat civile për hapjen e rrugëve. Balla vlerëson se ky bllokim nëse nuk ndërhyhet menjëherë mund të rrezikojë furnizimin me ushqime të banorëve, por edhe shërbime urgjente mjekësore. "Si deputet i Librazhdit i bëj thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë, madje të përdorë edhe ushtrinë për të hapur rrugët kryesore që lidhin qendrat e komunave", u shpreh Balla. Gjithashtu, insistoi ai, është e pafalshme dhe të ndëshkohen fajtorët e inkompetentët në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, për shkak të të cilëve Librazhdi u zhyt për orë të tëra në errësirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›