Axhemi: Kryeministri të ngrejë shtab emergjence
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj për apatinë dhe mungesën e masave të marra nga ana e qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj, për të bërë të mundur përballimin e situatës atmosferike. Nënkryetari Sokol Axhemi konstatoi se një gjë e tillë tregon dukshëm se kjo qeveri nuk ka përgjegjshmërinë që kërkojnë situata të tilla të vështira, duke e nisur kështu vitin me një dështim. "Prononcimet qeveritare për situatën tepër shqetësuese kanë qenë sporadike dhe në nivel shumë të ulët", shprehet LSI. Axhemi vlerëson se situata të tilla kërkojnë që vetë Kryeministri të ngrejë dhe të drejtojë një shtab emergjence për përballimin e situatës, pasi nuk mjafton demagogjia dhe deklaratat mediatike, por ndërhyrje urgjente dhe efikase në zhbllokimin e rrugëve. Vëmendje tha ai i duhet kushtuar edhe furnizimit me ushqime dhe me energji elektrike të banorëve të izoluar.