Kthimi i emigrantëve nis pa probleme
Emigrantët shqiptarë, të cilët kanë ardhur në vend për festat e fundvitit po u rikthehen vendeve të tyre të punës në shtetin grek. Të paktën 4470 emigrantë kanë kaluar gjatë 24 orëve të fundit nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, me të paktën 938 mjete, por pavarësisht nga ky fluks nuk ka pasur probleme apo vonesa në kufi. Si pala shqiptare ashtu edhe ajo greke kanë punuar me kapacitet të plotë, me një numër të mjaftueshëm sportelesh. Një shkëputje në rrjet gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës, për shkak të një defekti në kompjuterët grekë ka bllokuar për të paktën 30 minuta procedurat e kalimit në kufi, por fatmirësisht kjo ndërprerje nuk ka qenë e gjatë dhe nuk janë krijuar radhë. Sipas komandantit të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, Dritan Sheme, ka pasur një fluks normal lëvizjesh, gjë që ka bërë që në territorin doganor të mos ketë dyndje të mëdha të emigrantëve. Dy sportele janë vënë në dispozicion të shtetasve që udhëtojnë me autobusë të linjave ndërkombëtare dhe katër të tjera për përpunimin e emigrantëve që udhëtojnë me mjete të vogla. Komandanti i kësaj pike kufitare ka thënë se punohet me gjashtë sportele, të cilat kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar pa probleme dhe vonesa kryerjen e procedurave të kalimit në kufi. Ai konfirmon se pas kontakteve me palën greke gjatë ditëve të fundit, nga ana e policisë fqinje është punuar me katër sportele, gjë që ka lehtësuar së tepërmi lëvizjet ndërkufitare. "Gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar në drejtim të shtetit grek rreth 4470 emigrantë. Kalimi i tyre është bërë me ritme të shpejta pune në të dyja anët, pasi nga ana e palës shqiptare punohet me gjashtë sportele, dy prej të cilave për udhëtarët me autobusë, dhe nga ana e palës greke me katër sportele me kapacitet të plotë", tha dje Sheme. Sipas tij, hapja e sporteleve shtesë nga ana e palës greke ka favorizuar shumë regjistrimet dhe kontrollet pa vonesa të emigrantëve duke shmangur kështu edhe radhët. Sipas statistikave të regjistrimeve në dalje të shtetasve shqiptarë, gjatë këtyre ditëve kanë ikur në drejtim të shtetit grek të paktën 13 mijë persona. Në këtë pikë kalimi kufitar pritet të ketë një shtim të lëvizjeve me përmirësimin e kushteve të motit, ndërkohë që janë edhe të paktën 60 mijë shtetas që pritet të kthehen nga e njëjta pikë kalimi. Nga ana e autoriteteve doganore nuk përjashtohet mundësia që të ketë një dyndje dhe një fluks të madh gjatë kësaj jave, pasi emigrantët pas festave do të nisen sërish në drejtim të shtetit grek. Megjithatë, nga ana e palës shqiptare bëhet e ditur se në raste të shtimit të fluksit do të përdoren të gjitha sportelet për regjistrimin e shtetasve në dalje dhe do të ketë një shtim deri në tetë sportele për përpunimin e tyre për të mos krijuar vonesa. Por edhe pse nga ana e policisë kufitare janë marrë të gjitha masat, nuk dihet në rast se e njëjta gjë do të kryhet edhe nga pala greke, pasi në kthim kjo e fundit paraqet më shumë vështirësi për shkak të kontrolleve më të rrepta ndaj mjeteve dhe në disa raste edhe për shkak të mospërpunimit me kapacitete të plota dhe të bllokimit të punës nëpër sportele.