Fluks regjistrimesh për kursin e patentës së makinës
Emanuela Sako
Menjëherë pas deklarimit në media për ndryshimin e afatit të kryerjes së patentës së automjeteve, pranë zyrave të autoshkollave është vënë re një fluks regjistrimesh. Drejtuesit e autoshkollave deklarojnë se ditët e fundit kanë pasur një fluks të regjistruarish. Sipas tyre, arsyeja ka qenë shtimi i kohës së kryerjes së kursit të patentës, i cili pritet të bëhet dy muaj nga një muaj që është aktualisht. Kursi i patentës pritet që të ndryshojë mënyrën e lëshimit të lejes për dhënie automjeti për të gjithë personat për të rritur sigurinë në rrugë. Për këtë, kursi do të bëhet dy muaj, ku 1 muaj do të zhvillohet teoria dhe një muaj praktika. Njëkohësisht, arsye tjetër që ka sjellë dyndje regjistrimesh është fakti se me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, pritet që autoshkollat të ndryshojnë tarifat, të cilën e kanw argumentuar me rritjen e çmimit të naftës.
Aplikantët kanë të drejtë të japin 6 herë provimin e patentës përgjatë dy viteve. Së pari, aplikantët duhet t’i nënshtrohen konkursit të teorisë dhe në bazë të rezultateve do të vendosen nëse do të hyjnë në konkursin e praktikës ose jo.
Strategjia
Drejtuesit e autoshkollave, para hyrjes së rregullores në fuqi, kanë nisur të aplikojnë uljen e tarifave të krues së kursit të patentës. Madje, autoshkolla “Vitrina” ka bërë një ofertë speciale për të gjithë aplikantët, të cilët duan të regjistrohen, Ajo ka bërë ulje të tarifave të kryerjes s kursit deri në 50 për qind ulje. Kështu nga 50 mijë lekë që kanë qenë tarifa e mëparshme e kryerjes së kursit në këtë autoshkollw shkon në 25 mijë lekë. Ndryshe nga autoshkollat e tjera që kanë tarifën minimale 35 mijë lekë. Në kët mënyrë, qytetarët të joshur nga ofertat dhe të frikësuar nga kohëzgjatja dhe rritja e tarifave synojnë të kryejnë regjistrimin e menjëhershëm.
Kursi
Kursi i patentës është kthyer në një makth për qytetarët.
Përpara regjistrimit të duhen mbi tri ditë të plota sorollatje në poliklinika për të bërë vizitat mjekësore, në gjendje civile për të marrë certifikatën dhe vërtetimin e vendbanimit, në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë dëshminë e penalitetit. As për të marrë pasaportën, që është dokumenti më i rëndësishëm i identifikimit personal, nuk duhen kaq shumë dokumente. I vetmi përmirësim i bërë muajt e fundit është se qytetarët nuk do të bëjnë 7 vizita mjekësore tek çdo mjek specialist, por vetëm ato të syve dhe të veshëve. Të tjerat do t’i kryejnë te mjekët e familjes në ambulancat e lagjeve.
1 Gusht 2008