E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet pa përgjigje të Perëndimit



Nga Urim Kola

Qysh në fillimet e pluralizmit, midis kancelarive, organizmave dhe institucioneve demokratike perëndimore nga njëra anë dhe klasës sonë politike, nga ana tjetër, nuk është mundësuar krijimi dhe vënia në funksionim e një kodeksi simbolesh dhe alfabeti të përbashkët leximi e komunikimi sinjalesh dhe mesazhesh. Shprehje e kësaj pamundësie komunikimi ka qenë edhe dhënia hapur e mesazheve verbale e të shkruara prej partnerëve perëndimorë, të njohura dhe të vetëpranuara këto nga lidershipet tona politike si “detyrat e shtëpisë”. Por shtrirja e kufizuar në kohë e këtij raporti “mësues-nxënës” dhe kalimi i natyrshëm në raporte partnershipi politik në funksion të proceseve integruese të vendit në strukturat euroatlantike, riktheu kujtesën e shkurtër dhe të famshmin “telefon i prishur” në komunikimin midis klasës sonë politike dhe faktorit ndërkombëtar.
Skemat globalizuese të përfshirjes doemos të vendeve ish-komuniste në proceset integruese perëndimore dhe ndihma intensive e dhënë ndaj vendit tonë në këtë sens, nga të dy krahët e klasës politike, sipas rastit dhe kohëqëndrimit në pushtet, janë perceptuar dhe lexuar me vetëkënaqësi si merita, simpati, miqësi dhe lidhje personale të lidershipeve politike shqiptare e ndërkombëtare.
Ky gabim i të moskuptuarit të këtij defekti perceptimi, i destinuar për t’u përsëritur, u konstatua edhe pas tragjedisë së Gërdecit, kur përkimi në kohë i skemës së përafrimit gradual të momentit të futjes në paradhomën e NATO në Samitin e Bukureshtit vetëm dy javë më pas, u lexua nga maxhoranca si harresë e ndërkombëtarëve dhe si “problem i brendshëm e me karakter teknik”, që do të mund të kapërcehej me mendjelehtësinë tonë proverbiale.
Fatkeqësisht, në këtë gabim, për shkak edhe të vetëpolitizimit të pakuptimtë, ra edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila për afro 6 muaj pas fillimit të procedimit penal, ende nuk ka mundur ta kalojë numrin e 4 të penalizuarve qysh në ditët e para të ngjarjes, pavarësisht bilancit të shumëfishtë vdekjeprurës të tragjedisë.
Zhvillimet e qeta politike pas Gërdecit dhe fryma konsensuale me të cilën opozita përcolli axhendën e reformave në Parlament, përveçse perceptimit se “ndërkombëtarët do të ishin më të kënaqur nga mirëkuptimi që përshpejtonte reformat” dhe se kësisoj “imazhi i opozitës do të përmirësohej”, nuk ishte tjetër veçse leximi dhe përkthimi i gabuar i radhës i mesazheve të qarta që klasa politike merrte nga jashtë.
Pa dyshim që në këto gabime të radhës ka ndikuar edhe policentrizmi i forumeve dhe organizmave vendimmarrëse të faktorit ndërkombëtar, interferimi i reagimeve dhe sensibiliteteve ndaj zhvillimeve shqiptare, si dhe diferenca ideologjike midis qeverive dhe qarqeve politike perëndimore, segmentet e djathta të të cilëve ndikoheshin nga afërsitë programore me maxhorancën shqiptare, kurse ato të majta tregoheshin dhe tregohen të kujdesshme për të shmangur keqkuptimet.
Rokada drejtuese në KE pas largimit të Romano Prodit, si dhe ndryshimet çdo gjashtëmujor të kryesimit të BE-së, ngatërruan deshifrimin e saktë të sinjaleve ndërkombëtare për zhvillimet e pakëndshme politike në vend, sidomos pas interferimit të vendimmarrjes nga strukturat politike euroatlantike, të cilat pavarësisht standardeve të paarrira, synonin të përshpejtonin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sipas parimit të njohur të precedentit kosovar, “statusi... para standardeve”.
I njëjti gabim në perceptimin e mesazheve të ndërkombëtarëve u përsërit sërish nga dy partitë e mëdha gjatë kohës së konsumuar prej tyre për përgatitjen dhe miratimin e reformës zgjedhore ende të papërfunduar, teksa lënia e iniciativës në dorë të komisionit bipartizan dhe soditja në distancë, u shndërrua në injorim të hapur të pranisë së OSBE-së në Shqipëri, e cila doli nga vëmendja jo vetëm e klasës politike, por u harrua plotësisht edhe nga media.
Pas sulmeve të dikurshme të Nanos dhe parodizimit prej Cekës të një ish-funksionari të lartë të kësaj organizate me ndikim të jashtëzakonshëm sidomos gjatë dekadës së parë të pranisë në Shqipëri, bipartizanët pandehën se erdhi momenti i trajtimit të OSBE si atavizëm i flakur nga koha dhe zhvillimet, duke harruar se funksionarët e saj regjistronin dhe informonin për gjithçka, në justifikim të detyrës dhe pagave.
Mesazhet e faktorëve ndërkombëtarë që operonin në qarqet e majta politike dhe vendimmarrëse evropiane, nuk u morën seriozisht as nga opozita parlamentare shqiptare, e cila në kundërshtim me sugjerimet dhe ndërmjetësimet e Internacionales Socialiste, jo vetëm që nuk krijoi një front unik opozitar, por u fraksionua në dy blloqe të mëdha, me në krye PS-në dhe LSI-në, me tendenca fraksionimi të mëtejshëm dhe me pasojë prishjen e çdo tryeze, akordi dhe skeme paraprake të aksionit politik opozitar.
Përplasja e interesave të ngushta të lidershipeve opozitare në funksion të qeverisjes dhe posteve ministrore në rast fitoreje në zgjedhjet parlamentare, e nxiti lidershipin e PS-së të rinovonte “licencën” bipartizane dhe të negocionte me PD-në për hartimin e draftit të reformës pa nevojën dhe praninë e komisionit të posaçëm të radhës. Produkt i tryezës bipartizane ishte skema e re zgjedhore “spanjolle” e proporcionalit zonal, pa proporcional të përgjithshëm, e cila u trumbetua si skema që do të evitonte përsëritjen e fenomenit famëkeq të Dushkut, por që në fakt prodhonte një Dushk të ri të një forme tjetër, sa kohë që refuzohej thelbi i nocionit të “proporcionalit”, që është përputhja numerike logjike e mbështetjes elektorale në votimet e përgjithshme, me numrin e deputetëve për çdo subjekt.
Gjithsesi, fraksionimi i frontit opozitar parlamentar, tashmë në modelin e “Frontit antifashist të Perëndimit gjatë Luftës Dytë Botërore”, u kompensua nga dalja në skenën e aksionit politik të opozitës së krijuar nga shoqëria civile, veçanërisht nga segmenti më i spikatur dhe aktiv i saj, lidershipi i organizatës “Mjaft”, i organizuar në formën e grupimit politik të njohur si G99 dhe Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të njohur të mediave.
Përvoja politike e viteve 2003-2004 e përfshirjes së “Mjaft”-it në aksionin politik qytetar kundër qeverisë “Nano”, jo vetëm që ish harruar nga maxhoranca, por në kushtet e reja ajo u injorua dhe u konsiderua si pseudo-opozitë virtuale e planit propagandistik, e krijuar jashtë mureve të institucioneve legale sikurse parlamenti dhe pushteti vendor, dhe e drejtuar nga elementë të “pamandatuar nga vota e zgjedhësve...”.
Megjithatë, as cilësimet përkeqësuese dhe etiketimet e dikurshme të Nanos, të riformuluara tashmë nga pushtetarët e radhës, nuk ishin tjetër veçse dëshmi e harresës proverbiale të ndikimit të shoqërisë civile në krijimin e imazhit vendas dhe ndërkombëtar për maxhorancën, qoftë edhe nëpërmjet përthithjes dhe shoshitjes së informacioneve dhe relacioneve lidhur me zhvillimet në vend.
Gjuha e ashpër dhe lufta e deklaratave në Parlament apo seli partish dhe media, dukej sikur plotësoi dhe mbushi të gjithë kuadratin dhe kuadrin e luftës dhe marrëdhënieve pozitë-opozitë, çka zbehu vlerësimin dhe shikimin e teksteve dhe mesazheve verbale të organizmave monitoruese dhe sondazhuese ndërkombëtare, të cilat për shkak të raporteve institucionale të bashkëpunimit dhe ndërvarësisë deri edhe financiare, kishin dhe kanë ndikim të jashtëzakonshëm në kancelaritë, forumet dhe organizmat vendimmarrës ndërkombëtarë.
Përplasjet kushtetuese, institucionale dhe deri ato në plan personal midis institucioneve të qeverisë, Kuvendit nga njëra anë, dhe Presidentit nga ana tjetër, në lidhje me kompetencat dhe raportet e ndërvarësisë me pushtetin gjyqësor, nuk u lexuan nga maxhoranca si sinjale domethënëse që dilnin nga brenda vendit dhe kapeshin nga antenat dhe sensorët e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po kuptonin gjithnjë e më shumë se klasa politike shqiptare nuk arrin të deshifrojë as mesazhet e shkruara e verbale, e jo më të jetë e vëmendshme dhe të kuptojë se çfarë tingujsh prodhojnë përplasjet e mamuzeve dhe pancirëve të gladiatorëve në arenën politike shqiptare.
Dhe pikërisht në kohën e gjumit të vapës apo vërtikut të ngarendjes për pushime e freskim kokash të nxehura gjatë fërkimeve politike, të cilat u rrumbullakosën nga Kryetarja e Kuvendit në bilancin “e konsensualitetit” politik dhe “sukseseve në hartimin e reformave”, erdhi si dush i ftohtë pakënaqësia e SHBA-ve për zhvillimet në Shqipëri, sidomos ndaj asaj që cilësohej si tendencë e Qeverisë për nënshtrimin dhe marrjen në zotërim të pushtetit gjyqësor që në demokraci duhet të jetë i pavarur dhe jashtë ndikimeve politike.
Habitshëm, kur politikanët shqiptarë pandehnin se SHBA janë përfshirë në luftën politike dhe garën presidenciale midis dy kampeve, nuk u lexua as mesazhi i fundit i hapur i ambasadorit amerikan për një Polici të pavarur nga Politika, mesazh ky që u përsërit fort nga përtej Atlantikut dhe që me gjasë do lexohet dhe deshifrohet ndryshe nga origjinali, dhe ndryshe po ashtu edhe nga partitë dhe faktorët politikë në Shqipëri, në përputhje me shkujdesjen dhe harresën karakteristike.
Por kjo gjithsesi nuk e ndryshon dot thelbin e konflikteve, interesave dhe përplasjeve politike në Shqipëri, sikurse nuk do të mund të ndryshojë as karakterin e klasës politike dhe protagonistëve të saj. Thjesht do të jetë një mesazh a dokument më shumë në analet e politikës shqiptare, të pluhurosura nga harresa dhe shkujdesja e harraqëve tanë kokëfortë.

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›