Ardhja e Fatos Bejës, Ministria e Arsimit jo shumë e trazuar
Jonida Tashi
Frika e humbjes së punës është e pranishme tek të gjithë zyrtarët në vendin tonë në momentin e ndryshimit të titullarit. Madje, kërcënimet për largime nga puna nisin pa u ulur ende në postet drejtuese. Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur në Ministrinë e Arsimit pas largimit të ish-kreut të saj Genc Pollo. Në 48 orët e para të punës së tij si ministër i Arsimit, Fatos Beja është treguar shumë i qetë. Të tillë pamje nga jashtë ka edhe vetë institucioni që ai do të drejtojë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Beja, ndryshe nga kolegia e tij Anila Godo, deri tani nuk ka dalë me shpatë të madhe se do të bëjë ndryshime në institucion. Madje, në Ministrinë që ai drejton njerëzit që mbajnë postet politike janë të vetëdijshëm që mund të zëvendësohen, por deri tani atyre nuk i’u është komunikuar asgjë. Mësohet se ministri i ri i Arsimit ka qenë fjalë pak në ditët e para të punës së tij, duke preferuar për t’ia lënë ditëve në vazhdim ndryshimet e mëtejshme.
Postet
Ndërkohë postet politike që rrezikohen në Ministrinë e Arsimit janë më të paktë krahasuar me ministritë e tjera. Këtu në këto poste përfshihen: Shefi i Kabinetit, Këshilltari i ministrit, sekretarja e ministrit, zëdhënëset si dhe shoferët. Ndërsa postet e tjera drejtuese janë njerëz me status, që i kanë rezistuar ndryshimit të kreut të Ministrisë së Arsimit që nga koha kur ky institucion drejtohej nga Luan Memushi. Ata për shkak të eksperiencës, titullit dhe postit kanë vazhduar punën në Ministrinë e Arsimit pavarësisht se kush ka qenë në krye të saj. Burime konfidenciale nga MASH-i, bëjnë të ditur se deri tani nuk është larguar asnjë njeri me dëshirë nga puna dhe se nga ministri nuk është komunikuar asgjë për largime nga puna. Që në ditën e parë të punës, ministri i ri i Arsimit e ka marrë në dorë mirë situatën. Po brenda kësaj dite, ai ka bërë edhe mbledhjen me drejtorët e Ministrisë jo vetëm për të bërë prezantimin nga afër, por edhe për të mësuar më shumë prej tyre.
Takimet
Ditën e djeshme, ashtu edhe siç bëri publike në ditën e prezantimit në Ministri, kreu i ri i arsimit ka bërë një takim me drejtuesit e shtëpive botuese për çështjen e teksteve shkollore. Pas betimit në Presidencë, ministri i ri i Arsimit Fatos Beja, në daljen e tij të parë publike si ministër u angazhua para mediave se do të garantojë transparencën e veprimtarisë së MASH-it, gjatë gjithë periudhës që do të jetë në krye të saj. Madje, ai ka folur edhe për zhvillimin që do të kenë disa çështjeve kryesore në arsim si: shpërndarja e teksteve shkollore, dhe çuarjen tej të reformave që kjo ministri ka nisur. Përsa i përket reformave, Beja ka deklaruar se do të konsolidojë arritjet e reformave të kësaj qeverie.
1 Gusht 2008