Ministria e Punës: 6.1 miliard lekë për programet e mbrojtjes sociale
Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), në zbatim të programeve të mbrojtjes sociale, ka administruar dhe shpërndarë gjatë këtij viti një fond buxhetor prej 6.1 miliard lekë. Menaxhimi financiar i këtij fondi, inspektimi i ndihmës ekonomike dhe pagesave për kategoritë e ndryshme të Personave me Aftësi të Kufizuara, kanë zënë një peshë të rëndësishme në aktivitetin e SHSSH, strukturë në varësi të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Burimet zyrtare në këtë ministri, nisur nga rëndësia që ka programi dhe inspektimi i fondeve të pagesave në cash për kategoritë në nevojë, bëjnë të ditur, se sfida e zbatimit të politikave sociale të adresuara në zbutjen e varfërisë dhe mbështetjen e kategorive sociale në nevojë, ka qenë rritja e efektivitetit të përdorimit të fondeve sociale. Në zbatim të politikave sociale të qeverisë për zbutjen e varfërisë, SHSSH deri tani vetëm për ndihmën ekonomike ka realizuar dhe shpërndarë një fondi prej 1.7 miliard lekë nëpërmjet të cilit u trajtuan rreth 101.000 familje të varfra (41.000 familje me ndihmë të plotë dhe 60.000 të tjera me ndihmë të pjesshme). Ministria e Punës vlerëson se ecuria dhe dinamika e programit të ndihmës ekonomike po përforcon tendencën e uljes së numrit të familjeve përfituese në rreth 93.500 familje, ose për rreth 7500 familje më pak. Në reduktimin e numrit të familjeve përfituese ndikon dinamika e brendshme e skemës, por vetëm si rezultat i inspektimeve janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 3.167 familje që e përfitonin në mënyrë abuzive këtë pagesë, me një efekt financiar 8.102.000 lekë.
Jetimoret nisin pranimin dhe largimin e fëmijëve me vendim gjykate
Pranimi dhe largimi i fëmijëve në institucionet e përkujdesit (jetimoret) sipas vendimit të gjykatës, ka filluar të zbatohet nga gjysma e këtyre institucioneve. Burime nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) bëjnë të ditur se rreth 50 për qind e institucioneve të përkujdesit të fëmijëve kanë filluar procedurat ligjore të marrjes së kujdestarisë së fëmijëve me vendim gjykate. Zbatimi i procedurave të reja të pranimit mundësohet falë një udhëzimi të Ministrisë së Punës, i cili parashikon që fëmijët e grupmoshës 0-15 vjeç do të pranohen apo largohen nga institucionet e përkujdesit publik apo privat, vetëm me vendim gjykate të formës së prerë. Sipas SHSSH, me zbatimin e këtij udhëzimi personat që do të pranohen në këto institucione përfitojnë një mbrojtje ligjore më të plotë. Pasi përcaktohet qartë pozicioni ligjor i fëmijëve në përgjithësi dhe atyre me aftësi të kufizuar në marrëdhënie me institucionet, janë të përcaktuara qartë detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore të drejtuesve të shërbimit shoqëror kundrejt grupmoshës 0-15 vjeç, që nuk lënë shteg për shmangien e problemeve që mund të lindin gjatë punës në institucione. Institucionet e përkujdesit përveç detyrimit të zbatimit të standardeve të detyrueshme, duke pasur si qëllim plotësimin e kushteve materiale dhe edukative të fëmijëve, marrin përsipër marrjen e vendimeve të caktuara ligjore duke pasur si qëllim interesin më të lartë të fëmijëve. Aktualisht, në 55 institucionet ditore të përkujdesit trajtohen rreth 294 fëmijë, ndërsa 344 të tjerë marrin shërbime nga institucionet e OJF-ve.
MASH: Për studimet e larta duhet të kesh kaluar në të katër provimet e Maturës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë maturantët-kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (universitete) se mund të vazhdojnë konkurrimin për në këto institucione vetëm ata kandidatë që kanë arritur të marrin rezultate kaluese në secilin nga të katër provimet e Maturës Shtetërore, Gjuhë-Letërsi (D1), Matematikë (D2), Provimi i parë me zgjedhje (Z1) dhe Provimi i Dytë me zgjedhje (Z2). Kjo vlen dhe për maturantët-kandidatë në ato programe studimi ku pranimi bëhet me konkurs.
1 Gusht 2008