Vetëgjyqësia, qëllon me grushte gjyqtarin për zvarritjen e procesit
POGRADEC- Një 20-vjeçar ka bërë vetëgjyqësi, duke qëlluar me grushte një gjyqtar, pasi ishte zvarritur një proces gjykimi ndaj një personi, i cilin e kishte qëlluar me thikë të riun. Burimet zyrtare të komisariatit të Pogradecit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Marsel Kovaçi. Sipas tyre, i prangosuri ishte futur në zyrën e gjyqtarit Agron Papajani dhe e ka kërcënuar këtë të fundit për një proces që kishte të bënte me autorin që para pak muajsh kishte qëlluar me thikë mbi 20-vjeçarin. Gjyqtari Agron Papajani, mësohet t’i ketë thënë Kovaçit se gjyqi do të zhvillohet sipas programit. “Deri tani është zhvilluar një seancë dhe priten të vijojnë të tjerat. Burime nga gjykata bëjnë me dije se Kovaçi befas e ka qëlluar gjyqtarin me grusht në fytyrë, duke i lënë edhe një shenjë dalluese. Menjëherë ka ndërhyrë polici i shërbimit të gjykatës dhe më pas ka mbërritur edhe grupi i gatshëm i policisë, i cili kanë bërë shoqërimin e të riut. Pak më vonë është bërë ndalimi i tij. Reagimi i të atit të djalit është shoqëruar edhe me ndalimin e tij, ndërkohë që dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë.
Mbetet në qeli, priten prova të reja për vrasjen e studentit
KORÇË - Shtyhet gjyqi i Leonard Pashos, student në universitetin “Fan Noli”, që akuzohet për vrasjen e Nikolin Sonellarit, vrasje e ndodhur në janar të këtij viti. Sipas avokatit mbrojtës Idajet Beqiri nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, nuk ekziston asnjë provë materiale për mbajtjen në dhomat e paraburgimit të Pashos, i cili nuk është autor i kësaj vrasjeje”. Prokuroria dhe gjykata ka lënë vendimi “burg pa afat”, pas një maratone të gjatë seancash gjyqësore. Çështja i është kaluar Gjykatës së Lartë në Tiranë, e cila ka kërkuar pak kohë më parë lirimin e të ndaluarit për mungesë provash. Ndërkohë që Gjykata e Korçës e ka hedhur poshtë, duke e quajtur këtë vendim si antiligjor. Dje, trupi gjykues ka shtyrë seancën gjyqësore, duke e lënë në dhomat e paraburgimit Pashon deri në paraqitjen e provave të tjera në lidhje me këtë ngjarje. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se procesi gjyqësor ndaj tij rifillon në shtator.
Përcillen të ndarë në banesën e fundit çifti Muço
POGRADEC – Trupat e pajetët të çiftit Muço që gjetën vdekjen në dhomën e takimeve speciale të burgut të Peqinit janë përcjellë dje për në banesën e fundit, përmes dy ceremonive varrimi të bëra në familjet e Minir dhe Thëllëza Muços. Në fshatin Slabinjë është zhvilluar ceremonia e varrimit të gruas, në të cilën ka marrë pjesë thuajse gjithë fshati. Kufomën e gruas, që la pas dy fëmijë të vegjël, një djalë e një vajzë e shoqëruan edhe tre vëllezërit e saj, emigrantë në Greqi. Ndërkohë ceremonia për Mynyrin u zhvillua në fshatin Trebinjë. Në varrim kanë marrë pjesë edhe dy vëllezërit e tij Lulëzimi dhe Blendi, të cilët u sollën nga një eskortë e forcave speciale të burgut të Peqinit. Pas varrimit të vëllait të tyre, ata janë shoqëruar sërish në drejtim të burgut, ku vuajnë dënimin me 20 vjet burg. Ngjarja tragjike ndodhi tre ditë më pare në dhomën e burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit, ku Minir Muço, i dënuar me 22 vjet burg, mbyti bashkëshorten gjatë takimit special me të dhe më pas i dha fund jetës me korrent.
Flakët e zjarrit shkrumbojnë 3 dynym ullishta
MALLAKASTËR - Një zjarr ka përfshirë një fshat në Mallakastër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në parcela me të mbjella. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se zjarri ka rënë paraditen e djeshme në mënyrë të papritur. Banorët e alarmuar kanë bërë njoftimin e forcave të policisë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Nga veprimet e para hetimore mësohet se si pasojë e flakëve që kanë përparuar të favorizuar edhe nga era janë djegur rreth 350 rrënjë ullinj, 3 dynym me vreshta dhe një sipërfaqe prej 3 dynymësh me shkurre e hamull. “Ende nuk ka asnjë person të dyshuar si shkaktar të zjarrit, ndërkohë që policia po merret me identifikimin e zjarrvënësve. Dy ditë më parë u rrezikuan puset e naftës në Fier, pasi një fshatar dogji mbeturinat në arën e tij, ku flakët rrezikonin edhe zonën naftëmbajtëse.
Rikthehen radhët në Kakavijë pas inspektimit të Prençit
GJIROKASTER- Radhë të gjata janë përsëritur në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Sërish problemet janë konstatuar në tokën greke, ku vargu i makinave të emigrantëve shqiptarë që duan të kthehen në atdhe, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka arritur deri në 5 kilometra. Problemet përsëriten një ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prenci dhe zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri inspektoi doganën e Kakavijës me qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për lëvizjen pa probleme të emigrantëve që vijnë për pushime ne atdhe. Vetëm në orën 9 të mëngjesit gjithçka është normalizuar, pasi autoritetet greke shtuan edhe një sportel në pikën kufitare.
1 Gusht 2008