E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Anila Godo: “Reforme vetem ne sektoret ku çalohet”



Emanuela Sako

Dita e parë e punës së Ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo, ka qenë një ditë intensive pune, ku ka realizuar një sërë takimesh me pjesëtarët e stafit. Në zyrën e saj ka pritur të gjithë drejtorët e sektorëve përkatës për t’u njohur me hollësi me problematikën e çdo sektori. Relacionet e kërkuara kanë qenë të detajuara dhe të argumentuara në thelb lidhur me çdo problem që çalon në Ministrinë e Shëndetësisë. Burime të brendshme nga kjo Ministri sqaruan dje për gazetën “Albania” se në bazë të problematikës që do të evidentohen në ministri do të bëhen edhe lëvizjet e para, megjithëse deri tani askush nga punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka pasur largime nga puna. Ndryshimet në kabinetin e ministrisë priten të fillojnë javën e ardhshme , ditë në të cilat ministrja ka premtuar të njihet më mirë me sektorët më problematikë. Për këtë çështje, të gjithë drejtorët e sektorëve paraqitën situatën e krijuar dhe të gjithë punën që është bërë promotor apo pengesë në çdo sektor. Era e ndryshimeve të shumta në Ministri është ndjerë që në ditën e parë të punës së ministres së re, në momentin që ajo është ulur në poltronin e zyrës së Ministrit të Shëndetësisë. Furtuna e ndryshimeve në kabinetin e Ministrisë pritet të filloj javën e ardhshme, kur Ministrja e re do të bërë daljen e parë zyrtare para mediave dhe opinionit publik.
Dita e parë e punës
Dita e parë e punës për Ministren e Shëndetësisë filloi në orën 9.00 të mëngjesit, ku është përshëndetur me të gjithë pjesëtarët e ngushtë të stafit të ministrisë dhe në orën 11.00 zhvilloi një takim përshëndetës me të gjithë stafin e Ministrisë. Ajo i ka përgëzuar për punë që kanë bërë deri më sot, pavarësisht probleme të shfaqura, duke iu uruar një punë të mbarë të gjithë punonjësve. Pas mbarimit të këtij takimi, Godo organizoi një mbledhje të posaçme me drejtorët e sektorëve përkatës së ministrisë, rreth orës 12.00 të mesditës, për t’u njohur me gjithë sektorët dhe për të evidentuar ata më problematikë. Në varësi të sektorëve, ministrja thirri në zyrën e saj një nga një, drejtorët e sektorëve më problematikë bashkë me stafin përkatës.
Situata
Situata e krijuar në Ministrinë e Shëndetësisë i ngjan orëve të ankthit, pasi një pjesë e sektorëve më problematik pritet të ndryshohen. Ky ka qenë dhe vetë premtimi i Ministres së Shëndetësisë ditën që bëri prezantimin e parë në ambientet e Ministrisë. Pritet që nën syrin kritik dhe të largimeve do të vihen njerëzit më besnik të ish-Ministrit të Shëndetësisë të sapolarguar, Nard Ndoka. Javën e ardhshme, në daljen e parë zyrtare si Ministre e Shëndetësisë, Godo do të paraqesë platformën e re me të cilën do të organizojë ministrinë për t’i dhënë një frymë të re. Përsa i përket ndryshimeve që priten, Godo theksoi se do të preken vetëm ata sektorë apo drejtori që kanë mungesë profesionalizmi. Por furtuna e largimeve pritet të ketë dhe shkaqe politike.
Përgjegjësia
Ministrja e Shëndetësisë do të vendoset para disa provave të rëndësishme që do të sjellin rezultatet apo disfatat për institucionin që ka marrë përsipër të drejtojë. Kriza që ka mbërthyer sistemin shëndetësor dhe kryesisht spitalet është një ndër provat që i është vënë përpara që në ditët e para të marrjes së këtij funksioni. Kështu, përpara përgjegjësisë do të vihet sektori i menaxhimit të spitaleve dhe njëkohësisht, do të vihen përpara përgjegjësisë dhe sektori i politikave të ndjekura deri në këto momente. Përgjegjësia do të bjerë edhe mbi të gjithë ata që kanë shtyrë mundësinë e kryerjes së tenderave për furnizimin me barna të QSUT-së. Kohët e fundit, kjo qendër spitalore ka qenë më problematikja, ku është vënë theksin në kontradiktat e thelluara mes ish-ministrit të shëndetësisë dhe Drejtorit të QSUT-së. Furtuna e ndryshimeve pritet të bjerë në të gjithë sektorët që kanë ngecur në vend apo që nuk është bërë e mundur të ecin përpara.

box
Kronologjia
9.0 paraqitja në punë
11.0 takim me stafin
12.0 takim me drejtorët e sektorëve
13.0 takim me drejtoritë më problematike

1 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›