Puna artizanale, shkak i shpërthimit në Elbasan
Elbasan- Shkak i shpërthimit në punishten e përpunimit të karburantit pranë uzinës Nr. 12, në ish-Kombinatin Metalurgji ka qenë puna artizanale që bënin punëtorët.
Në këtë përfundim ka mbërritur grupi hetimor dhe shëbimet policore mbas një pune intensive. “Shkak i shpërthimit ne punishten me pronar shtetasin Sajmir Bena është se të dy punonjësit, pronari si dhe shtetasi Rifat Sula, po punonin për prodhimin e nënprodukteve të mazutit (naftës) në mënyrë artizanale me anë të ngrohjes me zjarr”- thanë burimet policore.
Të njëjtat burime saktësojnë se shkaktari i zjarrit ka qenë vetë pronari i punishtes, i cili së bashku me kolegun e tij ndodhen në gjendje të rëndë për jetën dhe aktualisht janë shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për një kurim më të specializuar.
Grupi hetimor dhe policia në vendin ngjarjes pas shuarjes së flakëve kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 50.000 litra solar, si dhe 5000 litra nënprodukt i solarit (naftë ).
Hetimet për këtë ngjarje me pasojë plagosjen e dy shtetasve vazhdojnë, ndërsa pronari i punishtes shtetasi Sajmir Bena ka qenë i ndaluar mëparë për prodhim dhe tregtim të kundraligjshëm të mallrave industriale.
Ngjarja ndodhi në një ndërmarrje të ish kombinatit metalurgjik për përpunimin dhe depozitimin e karburanteve.
Sipas të dhënave të policisë të dëmtuar rëndë kanë mbetur punëtorët, Rifat Sula, 48-vjeç, me banim në fshatin Katund i Ri dhe Sajmir Bena, 35-vjeç, nga Elbasani.
Ata fillimisht u transportuan në spitalin e Elbasanit dhe sipas mjekëve që i pritën në urgjencë gjendja e tyre ka qenë shumë kritike. Kjo për shkak të gradës së rëndë të djegieve që kishin pësuar në trup, si pasojë e shpërthimit.
Pas kësaj është kërkuar ndihma e Tiranës dhe të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në repartin e djegieve në kryeqytet.