E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm PUNA do e shpëtojë këtë brez...

Të flasësh për adoleshentët e sotëm duhet të kuptojmë më parë kush janë këta. Adoleshentët e sotëm janë pjellë e një periudhe kohe nga më të vështirat në vendin tonë, viteve ’90.

Të gjithë e dimë sa vëmendje u tregua për këta fëmijë në ato vite të mjegullta të asgjësë, të papunësisë, të kalimit të pronave të shtetit në duart e më të fortit, të etjes për t’u pasuruar me të padrejtë. Janë fëmijët e atyre që u ngrysën të varfër e u gdhinë të pasur, fëmijët e të pasurve nga droga, prostitucioni, të atyre që rronin (e rrojnë) me asistencë.

Janë fëmijët e lindur në ’90-ën, që në ’97-ën ishin tashmë në gjendje të kuptonin e ne u mësuam armët, bombat, injorimin e shtetit, policit (edhe ai më fëmijë)...

I bënim të shikonin djegiet e rajoneve të policisë, vrasjen e babait të shokut të fëmijës sonë, dhunë e përditshme, “princërit”-gangsterë (burracakë) që rrëmbenin “princeshën e varfër” (pa mbrojtje). Ishte koha që u dogjën edhe librat...

Toka rriti farën që mbollëm. Nuk mund të presim më shumë nga ata fëmijë, brezi më fatkeq i adoleshentëve.

Kur fëmijët në botën e përparuar pësojnë dhunë i trajtojnë me psikolog për të riparuar dëmin. E kur një brez i tërë adoleshentësh lind e rritet në dhunë, eh sa paqësore duhet të jetë klima përreth tyre për t’i shëruar. Vetëm PUNA do e shpëtojë këtë brez.

Të bëhen studime, të bëhet gjithë shoqëria e ndërgjegjshme për vlerën e punës, t’u krijohen kushte të punësohen me përparësi. Kur i shoh këta adoleshentë pak arrogantë, pak bosh e fodullë, nuk fyhem, por më vjen sinqerisht keq. Nuk është faji i tyre që janë kështu, është faji ynë që i harruam.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›