Terapia e zemëratës
Toni Soprano, gangsteri i New Jersey-t në serialin “Sopranot”, as që e pati problem, pas disa takimesh bindjeje, për t’u rikthyer tek psikologia. Diçka më e fortë e “nënshtroi” bosin e madh të ulej në kolltukun e “rrëfimit”: shqetësimet e mendjes. Në terapinë e gjatë, Soprano “zbrazi” përjetimet e të kaluarës së tij dhe duke zbuluar vetveten, kuptoi se takimi me psikoterapisten ishte kthyer në diçka të domosdoshme, në rrugë drejt shërimit të tij emocional.
Kështu bëri edhe ajo. Një grua nga Tirana, para 2 vjet e gjysmë, iu drejtua për ndihmë një psikoterapisteje. Gruaja kishte gjendje ankthi dhe marrëdhënie shumë të vështirë me familjarët e saj. E bindur në vetvete, ajo kërkoi që bashkëudhëtare në rrugën e kuptimit të vetvetes të kishte psikoterapisten Izela Tahsini. Pas telefonatës dhe takimit të parë me psikoterapisten Tahsini, gruaja nga Tirana, edhe për shkak të formimit të saj zgjodhi të rikthehej. Sipas saj, terapia mund të shërojë. Madje shumë. Pas disa takimeve, në një nga tre dhomat e mobiluara me kujdes për t’u krijuar klientëve një ambjent të këndshëm e të sigurt, ku sigurisht kolltuqet e rehatshme dhe shamitë në raste përlotimi nuk mungojnë, situata duket se mori për mirë. “Ishte një rrugë e gjatë e zbulimit që ajo i bëri vetvetes për të kuptuar se kush ishte dhe çfarë donte si dhe marrëdhënien me familjarët e saj”, -tregon psikoterapistja e saj. Por për gruan, veç rrugës së mundimshme për të ndryshuar, nuk pati shqetësime të tipit: “Çfarë do thotë ky, çfarë do thotë ai”. Pasi shkeli paragjykimet e thuajse tre vjetëve më parë, për të marrë iniciativën e për të trokitur në derën e Izelës, ajo duket se është përmirësuar shumë. “I është ulur dukshëm ankthi që ka patur, por përfitimi nga terapia nuk ka lidhje vetëm me të. Bashkë me ndryshimin e vetes, i është përmirësuar edhe marrëdhënia në familje si dhe marrëdhënia me të gjithë njerëzit që e rrethojnë”, -thekson psikoterapisja Tahsini, e cila shton se i ndodh shpesh që në rast të terapisë vetëm ndaj një personi, efekti shtrihet tek të gjithë njerëzit që e rrethojnë këtë individ.
Anashkalimi i turpit…
Shumë po e shkelin tabunë “se ata që kërkojnë të flasin me psikologë apo psikoterapistë, nuk janë më të aftë mendërisht”. Shifrat marrë nga psikologë dhe psikoterapistë tregojnë se thuajse është dyfishuar numri i klientëve të tyre, të paktën në dy vitet e fundit. Tashmë po i drejtohen psikologëve, gjithnjë e më shumë persona që kërkojnë të flasin, të kuptojnë veten dhe së bashku të dalin në rrugëzgjidhje. Por ajo që mbetet kategorike, përfshirë edhe në etikën profesionale të vetë psikoterapistëve është fakti se askush prej personave që vazhdojnë terapinë nuk dëshiron të identifikohet. Edhe pse faza e parë është kaluar, ajo e marrjes së iniciativës për të shkuar tek psikoterapisti, duhet kohë e gjatë për të arritur tek pranimi publik se këta persona kanë kërkuar dhe kanë marrë ndihmë sa i përket shëndetit të tyre mendor.
Refuzimi i terapisë…
“Ajo erdhi në dy takime. Diskutuam bashkë se si familja e saj, madje edhe partneri i saj ishin totalisht kundër këtij vendimi që ajo kishte marrë. Dhe kështu kjo vajzë nuk është rikthyer më”, tregon psikoterapistja Tahsini. Sipas psikoterapistes, ka edhe diçka tjetër fshehur tek personat që kërkojnë ndihmë dhe më pas heqin dorë nga terapi të tilla. “Duhet kuptuar se edhe personi në këtë rast nuk është gati për t’u përballur me problemet e veta. Unë pashë tek ajo një lloj frike ndaj kësaj terapie që ajo mund të kishte nisur”, -vijon të tregojë Tahsini. Megjithatë, thënë nga psikoterapistja, klientët që kërkojnë të kryejnë një terapi të tillë, mund të kenë probleme nga më të ndryshmet. “Njëherë kam patur një klient që e vazhdoi terapinë vetëm për një periudhë të caktuar. Pasi kishte pësuar një prishje të një marrëdhënieje intime që kishte patur, qëndroi vetëm për aq kohë sa e kaloi atë periudhë të vështirë”, -rrëfen psikoterapistja. Nga ana tjetër Tahsini tregon se ka patur raste ndër klientët e saj kur kanë kërkuar të kryejnë vetëm pak takime, e më pas e kanë zgjatur këtë periudhë. “Kemi kryer takimet e para, e më pas këta klientë kanë kuptuar se kanë nevojë të zbulojnë shumë aspekte të vetvetes. Kështu që kanë qëndruar gjatë”, thotë psikologia.
RRËFIMI
Të çlirosh veten…
Femrat duket se e kanë më të lehtë për të kërkuar ndihmë, kjo jo vetëm për shkak të natyrës së tyre. Duke iu referuar shifrave, përqindja më e madhe e klientëve i përket gjinisë femërore. Megjithatë edhe nëse kërkon të kategorizosh moshat që kërkojnë të takojnë psikologët, është disi e pamundur. Psikologët thonë se grupmoshat janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga adoleshentët e duke përfunduar tek personat mbi 50 vjeç. Klientët tipikë sigurisht që janë ata me probleme më shqetësuese, por pas nuk mbeten edhe persona jo me ndonjë problem shumë të rëndë psikologjik. Psikoterapistët tregojnë se ndodh shpesh që edhe pse vijnë për fëmijët e tyre adoleshentë, shumë prindër në Tiranë kërkojnë të qëndrojnë vetë, duke e parë këtë mënyrë “justifikimi” si një rrugë më të lehtë për të pranuar faktin se dy fjalë me terapistin të bëjnë shumë mirë. E në këtë këndvështrim, të mirat janë të pafundme nga ky shërbim. Sepse pasi ke një vend ku të shfrehësh emocionet negative e të tregosh ngjarje të hidhura e të papëlqyeshme, mund të zbulosh veten për atë që je e që do të bëhesh.
1
Deri në 3 vjet zgjat periudha e psikoterapisë, ku një person kërkon të përballet me shqetësimet e veta psikologjike dhe kërkon të gjejë një zgjidhje për to. Frekuentuese më të shpeshta në kryeqytet mbeten femrat, gjinia më e prirur për “t’u rrëfyer”
2
Fishohet, numri i klientëve që drejtohen tek psikoterapisti gjatë dy viteve të fundit. Të dhënat vihen në dispozicion nga grupi i vetëm i psikoterapistëve në Tiranë, çertifikuar nga Shoqata e Europiane e Psikoterapisë
70
Për qind e klientëve në Tiranë, pasi i nënshtrohen psikoterapisë qëndrojnë për më shumë se 1 vit, duke frekuentuar senanca të rregullta me psikoterapistët për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre psikologjike
Për një “mendje të bukur”
Një trup i shëndetshëm dhe i bukur patjetër që duhet të ketë një mendje të shëndetshme e po aq të bukur. Madje, ashtu sikundër të gjithë kujdesen që organet e tyre, apo lëkura e tyre të jetë e shëndetshme, duhet të tregojnë kujdes edhe për të patur një mendje të shëndetshme. Por a dinë të gjithë të kujdesen për shëndetin e tyre mendor?! Qëkurse idesë se “një person që flet për shëndetin e tij mendor nuk ka vend në shoqëri” i ka ikur koha, të tjera ide e sugjerime nga specialistët janë hapur për diskutim. Tanimë i ka ardhur koha idesë se cila do të ishte mënyra më e mirë për t’u kujdesur për shëndetin mendor të vetvetes. Dhe hapi i parë në këtë situatë është përballja me “mjekun e mendjes”, që në varësi nga rasti do të ishte psikologu, psiko-terapisti apo psikiatri. Por ajo që theksohet me gërma të mëdha është se “çdokush dhe në çdo moment ka probleme apo përjeton shqetësime psikologjike nga më të ndryshmet”. Çështja shtrohet se sa të guximshëm dhe me vullnet janë këta persona për t’i përballur këto shqetësime me njerëz të aftë profesionalisht për t’i dëgjuar dhe për t’i ndihmuar, që së bashku të gjejnë një rrugëzgjidhje. Por shumë e kanë thyer tabunë, duke guxuar për të bërë hapin e parë, atë të pranimit të vetvetes dhe historive të tyre ashtu siç kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin. Më pas, një punë edhe më e lodhshme i pret, ajo e ndryshimit të vetes së tyre, në raport me botën dhe të tjerët që i kanë afër. Të kujdesesh për shëndetin e mendjes tënde jep vetëm një rezultat: çlirimin shpirtëror dhe shijimin e jetës që të është dhuruar.
Psiko-dinamika, zgjidhja që lind nga zanafilla…
Shumëkush mund të dëshirojë që të mos i tregojë, madje të mos i mendojë ato që i kanë ndodhur në jetën e tij. Kjo e kaluar i duket sikur e hidhëron apo e trishton, sa herë që rikthehet tek-tuk në kujtesën e tij. Por ajo që sugjeron psiko-dinamika, me bazë psiko-analizën e Zigmund Frojdit, është se zgjidhja gjithkujt i vjen duke analizuar njëherë të kaluarën, për të përmirësuar të tashmen. Psikoterapistja Izela Tahsini thotë se nëpërmjet këtij modeli, klienti përballet me të kaluarën duke e rrëfyer atë dhe duke e pranuar në veten e tij se gjithçka ka ndodhur, nuk mund të ndryshohet. Më pas, shpjeguar nga psikoterapistja vjen faza e dytë, ajo e ndryshimit, fazë kur rigjendet forca për të rifilluar, edhe pse sërish mund të ekzistojë rreziku. “Gjithçka ndodh me qëllimin që ky person të përmirësojë të tashmen e tij, për të jetuar një jetë më të plotë sepse kjo jetë e plotë është jeta që ai do”, -vijon më tej psikoterapistja Tahsini.
------------------------------------------------“Rrëfimi tek psikologu shëron shpirtin”
Edmond Dragoti, Psikolog
Problemet e stresit ose të individëve në përgjithësi mbarten në formën e emocioneve të forta tek çdo person. Emocioni në këtë rast është negative dhe individi e ndjen të nevojshme që ta shkarkojë këtë ngarkesë. Por ai e ka të vështirë që emocionin që mbart ta shkarkojë pa adresë dhe për këtë ai kërkon që këtë emocion ta sqarojë, ta rrëfejë tek dikush tjetër që të jetë konfidencial dhe profesional njëkohësisht. Pjesërisht këtë rol e luan prifti, por ky i fundit orientohet të japë këshilla morale, kurse psikologu e orienton klientin drejt këshillave psiqike si dhe hyn tek pjesa shpirtërore e individit, pjesë që në thelb ka këtë emocion. Në këtë mënyrë psikologu merr emocione negative të klientëve dhe i shndërron ato në pozitive, duke i kthyer klientit ato që i mungojnë, domethënë emocionin pozitiv. Ky proces nuk është i lehtë por është profesional. Efektet e ndikimit shpirtëror të psikologut mbi pacientin janë të mëdha dhe në disa raste krijon varësi, pak a shumë si efektet e kafesë, duhanit apo drogës, pasi klienti e ka të domosdoshëm takimin me këtë psikolog, por në rastin e këtij takimi varësia është positive, sepse sjell shërimin psiqik të individit. Kjo gjë atë e liron nga ngarkesat e mëdha të brendshme psikologjike, që sjell shpesh edhe çrregullime të sjelljes dhe njëkohësisht rrit funksionin jetësor të individit. Nëse paraja po rrit mirëqënien materiale dhe financiare, çlirimi psikologjik rrit mirëqënien shpirtërore. Eshtë momenti që nga të gjithë të shtohet interesi për psikologun dhe nga përvoja ime mund të them se ky interes po shtohet vazhdimisht tek shumë persona. Në rradhë të parë janë njerëzit me kulturë të zhvilluar arsimore që drejtohen tek psikologu. Por kjo po shtrihet edhe në nivele të tjera, edhe sa i përket krijimit të klinikave të posaçme që kanë në përbërjen e tyre psikologë të rinj por të përgatitur. Megjithatë ende nuk është krijuar tregu i mirëfilltë i shërbimit psikologjik. Nga të dhënat, gjeografia e klientëve është shtrirë në të gjithë vendin. Klientët janë nga më të ndryshmit, që nga ata që kanë çrregullime psiqike, tek ata që kanë probleme me drogën, me dhunën apo me depresionin. Por së fundi, janë shtuar në masë edhe personat farë normalë, pa ndonjë problem të tillë, të cilët kërkojnë thjesht një bashkëbisedim të vazhdueshëm me psikologun. Në këtë rast këta persona, në varësi të karakterit dhe personalitetit të tyre duan thjesht të japin ide e të marrin sugjerime për drejtimin që do të marrë jeta e tyre në vazhdimësi.
Psikoterapisja Izela Tahsini
“Psiko-terapia nuk ofron receta për jetën”
Askush nuk mund të ndryshojë botën, por vetëm veten dhe perceptimet e tij në lidhje me njerëzit që e rrethojnë në këtë botë. Ky ndoshta është edhe thelbi i psiko-terapisë, një profesion që nga njëra anë është i ri, por nga ana tjetër shumë i nevojshëm për të njohur dhe rregulluar raportin e këtij personi me botën. Në psiko-terapi lidhet një kontratë individuale mes psiko-terapistit dhe klientit, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe shumë individuale. Psiko-terapia është një profesion që operon sipas një modeli të caktuar dhe ka qëllim lehtësimin e shqetësimeve psikologjike të klientit. Psiko-terapia funksionon vetëm mbi bazën e një aleance mes psiko-terapistit dhe klientit dhe ka si bazë vullnetin e lirë dhe motivimin e klientit për të bashkëpunuar. Thelbi është që personi që i nënshtrohet psiko-terapisë kërkon të ndryshojë, kërkon të eksplorojë veten dhe të përballet me frikërat e tij. Psiko-terapia nuk ofron këshilla dhe nuk është një marrëdhënie konsulence. Ajo nuk ofron zgjidhje të gatshme apo receta. Sepse psiko-terapisti beson se njeriu që ke përpara nuk është më pak ekspert se sa vetë psiko-terapisti. Terapisti ka ekspertizën profesionale kurse klienti ka gjithë eksperiencën e jetës së vet. Psiko-terapia është një udhëtim, ku personi nuk është vetëm por ka një bashkëudhëtar, të dy së bashku ecin përkrah në një rrugë të vështirë për të zbuluar cilat janë konfliktet, frikërat, pikëpyetjet, dëshirat e tij dhe si mund të veprohet që konfliktet, frikërat apo pikëpyetjet të mos bëhen pengesë për zhvillimin e personit dhe jetën e vet.