Fluksi i emigrantëve nxjerr në pah problemet
Kartat dhe pasaportat/ Në Vlorë, në Fier por edhe në qytete të tjera ka nisur fluksi në zyrat e aplikimit
Rinis fluksi në sportelet e pajisjeve me karta identiteti e pasaporta biometrike të shtetasve shqiptarë. Në qytete të ndryshme të vendit, kthimi i emigrantëve për pushimet verore ka çuar edhe në mbingarkesë të zyrave, ndërkohë që kanë dalë në pah edhe problemet, ku jo rrallë punohet edhe me mungesa, si dhe nuk punohet në fundjava, pavarësisht premtimeve përkatëse. Një gjë e tillë ka ndodhur dje në qytetin e Vlorës.
Fluksi ka qenë i madh, ndërkohë që jo të gjithë operatorët e shërbimit ishin në punë. Kjo pasi nga 10 kompjutera që u vendosën në fillim të këtij projekti për aplikimin e pajisjen e shtetasve me pasaporta e karta identiteti, 5 prej këtyre kompjuterave kanë dalë jashtë funksionit, si dhe janë larguar nga puna mjaft operatorë. Si rrjedhojë, të hënën para këtyre zyrave ka pasur "përleshje" mes qytetarëve, të cilët shtynin njëri-tjetrin, duke u përpjekur të hynin të parët.
Disa nga aplikuesit u shprehën se kishin nga tre ditë që kishin zënë radhën që në 5 të mëngjesit e ende nuk kishin mbaruar punë, duke kërkuar që të shtohen operatorët e shërbimit, si dhe të zgjatet orari i veprimeve. Nga ana e firmës "Aleat" ishte premtuar se operatorët do të punonin edhe të shtunave dhe të dielave për të përballuar fluksin e emigrantëve, por ndërkohë një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në ditët në vazhdim pritet të ketë akoma një fluks më të madh të personave të cilët duan të pajisen sipas ligjit me kartat e identitetit e pasaportat biometrike.
Fier, thyen dorën teksa do merrte pasaportën
Në qytetin e Fierit zyra e aplikimit është zhvendosur në fund të kilometrit të parë të aksit Fier-Patos. E përveç kësaj, për të shkuar te sporteli ku është akomoduar duhet të kesh kujdes pasi do të duhet të kalosh një rrugë shumë të shkurtër, së cilës qytetarët i kanë vënë emrin "shtegu i dhive".
Më të rrezikuar janë nënat me fëmijë, të moshuar ose gra shtatzëna, të cilat duhet të formojnë një sistem zinxhir për t'u tërhequr nga të afërmit e tyre derisa të përshkojnë rrugën deri te spoteli.
Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku më i madh. Vendi ku duhet të qëndrojnë qytetarët para se të shkojnë te sporteli për tërhequr pasaportat është shumë i ngushtë çka bën që ky vend të mbingarkohet, duke krijuar probleme deri në rrëzimin e qytetarëve.
Madje vetëm pak ditë më parë shtetësja Sotira Sinani, pasi është shtyrë nga njerëzit është rrëzuar së bashku me fëmijën duke rrëshqitur te "shtegu i dhive" dhe më pas ka thyer dorën. Ndërkohë "dhoma" ku ndodhen mbi 2000 pasaporta për t'u shpërndarë është e papërshtatshme. Është një ambient dy me tre metra ku punojnë në kushte të vështira dy punonjësit e firmës "Aleat".