E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, plazhet më të ndotura dhe të pastra

Raporti i ISHP-së tregon se disa nga plazhet duhet të mos frekuentohen për shkak të ndotjes. Ja plazhet e ndotura dhe të pastra


Monitorimi i plazheve nga Instituti i Shëndetit Publik ka evidentuar zonat më të ndotura dhe të rrezikshme për shëndetin e pushuesve. Sipas raportit, faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza në det, si dhe shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det.


Të ndodhur përballë këtij realiteti, specialistët rekomandojnë deri edhe mosfrekuentimin nga pushuesit për shkak të ngarkesave të larta mikrobiologjike në ujë. Ndërkohë, në raport tregohen edhe plazhet e pastra ku pushuesit mund të shijojnë pushimet e tyre.


Më të ndoturit


Rezultati i analizave është alarmant. Plazhet më të ndotura në vend, ku specialistët rekomandojnë deri edhe mosfrekuentimin nga pushuesit, për shkak të ngarkesave të larta mikrobiologjike në ujë, janë plazhi i Durrësit kryesisht në Currila, plazhi Zhiron tek Brryli, në zonën e shkëmbit të Kavajës tek Plepat, ku rezultatet e analizave janë alarmante.


Në raport të Ministrisë së Mjedisit, me analiza të ujërave të deteve, kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se plazhi i plepave në Golem është i ndotur përtej parametrave të OBSH dhe komunitetit europian, pasi jo vetëm ujërat detare kanë ngarkesë të lartë bakteriologjike, por në gjendje alarmante është edhe mjedisi i plazhit, ku në mes të rërës vihen re kanale ujërash të zeza dhe pellgje ujërash urbane që kundërmojnë erë të rëndë.


Gjithashtu, bëhet e ditur se situatë e rëndë paraqitet edhe në plazhin e vjetër në qytetin Vlorës. Gjithashtu, gjatë zonës Skelë -Plazh i Ri derdhen kanale të shumta të ujërave të zeza. Edhe në plazhin e ri specialistët kanë konstatuar ngarkesa të larta bakteriologjike në ujë.


Më të pastrit


Në vendin tonë nuk ka vetëm plazhe të ndotura, sepse shumë zona të ofrojnë plazhe të pastra ku pushuesit mund t'i frekuentojnë ato pa frikë. Kështu në raportin e ISHP-së thuhet se në zonën jugore të vendit specialistët rekomandojnë plazhet pas tunelit në Vlorë, Radhimën, plazhin e Orikumit, Dhërmiut, Himarës dhe Borshit, madje këto mund të konsiderohen plazhet më të pastra në vend.


Edhe plazhet e Sarandës rezultojnë brenda normave të lejuara nga OBSH me përjashtim të plazhit në Kanalin e Cukës, ku rezultatet i kapërcejnë këto norma. Ndërsa në zonën veri-perëndimore, në e plazhet e Shëngjinit dhe të Velipojës, ujërat detare janë brenda normave, por vihet re mungesë e kushteve higjieno-sanitare në mjedisin përreth dhe ndotje e sipërfaqes së rërës nga mbeturinat.


Zonat ku ndotja rezulton e lartë
Durrësi
Plazhi në zonën e "Currilave"
Plazhi Zhiron
Plazhi te Brryli
Plazhi në zonën e Shkëmbit të Kavajës te Plepat
Zona e plazhit të Golemit
Vlora
Plazhi pranë "Pyllit të Sodës"
Zona te "Plazhi i Ri "
Zona përballë shkollës së "Marinës (ndalohet rreptësisht larja)
Sarandë
Plazhi te Kanali i Cukës

Plazhet më të pastra

Vlorë
Plazhi pas tunelit të Vlorës
Radhima
Plazhi i Orikumit
Dhërmiu
Himara
Borshi
Shëngjini
Velipoja


Në raportin e ISHP-së shpjegohet mënyra e monitorimit nga dalin edhe faktorët ndotës. Ujërat e zeza, problemi kryesor

ISHP: Si realizohet monitorimi dhe faktorët e ndotjes

Për gjashtë muaj me radhë, deri në fund të muajit korrik janë kryer nga Instituti i Shëndetit Publik tre seri monitorimesh në të gjithë vijën bregdetare që shfrytëzohen nga pushuesit.


Në fakt, specialistët e këtij institucioni shpjegojnë se monitorimi i ujit të detit bëhet dy herë në vit. "Janë rreth 72 stacionime të zonave të plazhit ku merren kampione uji dhe analizohen në laboratorin e ISHP-së për të parë nëse janë të ndotur.


Kjo praktikë ndiqet çdo vit dhe për fat të keq vihet re se një pjesë e plazheve nuk i plotësojnë standardet për pushuesit", - pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se ky monitorim bëhet për llogari të Ministrisë së Mjedisit, por të dhënat u raportohen dhe organizmave ndërkombëtare.


Duke u bazuar pikërisht në këto monitorime dhe rezultatit të analizave duket se faktori kryesor i ndotjes së ujërave të plazheve është ndotja bakteriale, çka do të thotë se janë fekalet.


Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza në det, si dhe shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det.


"Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza në det, si dhe shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara, të cilat derdhen direkt apo indirekt në det", - bëhet e ditur në raport, duke shtuar se kanalizimet duket se edhe për disa kohë do të mbeten problem i plazheve tona, pasi, pikërisht prej tij vjen edhe ndotja kryesore.


Rrjeti i kanalizimeve, sipas specialistëve, ka bërë që për vite me radhë ujërat e zeza të derdhen në det, madje edhe ujërat e zeza të gropave septike derdhen në dete dhe lumenj. Duke u bazuar tek monitorimi, kjo ka bërë që treguesit e ndotjes fekale, të ishin 10 herë më të larta se normat e lejuara.


Mjekët: Uji i ndotur shkakton infeksione


Probleme me lëkurën, sytë, veshët, madje edhe infeksione të zorrëve, pikërisht për shkak të ujit të ndotur. Këto janë disa nga shqetësimet e pushuesve të raportuara pranë mjekëve. "Kategoria më e madhe e pacientëve që kanë probleme me lëkurën janë ata që kanë frekuentuar detin dhe kjo për shkak të ujit të ndotur.


Flluskat dhe shenjat në trup janë simptomat e para të këtyre infeksioneve, por në një stad të avancuar ato mund të shoqërohen edhe me temperaturë", - pohojnë mjekët, duke shtuar se në këto ujëra problem është edhe pirja e ujit pa dashje e fëmijëve, çka sjell infeksione të aparatit tretës.


Sipas mjekëve, është e domosdoshme që kryesisht fëmijët, të çohen menjëherë në spital ose në poliklinikat e lagjes, për të marrë recetat me pomadat dhe barnat përkatëse. Në rast se neglizhohen, flluskat në trup nga të kruarat mund të infektohen dhe të sjellin pasoja për të sëmurët.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›