Fluturo si “EAGLE”, me cilësi dhe lirë në të gjithë Shqipërinë
Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, “Eagle Mobile”, ka përmbyllur fazën e shtrirjes së infrastrukturës në territorin e vendit dhe mbulimit me sinjal. Pas një pune kolosale në rreth 6 muaj, Eagle Mobile mbulon tashmë rreth 95 për qind të popullsisë në Shqipëri dhe sjell shërbime të reja në tregun shqiptar të telekomunikacionit me tarifa të përshtatshme për çdo pjesë të shoqërisë sonë.
“Deri dje ju kemi thënë se pritja do t’ju vlejë, dhe që nga sot kemi përfunduar punimet për t’u dhënë shërbime pa asnjë të metë. Që nga kjo ditë, duam t’ju tregojmë ato që na bëjnë të emocionohemi, të krenohemi dhe që Eagle Mobile i ka futur në jetën tonë”, - u shpreh Ali TASKIN, drejtor i Përgjithshëm i Eagle Mobile. Ai shton se “Eagle Mobile është shumë i nderuar që i ofron shoqërisë shqiptare principin themelor të kësaj kompanie të takimit me konsumatorin në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë, një princip ky i Çalik Holding”. Në takim zoti TAKSIN iu përgjigj edhe pyetjeve të reporterëve në lidhje me hapësirat e mbulimit dhe tarifat e kompanisë prestigjioze të telefonisë celulare.
Si do ta vlerësonit shtrirjen e Eagle Mobile në kaq pak muaj? A ka zona të tjera pa mbulim?
Në muajin mars kur dolëm dhe me sinjal, mbulonim vetëm Durrësin, Tiranën dhe zonën ndërmjet tyre. Ndërsa tani mbulojmë 95 për qind të të gjithë popullatës dhe në fund të këtij muaji do të arrijmë në 97 për qind të saj. Në zonën verilindore të vendit për shkak të terrenit të thyer dhe malor do të kemi punë të vështirë. Megjithatë në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm edhe kjo zonë do të mbulohet. Deri tani kemi mbuluar qytetet e mëdha tërësisht. Dua të jap edhe disa të dhëna shtesë në këtë pikë. Deri tani meqë nuk ishim me sinjal në të gjithë Shqipërinë nuk nisëm në mënyrë të mirëfilltë fushatat e marketingut, por tani jemi gati. Ky është shkaku që ne demonstruam edhe filmin promocional. Po të bëni një krahasim me konkurrentët tanë që e bënë mbulimin për 2 vite e gjysmë, “Eagle Mobile” këtë proces e bëri vetëm për 6 muaj. Në këtë pikë, në botën e GSM përbëjmë një shembull unik duke qenë zbatuesi i procesit më të shpejtë të mbulimit me sinjal.
Ato që u interesojnë të gjithë shqiptarëve janë tarifat. Si do t’i ketë Eagle ato?
Tarifat e para që u publikuan në muajin mars ishin 25 për qind më të ulëta se çmimet e tregut. Tani janë anonçuar tarifat e reja që janë mjaft tërheqëse. Për kartat me parapagim “prepaid” tarifat do të deklarohen brenda disa ditësh. Për sa u përket kërkesave të shqiptarëve ne i shohim dhe i studiojmë. Mesazhin e kemi marrë, prandaj në çdo hap që do të hedhim do të jemi liderë dhe do ta hedhim të parët në këtë drejtim. Do t’ju kërkoja në mënyrë të veçantë që kur të krahasoni tarifat, t’i vlerësoni ato bashkë me teknologjinë që përdorim. Megjithëse jemi me tarifa shumë të mira, edhe me teknologjinë më të mirë që kemi jemi shumë përpara në krahasim me konkurrentët tanë. A mund të arrihet në një kohë të shkurtër ajo që është quajtur mbartja e numrit ose ndryshe “number portability” nga një kompani celulare në një tjetër?
Po. Eagle Mobile synon që ta arrijë këtë gjë. Ligji thotë se kjo mund të bëhet brenda një viti. Ne mendojmë se nuk mund të pritet më shumë. Pra, mos ekzistimi i “mbartjes së numrit” pengon konkurrencën, duhet të hyjë sa më parë. Kjo është një praktikë që po hyn gjerësisht edhe në vendet e tjera evropiane. Në cilësinë e zërit duhet të ketë konkurrencë, në mbulim, në tarifa padyshim, por jo në numrin specifikisht. Ne jemi në kontakte me zyrtarët dhe presim edhe mbështetjen e opinionit publik.
Si do ta vlerësonit legjislacionin shqiptar për telekomunikacionin?
Përderisa ne operojmë dhe kemi arritur në operojmë duke hyrën në tregun shqiptar të telekomunikacionit me këto standarde që po prezantojmë sot, ligji nuk na ka penguar.
“Eagle Mobile”, ashtu si shikimi i shqiponjës, simbolit shqiptar
Drejtues të kompanisë prezantuan filmin e parë reklamues të “Eagle Mobile”, një histori e parë nga syri i Shqiponjës, ku rrëfehet takimi i vendit me “Eagle Mobile”. I ndërthurur me elementë nga e gjithë Shqipëria, me xhirime origjinale dhe produksionin e madh ndërkombëtar, ai shpreh filozofinë e “Eagle Mobile”; një vizion i gjerë, ashtu si shikimi i simbolit shqiptar, shqiponjës. Operatori më i ri i telefonisë së lëvizshme, publikoi tarifat më të reja, Proring, që ofrojnë zgjidhje për të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë dhe sjellin risi dhe shërbime që konsumatorët shqiptarë nuk i kanë provuar më parë. “Eagle Mobile” gjen rastin të falënderojë të gjithë ata qytetarë, biznese dhe institucione për interesin e madh dhe pritshmërinë, ndërsa mbetet i hapur për mendimet dhe sugjerimet e tyre. “Eagle Mobile” është gati të fluturojë si shqiponjë në qiellin e vendit të shqiponjave.
18 Qershor 2008