E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet superhajduti i kasetofonëve, grabiti 2 makina të Bashkisë



GJIROKASTËR – Një 20-vjeçar ka arritur të grabisë pajisjet e brendshme të 7 automjeteve, përfshirë edhe dy makina të Bashkisë së Gjirokastrës, por më në fund është prangosur. Burimet zyrtare të policisë së qytetit jugor bëjnë të ditur se dy ditë më parë është prangosur shtetasi Klodian Çobo, lindur dhe banues në Gjirokastër. Sipas zëdhënësit Gentian Mullai, 20-vjeçari Çobo akuzohet për thyerjen dhe grabitjen e 7 makinave të parkuara në lagjen “Ish-Poliklinika”, të cilave iu janë marrë kasetofonët dhe sende të tjera. Mes mjeteve të dëmtuara ishin edhe dy makina në pronësi të Bashkisë së Gjirokastrës. Menjëherë pas denoncimit të bërë nga 5 shtetasit e dëmtuar, nisi puna për identifikimin e autorit. Mullai pohon se forcat e Rendit bënë të mundur arrestimin në flagrancë të njërit prej autorëve të dyshuar. Burimet policore pohojnë se pas arrestimit të Klodian Çobos, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i 4 kasetofonëve në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e sendeve të tjera.

Babai denoncon djalin në polici: “Im bir më rreh”

DURRËS – Një 53-vjeçar është detyruar të bëjë denoncim në polici për të birin, për shkak se dhunës që ushtrohej ndaj tij. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se të hënën në mbrëmje shtetasi I. V., banues në Durrës, ka bërë kallëzim pranë Seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje, pasi pretendon se djali i tij, shtetasi Sadik Valteri, lindur në Vinjoll të rrethit të Matit dhe banues në Lagjen Nr. 17 në qytetin bregdetar, ka ushtruar ndaj tij dhunë fizike e psikologjike. Sipas njoftimit zyrtar, 19-vjeçari Sadiku, me arsim 10 klasë, i padënuar më parë, e ka keqtrajtuar të atin për herë të fundit më datë 05.06.2008. “Nga ana jone u kryen veprimet e nevojshme procedurale; u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet iu kaluan për ndjekje gjykatës së rrethit të Durrësit”, - thonë burimet policore. Statistikat e policisë flasin për rritje të ndjeshme të dhunës në familje, ku janë shtuar ndjeshëm rastet e keqtrajtimeve të prindërve nga fëmijët.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›