Humbën në loto, shkatërrojnë lokalin
DURRËS – Dy të rinj, pasi kanë humbur bastin që kishin vënë me disa persona për ndeshjen e futbollit të së dielës, në kuadër Kampionatit Evropian, janë konfliktuar, duke shkatërruar lokalin dhe prishur qetësinë në mjediset përreth. Por, pas njoftimit të mbërritur në komisariatin e Durrësit, ata janë vënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se filloi procedimin penal ne gjendje të lirë ndaj shtetasve: Elvis Nina dhe Eduart Meta, të dy, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 13 në qytetin bregdetar. Sipas burimeve zyrtare procedimi penal ndaj 19-vjeçarit Nina dhe 24-vjeçarit Meta nis për arsyen se më datë 15 qershor, rreth orës 23.00, gjatë kohës kur janë konfliktuar me disa djem të tjerë në një lokal në Lagjen Nr.13 në Durrës, pronë e shtetasit B. A., kanë thyer karrige, gota e xhama të lokalit. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut bën të ditur se janë kryer veprimet e para dhe prokuroria ka nisur hetimet ndaj Elvis Ninës dhe Eduart Metës. Ata akuzohen për veprat penale të “shkatërrimit të pronës” dhe “prishjes së qetësisë publike”.
18 Qershor 2008