Shteti i dehur nga Cannabisi
Tashmë Shqipëria është damkosur si “Republika e Hashashit”. Ky fakt është konstatuar edhe në raportet e fundit të organizmave ndërkombëtare, të specializuara në luftën kundër krimit, si Europoli, Agjencia e Luftës kundër Drogave të OKB-së, apo edhe prej Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tyre, pas Holandës, vendi ynë listohet i dyti në kontinentin europian si kultivues dhe trafikues i Cannabis Sativa. Me gjithë alarmin e vazhdueshëm të dhënë nga institucionet ndërkombëtare dhe me gjithë përpjekjet e ndërmarra nga strukturat e brishta të rendit, hashashi lulëzon në shumë zona të vendit tonë. Sidomos në këtë periudhë. Minirepublikat e hashashit në Lazarat, malësitë e Vlorës, fshatrat e thella të Fierit apo katundet e humbura të Veriut kundërmojnë aromën e drogës nën hundën e shtetit.
Nisma e marrë dy vjet më parë për të miratuar ligjin “Anti-Cannabis”, megjithëse me shumë kleçka antiligjore, u pa thjesht dhe vetëm si një tolerim dhe e drejtë morale për këtë qeveri, në emër të luftës frontale kundër krimit. Por, kur kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga hyrja në fuqi e tij, përveç kryeplakut të fshatit Bëne në komunën e Shllakut, Dedë Lumi, apo edhe të ndonjë tjetër kryeplaku të mjerë, paketën “Anti-Cannabis” të kësaj qeverie e ka marrë lumi. Këto masa legjislative vetëm sa në treguan edhe një herë pafuqishmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Tani, kultivimi, përdorimi, por edhe trafikimi i hashashit, janë legalizuar para përfaqësuesve të shtetit. Me ligjin e harruar në sirtar, strukturat e tij janë dehur nga kundërmimi i tij.
18 Qershor 2008