Dy në pranga, iu gjetën në makinë heroinë
DURRËS - Dy shtetas me precedentë penalë nga Durrësi u ndaluan në orët e vona të së hënës, pasi në automjetin me të cilin udhëtonin u gjet një sasi lënde narkotike, që dyshohet të jetë e llojit heroinë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut bënë të ditur se shtetasit Rigers Deda, 25 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 4 dhe Gentian Gjoka, 35 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 18 të qytetit bregdetar, u ndaluan pasi gjatë kontrollit në automjetin me targë DR 3165 E, me të cilin ata udhëtonin, u gjetën 4,5 gramë pluhur lëndë narkotike. Sipas burimeve, lënda narkotike, e cila dyshohet të jetë heroinë, është dërguar për ekzaminim në laboratorin e Policisë së Shtetit në Tiranë.
Kapen kokainë dhe heroinë, dy të arrestuar
ELBASAN - Dy shtetas janë arrestuar mesditën e djeshme, pasi iu janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike të llojeve “kokainë” dhe “heroinë”. Burime të policisë bënë të ditur se “rreth orës 13.00 të ditës së martë janë arrestuar në flagrancë shtetasit Emiljano Ramazani 28 vjeç dhe Mikael Stefo, 22 vjeç, që të dy lindur e banues në qytetin e Elbasanit. Arrestimi i tyre u bë, pasi gjatë një kontrolli të imtësishëm të mjetit tip “Benz” me targa TR 0309 P, me drejtues shtetasin Emiljano Ramazani, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Spajkores” në lagjen “5 Maji”, iu gjet lëndë narkotike e llojit “kokainë” dhe “heroinë”. Ndaj shtetasve Ramazani dhe Stefo kanë nisur hetimit për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes se narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.
18 Qershor 2008