Fluturojnë çmimet e sezonit turistik në Durrës

Bregdeti i Durrësit që administrohet nga bashkia e Durrësit, komuna e Rrashbullit dhe komuna Katund i Ri është ndër zonat më të frekuentuara në vendin tonë për shkak të rërës, terrenit dhe klimës. Ky bregdet ka një shtrirje në afro 60 km vijë por deri tani shfrytëzohet jo më shumë se 7 km nga veriu drejt jugut të Durrësit. Pas komunës së Golemit, sezoni i verës dhe nisja e sezonit turistik është deklaruar edhe në Durrës duke startuar periudhën 3-mujore të pushimeve.
Fluksin më të madh të pushuesve vendas, të turistëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi si dhe të emigrantëve tanë me rezidencë në vendet e Perëndimit e përballon Durrësi. Kjo ka bërë që vit pas viti të rritet dukshëm numri i pallateve të rinj, hoteleve dhe moteleve së bashku me infrastrukturën ndihmëse si parkingje, lulishte, këndë argëtimi për të rinj etj. Pronarët e hoteleve dhe fshatrave turistikë në bregdetin e Durrësit, Golemit e të Kavajës i kanë dhënë dorën e fundit mjediseve të akomodimit të pushuesve vendës e të huaj. Ajo që vihet re në këtë sezon është rritja e çmimit për person që do të vendoset në hotelet apo edhe në dhomat e pallateve të ndërtuara enkas për sezonin turistik. Çmimet këtë vit do të jenë më të larta se çdo vit tjetër, por tarifa e shërbimit në këto godina do të jetë në varësi të cilësisë dhe standardeve të plotësuara nga hotelet. Aktualisht në Durrës asnjë hotel nuk është i certifikuar për të përfituar në bazë të kushteve edhe klasifikimin në kategori të lartë apo të mesme, por kjo nuk ka penguar pronarët e tyre të i vetëklasifikojnë ato me katër yje, pesë yje e kështu me radhë. Sezoni turistik i verës është ndarë në katër grupe dhe çmimet shkojnë duke u rritur nga periudha në periudhë. Këtë vit startimi nis me jo më pak sesa 10 euro në natë më shumë se verën e kaluar për të vijuar në rritje deri në mesin e shtatorit. Çmimet klasifikohen në varësi të pozicionit të dhomës me pamje nga deti dhe numrit të shtretërve për dhomë. Kështu një dhomë teke do të ketë si çmim fillestar 45 euro dhe do të prenotohet për 75 euro në pikun e kërkesës. Dhoma dyshe nga 50 euro në 70 euro, dhomat treshe nga 70 euro në 100 euro dhe suit nga 90 euro në 150 euro. Brenda çmimit përfshihet mëngjesi, parkimi, shezlloni, parkimi i autoveturës dhe pishina. Fëmijët deri në 4 vjeç do të kenë fjetje e ushqim falas, kurse të tjetër deri në moshën 15 vjeç me 50 për qind zbritje. Në tërësi akomodimi në hotele afron një vakt ushqim që do të kushtojë ng 10-15 euro dhe në dy vakte ushqim çmimi do të jetë20-35 euro për person. Fshatrat turistik kanë edhe vila e minivila në të cilat mund të sistemohen deri në 4 persona. Dhomat që janë me pamje nga deti apo edhe ato që kanë pishinë dhe pamje nga deti do të kushtojnë shtrenjtë. Kështu një suitat në fillim të sezinit, në periudhën 15 maj-15 qershor kushtojnë 80, 90 euro, kurse në gusht çmimi shkon në 150 euro. Në ndryshim nga hotelet e motelet, banesat familjarë që lirohen për pushues do të kenë çmime shumë favorizuese. Sezoni në Plazh është hapur me 8 euro për dhomë dhe me kuzhinë në shërbim të pushuesve, ndërsa në pikun e kërkesës që është edhe periudha 15 korrik - 20 gusht çmimi pritet të shkojë në 15 euro për dhomë pavarësisht numrit të personave që sistemohen në to. Hotelet në Plazhin e Durrësit dhe ato përgjatë shëtitores Taulantia deri në Currila, thuajse kanë unifikuar çmimin për natë qëndrimi në hotel të pushuesve. Edhe agjencitë turistike përfitojnë nga 10 për qind deri në 20 për qind për grupe turistike me mbi 25 vetë. Hotelet dhe motelet në çmim kanë përfshirë sigurimin e mjetit, shezllonin për çdo person, pishinën, dushin, mëngjesin. Sivjet sezoni në Durrës ka afruar kushte më të mira për pushues. OSSH ka marrë të gjitha masat për furnizim me energji elektrike pa kufizime, kurse ujësjellësi përmes shumë investimeve që ka bërë në vijën bregdetare në Durrës do të jap ujë të pijshëm dy herë në ditë. Ajo që mbetet problematike në plazhin e Durrësit dhe në atë tek Shkëmbi i Kavajës deri në Golem ka të bëjë me kanalet e ujërave të zeza.